Kuvendi nisi këtë të hënë (5 shtator) sesionin e ri parlamentar, duke çelur zyrtarisht edhe stinën e përplasjeve të forta mes mazhorancës dhe opozitës.
Në fjalën e parë të saj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, renditi prioritetet që do të ketë parlamenti, i cili sipas saj ka një agjendë të ngjeshur me reforma.
“Duke qenë se vendi ka hyrë në një stad të ri të procesit të integrimit evropian, edhe roli i Kuvendit do të ketë një dinamikë të re.Zhvillimi i negociatave është përgjegjësi e Qeverisë, por kjo përgjegjësi duhet mbështetet e kontrollohet nga Kuvendi.Në këtë kontekst, detyrat kryesore të Kuvendit gjatë negociatave të anëtarësimit do të jenë: Intensifikimi i përafrimit të legjislacionit kombëtar me legjislacionin e BE. Sesioni i ri parlamentar do të jetë sesioni i dy reformave të rëndësishme: Reformës Zgjedhore dhe Reformës Administrativo-Territoriale. Pesë shërbimeve të Kuvendit u është shtuar tashmë një shërbim i ri: Instituti Parlamentar”.
Por deputeti, Enkelejd Alibeaj, i ka uruar jetë të shkurtër parlamentit, i cili sipas tij i ka penguar fjalën opozitës.
“Ne zgjodhëm që sot ti bënim publike prioritet tona. E udhës është të thuhet punë e mbarë. Po cfarë punë të mbarë mund ti kujtosh këtij parlamenti? Punë e mbarë për ligjet e bëra me porosi? Punë e mbarë për fjalën e penguar të opozitës? Punë e mbarë për kontrollin parlamentar? Punë të mbarë për këto çështje nuk mund të ketë. Një vit e ca më parë ky parlament ishte produkt i zgjedhjeve të vjedhura. Nuk ka si të ketë një sjellë korrekte ndaj opozitës në shërbim të shqiptarëve. Asnjë shqiptar nuk e sheh parlamentin si vend ku flitet për jetën e tyre. Një gjë do ta them, punë e mbarë dhe jetë të shkurtër këtij parlamenti”.
Opozita do t’i kundërpërgjigjet me protesta reformave të mazhorancës.
Nga oborri i Kuvendit, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha bëri të ditur angazhimin e një fronti opozitar dhe la të hapur bashkëpunimin me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili më herët deklaroi se një datë për sezonin e protestave do të dakordësohet brenda së martës.
“Mendoj se shqiptarët do të arrijnë ti japin përgjigjen e merituar kësaj mazhorance në tërësi, parlamentit dhe qeverisë në këtë stinë e cila lajmëron më shumë se çdo gjë tjetër, protesta të fuqishme popullore. Pa diskutim që do të bëhen koordinimet me frontin opozitar që do të mblidhet për shpëtimi ne Shqipërisë dhe do të vendosë një agjendë e cila ka si synim një protestë të qëndrueshme popullore në mbrojtje të interesave të popullit. Largimi i mazhorancës është shpëtimi i Shqipërisë. Ka një armik të egër për çdo shqiptar, dhe ai është Edi Rama në të gjitha rrafshet”.
E ndërsa Berisha zyrtarizoi betejën frontale ndaj atij që ai e quan regjim, nga foltorja e Kuvendit kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, fliste për miratimin sa më shpejt të nismës për bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit.
“Hapësira dhe mundësia e gjetjes së konsensusit është që edhe disa projektligje të tjera që do të sjellim në këtë paketë, të marrin dakordësinë. I referohem ligjit të dekriminalizimit, ku ka ardhur koha të shtojmë edhe pjesën që lidhet me përfshirjen e atyre personave që kanë qenë pjesë e sigurimit të shtetit apo bashkëpunëtorë të sigurimit. Kriminelë janë edhe ata”.
Sesioni i ri parlamentar nisi me një kërkesë të ligjvënëses demokrate Flutura Açka për mbajtjen e një duartrokitjeje homazh në nderim të shenjtërimit të Nënë Terezës.



