Ligji nr. 43/2020 “Për aktivitetet e turizmit detar” u miratua më 23 Prill 2020, në kulmin e pandemisë. U miratua në kuadër të pritjes për hapjen e negociatave me BE, por edhe pas dy viteve, kur negociatat u hapën, askush nuk u kujdes të miratonte aktet nënligjore, që do i shërbenin vetë jetës, jo thjesht bregdetit.
Tragjedia u përsërit! “Shockim” kolektiv. Por dikush duhet t’i largohet pak emocionit dhe t’i afrohet ligjit: Tek dispozitat e fundit të ligjit nr. 43/2020, që cituam më sipër është Neni 26 për “Aktet nënligjore”. Ky nen ngarkon Këshillin e Ministrave dhe ministrin përgjegjës për turizmin, që të nxjerrin brenda 6 muajve një sërë aktesh për zbatimin e tij.
Por megjithëse 6 muajt e vitit 2020 kanë kaluar me kohë, ende Këshilli i Ministrave nuk ka nxjerrë asnjë rregullore apo udhëzues, që parashikon rregullat e hollësishme si zhvillohen aktivitetet: lundrimi për zbavitje, peshkimi nën ujë, zhytja çlodhëse, kitesurfing, windsurf, ski në ujë, wakeboard dhe motor uji. Asnjë!
Neni 21 i ligjit detyronte gjithashtu vendosjen e “Stacioneve sezonale të ankorimit/bregëzimit”. Po të ishin këto “stacione”, edhe diskutimi i jurist-penalistëve sot, mbi kualifikimin e veprës penale; nëse ishte vrasje me dashje direkte apo indirekte, vrasje nga pakujdesia me vetëbesim apo neglizhencë me parashikim, do ishte shmangur. Do ishte krejt e qartë situata juridike. Ashtu si mund të futet një i çmendur në pedonalen e Tiranës apo qyteteve të tjera me makinë, motor apo kamion; ashtu do ishte edhe futja me skaf, gomone apo motor uji, në bregun e çadrave plot me pushues dhe vogëlushë që luajnë.
Është dhe një tjetër ligj që Këshilli i Ministrave e la “në harresë”. Në datën 15 Tetor 2020 u miratua Ligji nr. 127/2020 “Për regjistrimin, mënyrën e përdorimit dhe kontrollin e mjeteve lundruese turistike dhe të argëtimit”.
Me këtë ligj ju avitëm Evropës, pasi u vetëharmonizuam me legjislacionin e tyre mot a mot; konkretisht me Konventën Ndërkombëtare “Për sigurinë e jetës në det” (SOLAS). Por ky ligj kërkon që të bëhet “Regjistrimi elektronik i mjeteve lundruese” dhe “Sistemi elektronik për monitorimin e tyre”.
I cili nuk u bë kurrë! Sa para kushton të regjistrohen elektronikisht në një sistem 100-200 apo 1000 skafe dhe 1000 motorra uji?! Po monitorimi, kaq i vështirë është të bëhet?!
Nuk u bë sepse të gjitha mjetet lundruese të kënaqësisë dhe ato turistike do duhet të njoftojnë nisjen dhe mbërritjen e tyre. Duhet të njoftojnë për hyrjen dhe daljen, apo lëvizjen në hapësirën detare të Republikës së Shqipërisë.
Duhet të regjistrohen në sistemin e posaçëm elektronik dhe njoftimi për çdo lëvizje do duhet të jetë i rreptë, aq sa do përfshijë: Emrin e mjetit, Numrin e Regjistrimit; Emrin e pronarit/Drejtuesit të mjetit; Orën e përafërt të nisjes/mbërritjes; Destinacionin; Numrin dhe gjeneralitetet e personave në bord. Shkurt, do ndërpritej Tallavaja kolektive e derisotme me gomone, skafe, motobarka apo “jahte” nga Adriatiku në Jon.
Sipas këtij ligji, Regjistri Elektronik i Mjeteve Lundruese do të vendosej në funksion nga data 1 janar 2022.
I vetmi akt nënligjor që doli në dy vjet është Udhëzimi nr. 2, datë 5.5.2021 “Për kriteret e kualifikimit dhe kategoritë e drejtimit të mjeteve lundruese”, ku përcaktohen kategoritë e dëshmive të aftësisë, shkurt patentat për ujë; qendrat e trajnimit; trajnerët për teorinë dhe praktikën, që natyrisht duhet të jenë në fushën e detarisë dhe jo të pikturës. Por edhe ky akt nuk ka prodhuar asgjë…veç ngjarjes së tmerrshme në Himarë!
Në fund, të gjithë të dëshpëruar mallkojmë dhe nuk gjejmë dot fajtorin… ose e tregojmë me gisht, por nuk e ngarkojmë dot se sa KG faj ka. Është e thjeshtë, nëse lexojmë ligjet më poshtë, do ta kuptojmë:
https://qbz.gov.al/share/yDTo3jGHRvqB6z8a15kxbA
https://qbz.gov.al/share/JE5HJwhhRNGmIQp8BapWpg
http://dpdetare.gov.al/wp-content/uploads/2021/06/UDHEZIM.pdf
Duhet ta lexojë edhe Ministria e Drejtësisë, me gjithë sektorin e Kodifikimit brenda: Të kuptojë që një ligj nuk miratohet për t’u mbajtur në sirtar dhe të nxirret sa herë vjen bota dhe na kërkon “përafrimin”.
Një ligj bëhet për t’i shërbyer jetës dhe jo vdekjes, pasi tek këto të dyja nuk vlejnë afatet prekluzive, por vetëm respektimi rigoroz i afateve që shënojnë ligjet.