Pedagogia Engjëllushe Zenelaj, ishte personazhi i radhës në rubrikën “Jeta ime” të emisionit “Shqip”. Pedagogia ndau arsyet se përse nuk ajo vendosi të mos ikë nga Shqipëria, ndërkohë që vitet e fundit qindra-mijëra shqiptarë e kanë braktisur atdheun.
Ndërsa rrëfen jetën mes stacionit të saj të preferuar, Ballshit, Vlorës dhe Tiranës, pedagogia shprehet;
“Unë stacionin e preferuar e kam në qytetin tim të preferuar të vendlindjes në Ballsh. Ka nisur periudha e sezonit të provimeve për studentët dhe erdha në shtëpinë time, te prindërit e mi në Ballsh.
Java tjetër nis me angazhime mes Tiranës dhe Vlorës. Vazhdoj me statusin ‘emigrant i brendshëm’. Unë mendoj që mund ta duash Atdheun pa e dashur qeverinë. Mua personalisht më prevalon dashuria për Atdheun ndaj indinjatës dhe urrejtjes për qeverinë dhe qeveritarët, të cilët krijojnë sisteme të kapura si produkt i qeverisjes së tyre, që janë larg së vërtetës dhe larg zhvillimit real, të prekshëm dhe të mundshëm.
Kjo boshatisja e Shqipërisë, është produkt i gjithçkaje të akumuluar vit pas viti sidomos pas demokracisë dhe deri me sot.
Ne nuk jemi të pagabueshëm, por jo të papërmirësueshëm. Njeriu çdo ditë duhet të përmirësohet dhe të bëhet varianti më i mirë i vetes. Unë them të kualifikohem, të marr dije jashtë, por nuk ka sens nëse nuk kthehem dhe nuk jap kontributin në vendin tim.
Siç e thashë, e dua vendin tim dhe dashuria për Atdheun më prevalon ndaj çdo urrejtje që mund të kem ndaj çdo qeveritari që krijon politika ose sisteme që dështojnë dhe na çojnë në këtë derexhe.
Ndaj dhe nuk hesht. Sa herë më jepet mundësia për të thënë diçka, do ta them. Pastaj kush ka vullnet dhe veshë, mund të reflektojë dhe të bëjë diçka”, tha ndër të tjera pedagogia.