24.5 C
Tirana
E martë, 22 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Pse pedagogët e meritojnë mungesën e solidaritetit dhe heshtjen rreth protestës së tyre

    Nga Edona Llukaçaj

    Ndonëse protesta e pedagogëve vijon dhe kërkesat e tyre janë mjaft të arsyeshme, vëmendja që po merr është relativisht e paktë. Gjithsesi, kjo nuk është rrjedhojë e cilësimit të pabukur “tradhtarë atdheu”, se kërkuan rritje më të madhe se 7%-i mjeran për pagat dhe standarte bashkëkohore.

    Është pasoja e pashmangshme shpërfytyrimit të figurës së pedagogut nga disa individë në mesin e tyre, përballë të cilëve ata që e merituan këtë titull heshtën fort gjatë.

    Personalisht refuzoj të besoj se rradhët e pedagogëve protestues janë të ndotura me plagjiarista e ryshfetçinj. Por jam e bindur se si ata si kolegët e tyre më të tërhequr, kanë bërë “një sy qorr e një vesh shurdh” kur ndonjë shok zyre a anëtar departamenti ka grabitur pronën intelektuale të tjetërkujt dhe ia ka “shitur” bordeve për tituj e pozicione pune të pamerituar.

    Po ashtu, kanë heshtur bezdisshëm edhe kur ndonjë gradë e merituar është shtyrë pafundësisht në kohë, se aplikuesi që përmbushte kriteret pandehte se do e merrte në bazë të tyre. Prandaj nuk e kishte bërë adetin e dorovitjes. Ose e drejta e fituar me mund thjesht i cënohej, se përbënte kërcënim për të paaftin e kolltukut.

    Pedagogët kanë pranuar pazë, si një keqe që nuk i përket, t’iu përbaltet emri e detyra edhe kur kanë dëshmuar se ndonjë koleg i babëzitur i nxirrte notat në pazar. Të larta sa trashësia e zarfave të servirur si fshehurazi, por jo aq sa mos të dihej haptazi sa e kishte çmimin një provim i caktuar.

    Nuk folën as kur partitë mbushën universitetet me militantë dijepak, çfarë duhet t’ia ketë ofenduar inteligjencën e përkushtimin.

    Nuk guxuan të shpreheshin as kur ndonjë pedagog është bërë politikan e medemek i ka përfaqesuar, duke mbrojtur e kaluar ligje absurde arsimi për hesap të kahut që i përkiste. Pak u shprehën, për shembull, edhe së fundmi kur të drejtën për t’u bërë mësues për studentët që do studiojnë në degët e përshtatshme për këtë profesion e garanton mesatarja e maturës (studimeve parauniversitare) dhe jo mesatarja e studimeve universitare.

    Paçka se lëmshi që urdhërohej i prekte ata dhe breza të tërë studentësh në vetë të parë. Paçka se u fyen sërish duke iu vënë në diskutim notën e integritetin, ata sërish nuk u ngritën në këmbë.

    Nuk u doli zëri as kur pseudo-projekte zhvillimore për arsim që mbushnin xhepat e tjetërkujt i cënuan haptazi aftësitë intelektuale, duke i sjellë turlisoj individësh, gjoja t’i trajnonin e t’iu jepnin mend.

    As kur iu kërkohej të mos bënin punën e vet, si shmangia e pashkruar e lëvrimit të çfarë ishte trashëguar nga sistemi i shkuar. Në mënyrë ironike, krejt ashtu si sistemi diktatorial pati detyruar hulumtuesit e kohës të bënin me pasurinë intelektuale e kulturore të sistemeve të mëprashme.

    Pedagogët nguruan të mbështesnin protestën e drejtë të studentëve të rropatur, ndonëse ata e dinin më mirë se kushdo si po ishte lënë pasdore e ardhmja e vendit. Nuk u solidarizuan të unifiikuar me sa a sa probleme që prekën shoqërinë ndër vite, madje as kur u mbyllën shkolla.

    Prandaj protesta tyre e drejtë, fatkeqësisht, nuk ka peshën që duhej të kishte. E do deligjitimohet më fort, nëse heshtja, që mjerisht, është kthyer në sëmundje profesionale do jetë edhe përgjigjia ndaj atyre politikanëve që duan t’ua “vjedhin” protestën, si pronën intelektuale plagjiaristët.

    Do deligjitimohet plotësisht, nëse disa syresh ua “shesin” protestën e drejtë të pedagogëve, si nota provimesh të pakaluara, kaheve të dëshpëruara politike. Nëse lejojnë të bëhen sërish “mish për top” në interes të atyre që për arsimin pak kanë bërë, por iu duhen shifra protestuesish.

    Vërtet, nëse protesta e pedagogëve kthehet në plaçkë për pazare bulevardesh dhe kërkesat e tyre këmbehen me premtime boshe, atëherë pedagogët më mirë të heshtin. Si ngahera…

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit