Pse një njeri i vetëm s’mund të na plotësojë kurrsesi?
Ekzistojnë 3 lloje vetmish dhe partneri përmbush vetëm njërin prej tyre. Ne përjetojmë dëshirën për t’u përfshirë në marrëdhënie të ngushta intime, dëshirën për miq të mirë dhe dëshirën për të qenë pjesë e një grupi/komuniteti dhe për të punuar bashkë me ta. Mungesa e secilës prej tyre është një lloj vetmie, prandaj në shumë raste ju ndiheni vetëm edhe kur në krah keni dashurinë e jetës suaj.
E vërteta është se për t’u ndjerë të përmbushur kemi nevojë për një komunitet të tërë dhe për një lidhje romantike të shëndetshme, të gjithëve na duhet prezenca e shoqërisë.
Po pse janë kaq të rëndësishëm miqtë që romanca jonë të funksionojë?
Që ne të funksionojmë duhet të ndihemi të lidhur me njëri-tjetrin: kur jemi të shkëputur, sipas studimeve pasojat do t’i shohim tek cilësia e gjumit, shëndeti fizik dhe ai mendor.
Nëse ne mbështetemi vetëm tek një partner, atëherë shëndeti i asaj marrëdhënieje përcakton në mënyrë disproporcionale shëndetin tonë. Luhatjet normale në atë marrëdhënie, pra, mund të jenë shkatërruese. Për shembull, një studim zbuloi se njerëzit që duronin konfliktin martesor çlironin hormonet e stresit në një nivel jo të zakonshëm, me përjashtim të atyre që kishin raporte cilësore jashtë martese.
Kur ndihemi të shkëputur në një marrëdhënie, natyrshëm kërkojmë të ruajmë përkatësinë duke e kërkuar në një tjetër raport. Sipas ekspertëve, “ndjesitë që vijnë nga raportet shoqërore mund të kompesojnë luhatjet e ndjenjave apo problemet që vijnë nga lidhja romantike”.
Të kesh miq të bën të qëndrueshëm ndaj stresit martesor, sepse marrëdhëniet tona të tjera na ndihmojnë të ruajmë homeostazën. Kur tregohemi emocionalisht të qëndrueshëm ndaj grindjeve me bashkëshortin, jo vetëm i sjellim përfitime vetes, por njëkohësisht bashkëshortit dhe raportit në çift.
Nëse miqtë i bëjnë të lumtur bashkëshortët tanë, lumturia e tyre do të jetë e dobishme edhe për ne. Thënë këtë, sa më shumë njerëzit ndërveprojnë me miqtë, aq më të ulta janë shanset për të përjetuar depresion, jo vetëm ata, por edhe partnerët e tyre.