14.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Pse dorëheqja e proklamuar e Lulzim Bashës nuk e zgjidh konfliktin në PD?

    Kur Lulzim Basha shpalli dorëheqjen para anëtarëve të kryesisë, kolegjit të kryetarëve (shumicën e të cilëve i ka emëruar vetë) dhe grupit parlamentar të përgjysmuar, Luan Baçi, ish-kryetar i PD-së së Fierit që mbështet Berishën, komentonte në Skype për A2CNN se po prekte çdo pëllëmbë të Fierit për të riorganizuar partinë në atë degë.

    Komisioni  i Rithemelimit ka shpallur disa afate dhe deri më 3 Prill duhet të zyrtarizohen kandidatët për kryetar dege, një jave më pas duhet të zgjidhen.

    Ndërsa politika e Tiranës ziente për dorëheqjen e pritshme të Bashës, Komisioni i Rithemelimit në anën tjetër vijonte punën në terren.

    Datat janë të qarta për të riorganizuar partinë nga baza për të kulmuar në qendër me Kuvendin e 30  Prillit.

    Lulzim Basha në anën tjetër mbajti një deklaratë të thatë me shumë nënkuptime për dorëheqjen e tij.

    Ai nuk i dha përgjigje as pyetjes kryesore të një prej anëtarëve të kryesisë Roland Bejko nëse dorëheqja e tij ishte e parevokueshme.

    Ajo që Basha bëri mbasditen e të hënës ishte shumë e qartë.

    Ai i la stafetën Alibeajt, njeriut më të besuar të tij, të lexonte një deklaratë të parapërgatitur, që më pas u servir si vendim i grupit (edhe pse grupi nuk e ka kompetence statutore) se për procesin në vijim Berisha nuk duhej bërë pjesë, dhe mbi të gjitha që zgjedhjet për kryetarin të mbaheshin pas zgjedhjeve të 2023-it.

    Që me logjikën e Bashës, PD-ja duhet të shkojë në zgjedhjet më të para me Alibeajn e komanduar dhe vetëm pas lokaleve të 2023-it (ku Basha do të dilte i “larë” nga përgjegjësitë për rezultatin e PD-së), ai do t’i linte vetes derën e hapur për tu rifutur në garë.

    Një skemë kjo që u kuptua fort mirë nga pala tjetër, ajo e Komisionit të Rithemelimit ku anëtarë të saj nga përshëndetja për dorëheqjen e Bashës kaluan në pozicionin fillestar se dorëheqja e tij nuk kish kuptim me argumentin se ai ishte ‘shkarkuar nga Kuvendi i 8 dhjetorit’.

    Emisionet e mbrëmjes të së henës u mbushën me deklarata të tipit që Basha dhe gjithë të tjerët e mbetur në PD ishin të ftuar të merrnin pjesë në zgjedhjet që po organizonte ajo “PD e vërtetë” që kulmojnë me Kuvendin e 30 Prillit të thirrur nga Berisha.

    Ata nuk njohin asnjë vendim të Bashës duke filluar nga përjashtimi i Berishës dhe disa deputetëve të tjerë dhe nuk komentuan as ftesën e drunjtë të Alibeajt për deputetët e “pezulluar” që të merrnin pjesë në procesin që do të hapte pala zyrtare.

    Deputetë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit u pozicionuan në llogoren e tyre, kur thanë se po merren me organizimin e partisë, aty ku ishte e ftuar edhe “pakica” e drejtuar nga Basha.

    Në anën tjetër, Basha, me largimin pompoz nga mbledhja e grupit për të shkuar tek një darkë me kryetarët (që u hatërmbetën nga dorëheqja e tij) ka lënë pezull procesin që do të drejtohet nga kryetari i komanduar me vrik Enkelejd Alibeaj, i kudogjenduri i tij edhe me nja shtatë detyra të tjera mbi supe, për ta çuar PD-në në zgjedhjet e ardhshme lokale pa kryetar dhe pa organe drejtuese.

    Nga dje sot, nuk ndryshoi asgjë në thelb, përveçse “një hapi pas” të Bashës.

    Dorëheqja e tij nuk zgjidhi asgjë. Përkundrazi…Veçse nxori në pah atë që të dy palët në konflikt kanë synim të bëjnë në të ardhmen…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit