Një betejë e pa precedentë ligjore ka nisur mes SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme për hetimin e burimit të pasurive të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Kundër hetimit është angazhuar dhe po bën rezistencë prokuroja e SPAK-ut Manjola Kajana, e cila i është drejtuar Gjykatës së Apelit, për të mbrojtur vendimin e saj për mosfillim të procedimit penal për dyshen e ‘revolucionit’ Berisha-Meta. Nuk kërkohet referim në gjykatë, as dënim dhe as sekuestrim, por thjeshtë verifikim nëse pasuria e është apo jo e ligjshme. Por, siç e tregon edhe ky dokument, Manjola Kajana këmbëngul se pasuria e Ilir Metës dhe Sali Berishës nuk duhet hetuar.
Në shtator të vitit 2022, avokati Idajet Beqiri referoi në SPAK një kallëzim penal ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës për vjedhjen e floririt të shtetit në tunelet e Kërrabës ndodhur në vitet 1997 dhe 1999. Në kallëzimin penal, Beqiri pretendonte se një pjesë e pasurisë së Metës dhe Berishës është produkt i vjedhjes së floririt. Më 7 tetor 2022, prokuroja Manjola Kajana, vendosi mosfillimin e procedimit penal, duke rrëzuar kështu kërkesën e Beqirit për ndjekjen penale të Ilir Metës dhe Sali Berishës si të dyshuar, sipas tij, si organizatorë dhe përfitues të vjedhjes së floririt.
Në vendimin e mosfillimit, prokurorja Manjola Kajana thoshte se vepra penale e referuar në kallëzimin e Idajet Beqirit është parashkruar sipas legjislacionit penal, pasi kanë kaluar më shumë se 20 vite. Së dyti, prokurorja e SPAK-ut Manjola Kajana thekson se për këtë ngjarje janë dënuar 5 persona në vitin 2001, me vendim të formës së prerë të Gjykatës Ushtarake. Dhe së treti, sipas prokurores, vepra penale e referuar nga Beqiri, ajo e grupit të strukturuar kriminal, nuk ekzistonte në legjislacionin penal të kohës.
Avokati Beqiri e ankimoi vendimin e prokurores Manjola Kajana në gjykatë, duke këmbëngulur në hetimin e Berishës dhe Metës. Me vendim të datës 30 nëntor 2022, gjyqtarja Flojera Davidhi, pranoi ankimimin e Beqirit, duke rrëzuar vendimin e 7 tetorit 2022 të prokurores së SPAK, Manjola Kajana, për mosfillimin e procedimit penal për vjedhjen e floririt. Gjyqtarja Flojera Davidhi arsyeton se prokuroria nuk mund të dalë në konkluzione se nuk ka vepër penale dhe se janë parashkruar veprat penale, pa kryer hetime. Gjyqtarja arsyeton se i takon më pas gjykatës për të kontrolluar dhe vlerësuar hetimet e prokurorisë. Flojera Davidhi thekson se mund të jemi para vazhdimësisë së veprës penale, por pa hetuar në mënyrë shteruese, nuk mund të dilet në një përfundim.
Gjykata thotë se kallëzuesi pretendon se Ilir Meta dhe Sali Berisha i kanë krijuar pasuritë me floririn e vjedhur. Sipas gjykatës, kallëzuesi nuk ka mundësi për ta provuar këtë fakt, ndaj SPAK duhet të verifikojë burimin e pasurisë së Metës dhe Berishës, përmes shkresave drejtuar ILDKPKI, hipotekës etj. Në vendimin e gjykatës thuhet se SPAK-u, pasi të bëjë një hetim shterues, të paraqitet në gjykatë për pushimin e çështjes ose ndëshkimin e personave përgjegjës, nëse do të zbulohen të tillë.
Por, prokurorja Manjola Kajana i qëndron arsyetimin në vendimin e saj për të mos regjistruar procedim penal për vjedhjen e floririt, si dhe për të mos hetuar pasurinë e Metës dhe Berishës. Në dokumentin që publikon sot Shqiptarja.com, Manjola Kajana rendit disa argumente për të mos regjistruar procedim penal për vjedhjen e floririt dhe rrjedhimisht për të rrëzuar vendimin e shkallës së parë që e urdhëron të verifikojë pasurinë e Metës dhe Berishës.
Manjola Kajana argumenton se fakti penal i vjedhjes së thesarit të shtetit në Kërrabë ka ndodhur dhe për këtë fakt janë dënuar disa persona. Por, prokurorja thotë se nuk ka asnjë të dhënë që Sali Berisha dhe Ilir Meta të kenë lidhje me vjedhjen e thesarit të shtetit. Gjithashtu, prokurorja thekson se deri në momentin e regjistrimit të kallëzimit penal, ka kaluar afati i parashkrimit të ndjekjes penale për veprat penale të vjedhjes së bankave.
Prokurorja e SPAK-ut thekson më tej se “është e vrertë të që kallëzuesi Idajet Beqiri, në kallëzimin e tij, përveç vjedhjes së thesarit duke përmendur/atribuuar këtë vjedhje shtetasve Ilir Meta dhe Sali Berisha si organizatorë të saj, ka përmendur një tërësi veprash penale si: korrupsion të funksionarëve të lartë shtetëror, pastrim të produkteve të veprës penale, refuzim për të deklaruar, vrasje në rrethana cilësuese etj., mirëpo këto vepra penale vetëm citohen prej tij…, duke mos referuar asnjë indicie konkrete që të krijohet dyshimi i arsyeshëm për konsumimin e këtyre veprave penale prej personave të kallëzuar prej tij”.
Sipas prokurores Manjola Kajana nuk mund të kryhen hetime për pastrim parash, pasi më parë duhet të vërtetohet fakti penal i vjedhjes së thesarit nga zyrtarët e kallëzuar” “Në rastin konkret nuk ka asnjë indicie që të bëjë lidhjen midis këtij fakti penal me të kallëzuarit Ilir Meta dhe Sali Berisha, si ish zyrtarë të lartë në kohën kur ka ndodhur vjedhja e thesarit të shtetit.
Për këtë arsye, nga ana jonë vlerësimi i këtij kallëzimi penal është i lidhur më së pari me veprën penale të vjedhjes, në mungesë të vërtetimit të lidhje së ish funksionarëve të lartë Meta dhe Berisha, sjell si pasojë edhe pamundësinë e fillimit të hetimeve ndaj tyre për veprën penale të pastrimit të produkteve që rrjedhin nga vepra penale”.
Manjola Kajana, në ankimimin e saj në Gjykatën e Apelit, thotë se Gjykata e Shkallës së Parë, në kushtet e mungesë së indicieve të rëndësishme të faktit penal, duke të linte në fuqi vendimin e saj për mosfillimin e procedimit penal.
“…gjykata, gjatë kontrollit gjyqësor, duhet të marrë në konsideratë jo vetëm pretendimet e palës kallëzuese, por edhe respektimin e të drejtave dhe lirive ndaj të cilëve ngrihet akuza…. Për më tepër që vetë kallëzuesi në ankim ka shtuar fakte të reja në lidhje me pasurinë e subjekteve zyrtarë të nivelit të lartë, fakte të cilat edhe prokuroria nuk i ka patur objekt kallëzimi, në momentin e vlerësimit të kallëzimit penal”, thekson prokurorja e SPAK-ut.
Tashmë do të jetë Gjykata e Apelit, e cila do të vendosë se kush ka të drejtë, prokurorja Manjola Kajana apo gjyqtarja Flojera Davidhi. Nëse Apeli do të shprehet pro Davidhit dhe Idajet Beqiri, Manjola Kajana do të jetë e detyruar që të verifikojë pasurinë e Ilir Metës dhe Sali Berishës.(Shqiptarja.com)