4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Pse disa njerëz i “zë” makina?

    Nëse jeni një njeri që vuan nga kinetoza, pra nga të ndjerit fizikisht keq gjatë udhëtimit më makinë, udhëtimi me shumë lloje automjetesh mund të jetë i vështirë falë një sërë simptomash si marramendja, të përzierat, madje edhe të vjellat.

    Por nuk është shumë e qartë se përse disa njerëz mund ta kalojnë udhëtimit duke lexuar ose duke luajtur lojëra në telefonin e tyre, ndërsa të tjerët e kalojnë udhëtimin duke u përpjekur dëshpërimisht që të mos sëmuren. Po ashtu nuk është e qartë se pse disa njerëz vuajnë nga kinetoza vetëm kur udhëtojnë me lloje të caktuara automjetesh dhe jo të tjerat.

    Megjithatë ekzistojnë teori që mund të ndihmojnë në shpjegimin e asaj që ndodh me këta njerëz. Teoria e konfliktit ndijor, sugjeron se një faktor kyç në shfaqjen e këtyre simptomave është sistemi ynë i ekuilibrit. Ekuilibri i trupit tonë nuk garantohet vetëm nga një organ i vetëm shqisor.

    Përkundrazi, ai kombinon atë që shohim dhe ndjejmë, me informacionet që merren nga organi i ekuilibrit në veshët tanë të brendshëm, gjë që e ndihmon sistemin tonë të ekuilibrit të gjejë saktësisht se ku ndodhemi. Nëse nuk përputhet informacioni që merret nga sytë tanë, veshët e brendshëm dhe shqisat e prekjes ose presionit, kjo gjë mund të na bëjë të ndihemi jo të ekuilibruar apo me marramendje.

    Kjo është arsyeja pse mendohet se kinetoza, shkaktohet nga një mospërputhje e informacionit nga shqisat tona. Sytë dhe veshi i brendshëm i tregojnë trupit tonë se jemi duke lëvizur, edhe pse në fakt po qëndrojmë pa lëvizur. Po ashtu kjo është arsyeja se pse sa më pak mospërputhje shqisore të përjetojmë gjatë udhëtimit me një automjet, aq më pak ka të ngjarë të përjetojmë kinetozë.

    Për shembull, udhëtimi me një makinë në një rrugë të mirë dhe të drejtë, do të shkaktojë më pak mospërputhje ndijore, sesa udhëtimi në një rrugë dredha-dredha dhe me shumë gropa. Kjo teori konsiderohet aktualisht si shpjegimi më i mirë për sëmundjen e kinetozës. Edhe pse studiuesit janë duke u përpjekur ende që të kuptojmë mekanizmat e trurit, të cilat e shkaktojnë atë.

    Një teori alternative (por e lidhur me të parën), sugjeron se gjithçka varet nga kontrolli i pozicionimit tonë diku. Sipas kësaj teorie, kinetoza nuk ndodh vetëm për shkak të mospërputhjes së informacionit shqisor.

    Përkundrazi, është paaftësia jonë për të rregulluar qëndrimin tonë për të reduktuar këtë mospërputhje të informacionit shqisor, ajo që na bën të ndjejmë të përziera. Ndërsa kjo ka kuptim, kjo teori nuk mbështet nga shumë prova.

    Kinetoza i prek njerëzit ndryshe, dhe nuk ka asnjë arsye të vetme se përse disa njerëz e përjetojnë më shpesh se të tjerët. Por ndryshimet në mënyrën se si funksionojnë sistemet e shikimit dhe ekuilibrit të një personi, ndikojnë në mënyrën se si ata mund të ndihen gjatë udhëtimit me lloje të ndryshme automjetesh.

    Disa çrregullime – përfshirë migrenën dhe sëmundjet e veshit të brendshëm, si sëmundja e Meniere – i shtojnë gjasat për të përjetuar kinetozën. Edhe mosha dhe gjinia mund të ndikojnë tek gjasat për të përjetuar këtë simptomë. Disa studime tregojnë se përvojat me kinetozënarrijnë kulmin rreth moshës 9 ose 10 vjeç, dhe janë më të zakonshme tek gratë. Megjithatë, mbetet e paqartë pse ndodh kështu. Lloji i automjetit me të cilin udhëtojnë njerëzit, ka gjithashtu njëfarë ndikimi në shkallën e simptomave që mund të përjetojë një person.

    Në përgjithësi, çdo faktor që rrit mospërputhjen midis secilës prej shqisave që kontribuojnë në sistemin tonë të ekuilibrit, do të rrisë rrezikun e prekjes nga kinetoza. Sa më gjatë të zgjasë përvoja dhe sa më e madhe të jetë koha e udhëtimit, aq më të këqija janë simptomat.

    Për shembull, udhëtimi me një varkë të vogël në mesin e një stuhie për më shumë se 8 orë do të shkaktojë simptoma shumë të rënda. Ndërsa një udhëtim 1-orësh me tren, do të ketë  ndoshta pak efekte anësore, edhe nëse binarët nuk janë edhe aq cilësorë.

    Po ashtu, shumë njerëz raportojnë se përjetojnë simptoma të tilla kur janë pasagjerë, dhe jo kur drejtojnë një automjet. Kjo ndoshta për shkak se drejtuesit janë shumë më të aftë në parashikimin e lëvizjes së një automjeti dhe i lëvizin trupat e tyre sipas lëvizjes së automjetit.

    Për shembull, nëse një makinë udhëton rreth një kthese të mprehtë, shoferi do të parashikojë lëvizjen e makinës dhe do të përkulë trupin në drejtimin e duhur, ndërsa një pasagjer ka të ngjarë të reagojë duke u përkulur në drejtimin e kundërt.
    Por kinetoza nuk është e kufizuar vetëm në “botën reale”, por edhe nga mjediset virtuale, më shpesh kur luajmë videolojëra. Kjo ka të ngjarë të ndodhë për shkak të konfliktit ndijor të shikimit të mjedisit që lëviz në ekran, në kohën që trupi i lojtarit mbetet i palëvizshëm.

    Shikimi i filmave në formatin 3D në kinema, mund të shkaktojë kinetozë për të njëjtën arsye.

    Nëse jeni një njeri që vuani nga kjo sëmundje, gjëja më e mirë që mund të bëni herën tjetër kur të jeni në një automjet, është që  përpiqeni të reduktoni mospërputhjen e informacionit shqisor.

    Pra shmangni leximin në makinë, pasi kjo shkakton një mospërputhje mes asaj që shohim dhe asaj që ndjejmë, dhe përpiquni të shihni nga dritarja. Kjo mund të ndihmojë në reduktimin e të përzierave pasi informacioni vizual përputhet më mirë me informacionin e ekuilibrit në veshin tonë të brendshëm.

    Po ashtu mos hani shumë para udhëtimit, ajroseni automjetin dhe ndaloni rregullisht sa herë që është e mundur. Nëse këto këshilla nuk mjaftojnë, mund t’iu ndihmojë përdorimi i ilaçeve. Ato zvogëlojnë aktivitetin në sistemin e ekuilibrit të trurit ose zvogëlojnë numrin e sinjaleve që truri dërgon tek zorrët, gjë që mund të ndihmojë në ndalimin e të përzierave dhe të vjellave.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit