Poetja Mimoza Ahmeti është dënuar me 40 orë pune publike për shkak të ndërtimit pa leje të një objekti 2 katësh në fshatin Petrelë.
Report Tv ka siguruar dokumentin e prokurorisë që tregon se më shumë se një vit më parë, më 23.09.2021 u mor njoftim se po kryhej ndërtim pa leje.
Pasi policia ka shkuar në fshatin Petrelë, është konstatuar një objekt i papërfunduar, dy katësh me kolona betoni ndërsa në atë moment nuk po kryheshin punime ndërtimi.
Report Tv ka siguruar edhe fotografinë e objektin që po ndërtohej. Pas hetimeve, në kërkesën që prokuroria i dërgoi gjykatës thuhet se objekti i përkiste Mimoza Ahmetit.
Por poetja ka deklaruar se punimet janë kryer në vendin e shtëpisë së saj ekzistuese që u shemb nga tërmeti. Ajo pretendonte se kishte marrë lejen e rindërtimit dhe punimet ishin kryer nga muaji maj i vitit 2021.
Por në përgjigje të prokurorisë, Drejtoria e Përgjithshme e Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit pranë Bashkisë Tiranë informon se ‘nga verifikimi i sistemit elektronik e-lejet konstatohet se nuk ka aplikim për leje ndërtimi, rindërtimi apo rikonstruksioni dhe riparimi të ndërtesës së dëmtuar nga fatkeqësia natyrore’.
Ahmeti u bë kështu rasti i dytë i personazheve të njohur që dënohet për ndërtim pa leje pas këngëtarit Bojken Lako.
Për këtë reagoi edhe kryeministri Edi Rama.
Ai akuzoi Prokurorinë e Tiranës se po godet më të dobëtit, ndërsa po favorizon oligarkët e ndërtimeve pa leje dhe lë të patrazuara dosjet me evazion dhe fitim miliona dollarë.
“Pas një këngëtari ja edhe një poete, që dënohet me zell nga pikërisht Prokuroria e Tiranës, ku dosjet e denoncimeve nga organet shtetërore për ndërtime të paligjshme për qëllim fitimi apo për evazion fiskal me miliona USD dhe për pastrim të miliona USD, flenë të patrazuara!
Patjetër që çdo ndërtim pa leje është i dënueshëm me ligj, po zelli milimetrik në dënimin e atyre që e shkelin ligjin në pronën e tyre të bën për të vjellë përballë mosveprimit sistematik të Prokurorisë së Tiranës ndaj atyre që për qëllime fitimi bëjnë shkelje kilometrike”- shkruan Rama.