6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Pse i duam pushimet në Vlorë!

    Nga Malvina Tare

    Gushti në Vlorë është rrëmuja më e bukur që të zënë sytë në këtë qytet. Njerëz, shqiptarë e të huaj, e sidomos turistët nga anë e kënd botës që flasin gjuhë të huaja të dëgjuara e të padëgjuara. Shijojnë plazhin, detin, diellin. Qëndrojnë me pamje nga rrezet, sikur e falenderojnë natyrën për këtë vend që ju ofron det kristal dhe ajër.

    Më në fund këta turistë ia dolë të zbusin pak gjuhën e vlonjatëve që punojnë prej vitesh në turizëm, ia dolën me sjelljen e tyre të mësojnë një qytet të gjithë si të sillet me detin dhe të ndryshojë faqen e historisë për detin e Vlorës, të cilit deri para disa vitesh i afroheshim me frikë e tmerr edhe në verë, nga ngjarjet e kobshme të gomoneve.

    Ia dolën të huajt, me kuriozitetin e tyre, civilizimin, dashurinë për natyrën, respektin për të ndryshmin, të ndryshojnë edhe atë se çfarë shfaq motori më i madh i kërkimit GOOGLE, tani Vlora të shfaqet si vendi në top listën e Booking.com, faqes më të madhe në botë të rezervimit të pushimeve.

    Shumë thonë se viti i kaluar pati më shumë turistë se këtë vit, e megjithatë ka disa njerëz që janë kthyer e banojnë në Vlorë dimër e verë, e nuk ngopen me të vetëm si pushues.
    Motra ime dhe bashkëshorti i saj gjerman gjejnë patjetër hapësirën mes pushimeve për të kaluar disa ditë në Vlorë. Megjithëse jemi shumë larg standardeve gjermane, sërish ata i tërheq ajo ndjesia, adrenalina e pishinave në breg të detit, me pamje spektakolare dhe ushqime deti. Ata kalojnë çaste të adhurueshme në lindje e perëndim të bregdetit të Vlorës vetëm falë magjisë së natyrës.

    Françesko dhe Elizabeta, janë kushërinjtë e mi italianë, babai i tyre është italian dhe nëna e tyre shqiptare. Ata janë me gjak italian, por flasin shqip që të vegjël dhe janë të ushqyer me një dashuri për vendlindjen e nënës së tyre, ndoshta deri në fantazi, pushimet e çdo gushti prej vitesh ata i kalojnë në Vlorë.

    Nuk gjejnë gjithmonë atë që i kënaq, shpesh e vuajnë mungesën e ujit në apartamentin ku jetojnë ato ditë, por përsëri vijnë. Dhe nuk postojnë fatura, nuk ankohen për çmimet, vijnë e shijojnë detin e kristaltë të Vlorës me çdo kosto sepse i lidh ndjesia, përjetimi i çdo momenti në këtë qytet. Flasin me respekt e dashuri për njerëzit e këtij vendi, fiks siç duhet të jenë shqiptarët që po rriten.

    Ne duhet të jemi falenderues ndaj kujtdo që zgjedh të presë një biletë e të vij në Shqipëri, kujtdo që poston fotografi, kudo në rrjet nga vendet më piktoreske që ka Vlora. E ku ka më mirë se reklama nga vetë njerëzit.

    Kemi ende shumë punë, shumë punë për të edukuar veten, me rregullin dhe shërbimin cilësor, që të mbetemi gjithmonë të preferuarit, për “arratisjen”e radhës në pushimet e europianëve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit