Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh ka botuar të dhëna alarmante që tregojnë se numri i spermatozoideve është përgjysmuar në mbarë botën në 50 vitet e fundit dhe se trendi po përshpejtohej.
Rënia, paralajmëruan profesorët Hagai Levine dhe Shanna Swan, mund të bëhet një problem shumë i madh për t’u injoruar, me potencialin për të “kërcënuar mbijetesën e njerëzimit”.
Numri i spermatozoideve është i rëndësishëm, por nuk është gjithçka. Kur një mashkull shkon për një kontroll të fertilitetit dhe bën një analizë të spermës, shikohen tre parametra kyç: numri i spermatozoideve, por edhe lëvizshmëria dhe morfologjia e spermës.
“Për mendimin tim, nuk ka absolutisht asnjë dyshim që shëndeti riprodhues mashkullor ka ndryshuar për keq gjatë 70+ viteve të fundit dhe është një shqetësim i vërtetë për sa i përket ndikimit negativ në potencialin e fertilitetit në çift,” tha për Euronews Profesor Richard Sharpe nga Qendra për Shëndetin Riprodhues të Universitetit të Edinburgut.
Disa nga shkaqet kryesore në uljen e numrit të spermatozoideve janë: ekspozimi ndaj kimikateve, obeziteti, stresi, jeta sedentare, përdorimi i alkoolit dhe drogës
Çfarë mund të bëjnë burrat për të mbrojtur fertilitetin? “Mund të tingëllojë e mërzitshme dhe e çuditshme, por ngrënia e një diete të ekuilibruar me shumë perime dhe fruta të freskëta dhe sasi të ulëta ushqimesh të përpunuara, është gjëja më e mirë që njerëzit mund të bëjnë,” tha Sharpe.
Ai thekson rëndësinë e aktivitetit fizik, mbajtjen e një peshe të shëndetshme dhe mospirjen e duhanit. Pirja e duhanit është e lidhur fort me infertilitetin.