Nga Adriatik Doçi
Paratë e përvetësuara nga drejtori i ARRSH-së Evis Berberi dhe dy shokët e tij, të arrestuar nga SPAK-u, duken si bakshish në raport me paratë publike që dyshohet se janë përvetësuar nga Spartak dhe Petrit Kovaçi, babë e bir, njëri drejtor i Ujësjellësit të falimemtuar të Durrës dhe tjetri pronar i disa kompanive private, të cilat kanë fituar dhjetëra milionë euro para publike dhe leje për hotele.
Petrit Kovaçi është babai i Spartak Kovaçit, drejtorit të Ujësjellës Kanalizime Durrës, ndërmarrje e cila ka shpallur falimentin pasi detyrimet financiare arrijnë 160 milionë euro.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Durrës është në pronësi të Bashkisë Durrës me 32 % të aksioneve dhe të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjitikës me 51 % të aksioneve.
Petrit Kovaçi është bashkëpronar me 50 % i kompanisë së ndërtimit ‘Adriatik’ me nipt J61807505I, themeluar në tetor 2004.
Në 31 tetor 2022, kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ka shpallur kompaninë e Petrit Kovaçit fituese të tenderit me vlerë 350 mijë euro, me objekt “Sistemim KUB në rrugën Taulantia”.
Diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese është 903 767 lekë, çka tregon ‘seriozitetin’ e garës.
E vetmja kompani pjesëmarrëse në garë, Beqiri shpk, është skualifikuar me pretendimin se nuk përmbushte kriteret.
Në kohën kur kompania e babait Petrit Kovaçi është shpallur fituese e tenderit nga Bashkia Durrës, i biri Spartak Kovaçi ishte drejtor i Ujësjellësit, i cili varet pjesërisht nga Bashkia Durrës.
Ky tender me vlerë simbolike është tregues i një skeme jo aq të sofistikuar ku në lojë janë dhjetëra milionë euro.
Gjatë 7 viteve të fundit, kompania ‘Adriatik’ me bashkëpronar Petrit Kovaçin ka marrë rreth 35 milionë euro tendera publikë në bashkëpunim me kompanitë Kupa, Varaku.e, Vas Construction, Kronos Konstruksion, Ed Konstruksion, 2T, Vëllezërit Hysa, Rej etj.
Një tender me vlerë rreth 19 milionë euro, kompania e Petrit Kovaçit e ka marrë pikërisht nga Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me kompanitë 2T dhe Vëllezërit Hysa, konretisht tenderin me objekt ‘Rehabilitimi i infrastrukturës së rrjetit në zonën e Porto Romanos-Kënetë dhe sistemimin e rrjetit të ujrave të shiut në zonën urbane të qytetit të Durrësit Faza I”. Kontrata është lidhur në janar 2022.
Ndërkaq, kompanitë bashkëpuntore dhe bashkëfituese në tendera me kompaninë ‘Adriatik’ të Petrit Kovaçit, kanë fituar tendera me vlerë miliona euro nga Ujësjellësi i Durrësit, me administrator Spartak Kovaçi, i biri i Petritit.
Mes të tjerave, Ed Konstruksion i katërshes Ibrahimi, ka fituar nga Ujësjellësi i Durrësit edhe tenderin me vlerë rreth 4 milionë USD, me objekt ‘Rikonstruksione në rrjetin ekzistues të qytetit të Durresit, zona 13/2 dhe ndërtimi i Depos 2/2,Loti I, Bashkia Durrës’.
Ndërkaq, 2T dhe Kupa, ortake të kompanisë së babait të Spartak Kovaçit, kanë marrë mbi 10 milionë euro tendera nga Ujësjellësi Durrës me në krye Spartak Kovaçin.
Përpos kësaj, ka dyshime të forta se këto kompani, pasi kanë marrë tendera nga Spartak Kovaçi, i kanë kaluar një pjesë të parave drejt kompanisë së Petrit Kovaçit, i cili është babai i drejtorit Spartak Kovaçi.
Por, kjo mbetet për t’u verifikuar nga SPAK, strukturë e cila ka akses në transaksionet bankare, letrat e nënkontraktive dhe librat e shitjes dhe blerjeve të kompanive.
Një hotel në sfond
Paratë e përvetësuara duket se do të shpërthejnë diku.
Në rrugën Plazh/13 në Durrës ka nisur të ndërtohet një hotel, i cili do të marrë emrin Azure Elegance Hotel, një investim disa milionë euro.
Konkretisht, në 28 shkur 2022, Petrit Kovaçi dhe kompania T.O.V 2019 themelojnë kompaninë Adriatic Union, me objekt hoteleri, turizëm etj., me kapital 100 mijë lekë.
Kompania T.O.V 2019 është themeluar në vitin 2019, me kapital 100 mijë lekë, me objekt bar, restorant etj.
Genti Klosi, një personazh pa historik biznesi, është pronar me 50 % të aksioneve i kësaj kompanie, me emër tregtar Shafran.
Çuditërisht, Genti Klosit i kanë falur edhe një restorant në Tiranë.
Genti Klosi është vëllai i Drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi, i cili është kuanti i Alda Klosit, ish zyrtares së besuar të Arben Ahmetajt, e cila kishte mbushur shtëpinë me paratë e korrupsionit me tendera dhe koncensione.
Në 29 maj 2023 mblidhet Këshilli Kombëtar i Territorit. Përpos të tjerave, në këtë mbledhje miratohet edhe leje për ndërtimin e një hoteli nga kompania Adriatic Union, me nipt M21511503C.
Sipas vendimit, hoteli Azure Elegance Hotel, një investim miliona euro, do të ndërtohet në rrugën Plazh/13 në Durrës.
Pra, dy kompani me kapital 200 mijë lekë do të ndërtojnë një hotel me vlerë miliona euro!
A bazohet investimi në para të ligjshme, që do të thotë në kursime, ndarje dividenti, kredi etj?
A po ndërtohet ky hotel me paratë e tenderave?
Përgjigja i takon SPAK-ut, i cili i ka bllokuar disa javë më parë telefonin dhe kompjuterin Spartak Kovaçit.