Në marsin e vitit 2020, filmi “Contagion” me regji të Stiven Soderberg, ku njerëzimi përballet me një pandemi të re vdekjeprurëse, nisi të ri–shihej në mbarë botën 9 vjet pas daljes së tij për herë të parë në kinema. Covid-19 sapo kishte filluar të shfaqej anembanë botën me të gjithë furinë e tij, dhe njerëzit e mbyllur në shtëpi dukej se donin ta “shpërqendronin veten” me një film që dukej si një kopje profetike e jetës reale.
Po si shpjegohet një mazokizëm i tillë? Pse frika shkakton tek ne një magjepsje kaq magnetike? Ndoshta për shkak të llojit të kënaqësisë që marrim kur ajo zhduket, një lloj lehtësimi që mbijetuam edhe këtë herë. Por duhet të ketë më shumë sesa kaq.
Siç shkruan britanikja “The Guardian” në një artikull të kohëve të fundit, shpjegimi i parë mund të gjendet në reagimin biologjik ndaj situatave të perceptuara si të rrezikshme. Reagimi ndaj këtyre stimujve drejtohet nga amigdala, një kompleks neuronesh në formën e bajames, që ndodhen në pjesën më të brendshme të të dy lobeve të përkohshme të trurit.
Nëse amigdala percepton një kërcënim, ajo i dërgon një mesazh hipotalamusit, një strukturë e vogël në tru që nxit çlirimin e hormoneve të fuqishme të stresit. Në këto kushte, shkaktohet i ashtuquajturi reagim “lufto ose vrapo”. Adrenalina e mban trupin në një situatë vigjilente, përshpejton rrahjet e zemrës, dhe bën që më shumë gjak të mbërrijë tek muskujt, në mënyrë që të jemi gati për të vrapuar me shpejtësi.
Hormoni i kortizolit e rrit presionin e gjakut:enët përreth organeve zgjerohen, duke i furnizuar ato me oksigjen dhe lëndë ushqyese; frymëmarrja bëhet më e shpejtë dhe më shumë oksigjen arrin në tru; niveli i glukozës në gjak rritet dhe trupi mbushet me energji të veçantë.
Ky lloj reagimi është i menjëhershëm dhe shumë i shpejtë. Amigdala “vendos” se kur një stimul i jashtëm është i frikshëm, edhe para se ne të jemi të vetëdijshëm për të. Vetëm më vonë informacioni dërgohet në korteks, që është shtresa më e jashtme dhe më pak e lashtë e trurit, e lidhur me arsyetimin, kujtesën dhe vetëdijen.
Kur më në fund vendosim se rreziku ka ikur dhe se frika ishte e ekzagjeruar, ky “cunam” kimik pasohet nga çlirimi i endorfinës dhe dopaminës, hormonet e ndjenjës së mirë që na shpërblejnë me ndjenja euforie. Në rast se kimia ka sigurisht rolin e saj për të na bërë ta “vlerësojmë” frikën, ekziston edhe një aspekt edukativ dhe social, që i shndërron përvojat e tmerrshme në mundësi të dobishme për të mësuar.
Pra situata që rikrijojnë frikën në kushte të sigurta, si filma, libra dhe seriale horror. Ato janë një mënyrë për të trajnuar aftësinë tonë për të reaguar ndaj pasigurisë. Ne mund t’i konsiderojmë ato një manual udhëzimi për situatat kritike me të cilat mund të përballemi në të ardhmen.
Mark Malmdorf –Andersen, psikolog dhe studiues në Universitetin e Arhusit në Danimarkë thotë:”Ka të ngjarë që format rekreative të frikës të ndihmojnë në përmirësimin e rregullimit emocional dhe strategjive të përballimit”. Në këtë kuadër, edhe suksesi i ri i filmit “Contagion” në kohën e Covid –it, mund të shpjegohet si një strategji për të mësuar se siduhet të sillemi përballë një situatë të panjohur, dhe për ta bërë disi më të parashikueshëm kaosin absolut të realitetit aktual.
Por deri në çfarë mase funksionon kjo? A ekziston një prag ku frika e shkaktuar është e tepërt? Malmdorf–Andersen u përpoq t’i përgjigjej kësaj pyetjeje duke studiuar një grup vullnetarësh që u dërguan të vizionin një shtëpi të përndjekur nga zombit, fantazmat dhe vrasësit serialë.
Ata iu nënshtruan çdo lloj aspekti të gjërave të frikshme, nga neveria tek frika, nga sikleti tek vetmia, nga errësira te klaustrofobia, dhe duhej të tregonin se si ndiheshin gjatë gjithë përvojës. Nga dëshmitë dhe nga analiza e rrahjeve të zemrës, rezultoi se ne njerëzve na pëlqen frika, por vetëm nëse ajo nuk na largon shumë nga zona jonë e rehatisë.
Pra nëse nuk e ndryshon shumë gjendjen tonë fiziologjike. “Rezultatet e studimit tonë,sugjerojnë se mund të ekzistojnë një pikë optimale midis frikës dhe argëtimit, ku konteksti nuk është shumë i frikshëm, por jo shumë i kontrollueshëm. Atje shfaqet edhe kënaqësia më e madhe”- thekson Malmdorf–Andersen.
Ky dallim është i ndryshëm për secilin, dhe kufijtë janë shpesh të paqartë:nuk është e thënë që ajo që na argëton ne, të mos jetë tmerrshme për dikë tjetër. Dhe këto nuk janë dallime që duhen marrë lehtë, sepse frika shumë e zgjatur në kohë, mund të jetë jofunksionale dhe të shkaktojë nivele të larta të stresit, ankthit apo gjendjeve të tjera, të cilat e dobësojnë sistemin tonë imunitar.