15.5 C
Tirana
E mërkurë, 8 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Pse Parashqevisë iu hoq e drejta të ishte prind për djalin e saj?

    Elton Ilirjani doli sërish publikisht në emisionin “Top Story”, në Top Channel, duke folur mbi të rejat në jetën e Parashqevi Simakut, teksa në fokus ishte takimi i këngëtares me të birin, Luka. Ndërsa momenti i takimit u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale, dukej se nuk kishte mbetur shumëçka për t’u thënë e ndarë me publikun, veçse emocionet e një ritakimi mes një nëne dhe një djali.

    Por, teksa fliste, Elton Ilirjani dha dy informacione që nuk mund të kalonin pa bërë përshtypje. Fillimisht, duke folur mbi raportin mes Parashqevi Simakut dhe djalit të saj, ai bëri të ditur se pas divorcit këngëtarja kishte humbur plotësisht kujdestarinë, një vendim ky i marrë nga një gjyqtare grua në shtetin e Nju Jorkut.

    “Flas shumë vite më përpara që mori një vendim gjykata, historia e Parashqevi Simakut është shumë e madhe, do duhet shumë emisione ta sqarojmë nga fillimi deri në fund. Është e rrallë, ndoshta edhe hera e parë që një gjyqtare grua t’i heqë të drejtën e mëmësisë një gruaje dhe t’ia japë një burri”, bëri të ditur Ilirjani.

    Së dyti, ai ndau një tjetër detaj sa i përket mungesës së takimeve mes këngëtares dhe djalit të saj. Ndërsa ishte aluduar gjerësisht se ky i fundit thjesht nuk e kishte dashur një takim me të që pas divorcit të prindërve, Ilirjani zbuloi se në të vërtetë këngëtarja nuk ka humbur vetëm kujdestarinë e djalit të saj, por edhe të drejtën për ta takuar, sërish me vendim gjykate.

    “Derisa djali ka mbushur 18 vjeç ka pasur një vendim që ajo nuk duhej t’i afrohej djalit, pas moshës 18 vjeç duke pasur parasysh edhe të gjithë historikun që kishte ndodhur, furtuna, humbja e nënës për një kohë të gjatë, janë shumë faktorë që e bënin të pamundur takimin mes tyre”., shtoi Ilirjani.

    Por, në cilat raste nëna humbet plotësisht kujdestarinë e fëmijës në shtetin e Nju Jorkut

    Referuar ligjeve në fuqi, si dhe studiove ligjore në shtetin e Nju Jork, nëna mund të humbasë kujdestarinë e fëmijës në këto raste:

    Abuzimi fizik, emocional ose seksual: dështimi për të ofruar kujdes

    Abuzimi me substancat: Varësia nga droga ose alkooli që ndikon në prindërim

    Çështjet e shëndetit mendor: Sëmundje mendore e patrajtuar që ndikon në aftësinë prindërore

    Dhuna në Familje: Aktet e dhunës përballë fëmijës

    Ekspozimi i fëmijës në mjedise të rrezikshme

    Neglizhenca emocionale e fëmijës

    Veprimtaria kriminale: Përfshirja në aktivitete të paligjshme që rrezikojnë fëmijën

    Rasti i Parashqevi Simakut, e cila ka humbur plotësisht kujdestarinë e djalit me vendimin e dhënë nga një gjyqtare grua, duhet thënë se është i rrallë, sipas statistikave në shtetin e Nju Jorkut.

    Ndërsa statistikat specifike mbi përqindjen e baballarëve që u është dhënë kujdestaria e plotë në Nju Jork janë të kufizuara, të dhënat kombëtare tregojnë se baballarët kujdestarë përbënin 20% të rasteve të divorcit në vitin 2018, nga 16% në 1994.

    Parashqevi Simaku humbet të drejtën për të takuar djalin e saj

    Këngëtarja jo vetëm që ka humbur kujdestarinë e plotë të djalit, por sipas Elton Ilirjanit, ka ekzistuar një vendim gjykate që e ndalonte ta takonte të birin derisa ky i fundit të mbushte 18 vjeç.

    “Derisa djali ka mbushur 18 vjeç ka pasur një vendim që ajo nuk duhej t’i afrohej djalit, pas moshës 18 vjeç duke pasur parasysh edhe të gjithë historikun që kishte ndodhur, furtuna, humbja e nënës për një kohë të gjatë, janë shumë faktorë që e bënin të pamundur takimin mes tyre”., tha ai.

    Megjithatë djali i saj, tanimë 20 vjeç, zgjodhi ta takonte pas shumë peripecive dhe momenti bëri “xhiron e rrjetit”.

    Por, në cilat raste nëna nuk lejohet të takojë fëmijën sipas ligjeve në shtetin e Nju Jorkut

    Sërish, referuar ligjeve në këtë shtet apo studiove ligjore, ky vendim merret në rastet ku nëna ka varësi nga alkooli apo lëndët narkotike, është e dhunshme, vuan nga probleme të patrajtuara të shëndetit mendor dhe përbën rrezik për fëmijën.

    Por sipas ligjit edhe në të tilla raste vizita mund të realizohet nën monitorimin e ekspertëve apo në një vend neutral me palë të treta të përfshira, duke u siguruar që fëmija nuk cënohet.

    “Nëse gjykata beson se aftësitë tuaja prindërore mungojnë ose nëse ka ndonjë arsye tjetër për shqetësim, gjykata mund të caktojë një profesionist të shëndetit mendor për të mbikëqyrur vizitën tuaj për t’ju monitoruar dhe për t’ju ndihmuar të përmirësoni aftësitë tuaja prindërore.”

    Vizitat mund të mohohen në çdo formë, vend e rrethanë, vetëm nëse prindi përbën rrezik ekstrem.

    “Në raste shumë ekstreme, kur gjykata beson se ju jeni një rrezik për fëmijën tuaj, gjykata mund ta refuzojë fare vizitën.”, thuhet në ligjin e shtetit të Nju Jorkut.

    Parashqevi Simaku, rrezik për djalin e saj?

    Siç cituam mësipër, rastet ku nëna ndalohet të takojë djalin e saj janë ekstreme në shtetin e Nju Jorkut. Ne nuk e dimë se cilin rast ekstrem përbën këngëtarja dhe mbase as nuk duhet dhe as na takon të dimë, por Elton Ilirjani duket se diçka di, por për këtë u shpreh se i duhet një tjetër emision.

    “Unë kam informacione, kam informacione të trishta që ndoshta në një emision tjetër do t’i sqarojmë duke u përpjekur të mbrojmë edhe konfidencialitetin, do të doja të konsultohesha me të dhe me institucione të tjera për t’i ndarë.”, tha Ilirjani.

    Sa i shërbejnë opinionit publik të tilla detaje mbi jetën e Parashqevi Simakut?

    Elton Ilirjani në emisionin “Top Story”, në Top Channel, theksoi se mbase në një emision tjetër do të japë detaje mbi motivet se përse këngëtarja ka humbur të drejtën për të takuar të birin për vite me radhë. Të tilla detaje mund të “ushqejnë” kuriozitetin e publikut, por në të vërtetë nuk i shërbejnë aspak atij, ndaj një dalje e radhës publike për të folur mbi jetën familjare të këngëtares mund të mos jetë kurrsesi e nevojshme.

    Parashqevi Simaku, si çdokush tjetër, gëzon jetën private, familjare dhe publike. Raporti i saj me familjarë apo me të birin, si dhe kalvari i vuajtjeve të jetës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë tejet personale dhe për këtë nuk i detyrohet t’i shpjegohet askujt.

    Parashqevi Simaku duhet të mbahet mend si këngëtarja që publiku shqiptar e admiroi dhe shpesh herë e kujtoi me nostalgji dhe gjithçka tjetër pas “vrimës së çelësit” është aq e shenjtë dhe intime sa i takon vetëm asaj dhe asnjë deklaratë që cënon këtë nuk i shërben publikut, e aq më tepër, vetë këngëtares.

    Publiku duhet të informohet për detaje të tilla vetëm nëse interesi i tij cënohet dhe këtu mund të përfshihen skandale, afera apo të tjera elementë të jetës private të politikanëve dhe atyre që gëzojnë poste zyrtare, thënë ndryshe: Atyre që paguhen nga taksat tona.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit