23.5 C
Tirana
E martë, 19 Gusht, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Publikohet teksti i plotë i “letrës së Nesti Angonit” për Erion Veliajn, që solli nisjen e hetimeve ndaj tij

    Në kërkesën e tij drejtuar Gjykatës për zhvlërësimin e akteve hetimore, Erion Veliaj ka publikuar të plotë tekstin që personi anonim “Nesti Angoni” – i cili u vërtetua se nuk ekziston – i ka dërguar SPAK-ut, dhe mbi bazën e të cilit janë nisur veprimet hetimore ndaj tij.

    Është deklaruar se denoncimi është 92 faqe, por në fakt, teksti përmban vetëm këtë material:

    “Të nderuar,

    Jam një qytetar i Tiranës që dua t’ju vë në dijeni të disa fakteve që i shoh si kompromentuese për kryetarin e Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, dhe marrëdhëniet e tij me pronarin e shoqërisë Agikons, Genti Sula.

    Kur Erion Veliaj u bë ministër, mori një banesë në bllokun Kodra e Diellit në pronësi të Genti Sulës, dhe gruaja e tij u bë zëvendësministre te Ministria e Punës (kjo banesë më vonë është shtuar me një kat dhe me ashensor të veçantë). Që nga ajo kohë, marrëdhënia e të dyve është e pandarë.

    Shoqëria Agikons, me pronar Genti Sulën, ka ‘fituar’ një pafundësi ndërtimesh në Tiranë: shkolla te ish-sheshi Shqiponja, Parku Rinia, godina e Operës, Materniteti, spitali i ri, godina pranë Universitetit Bujqësor dhe tani flitet edhe për Teatrin Kombëtar.

    Nuk mund të them se si janë fituar kontratat për këto ndërtime…

    Sot, Erion Veliaj ka në pronësi 3 vila në fshatin rezidencial në Qerret, Kavajë, të ndërtuara nga Agikons-i i Genti Sulës. Një vilë e posedon i vëllai i tij, një vetë Erion Veliaj dhe të dyja janë të rikonstruktuara; e treta është rrafshuar. Këto vila kanë një vlerë tregu (së bashku me rikonstruksionin) që shkon rreth 500 mijë euro.

    Vila e tretë është rrafshuar për të krijuar më shumë hapësirë – pra, është hedhur në plehra një investim prej 500 mijë eurosh. Për prishjen e saj kanë punuar makineritë e Ujësjellësit të Kavajës. A ka një leje për këtë prishje? Apo ndonjë faturë për punimet?

    Të gjitha këto ngrenë pyetjen: Ku i gjeti paratë Erioni? A ka dokumenta të blerjeve, pagesave bankare, apo pronësia ka mbetur formalisht te ndërtuesi?

    Këto janë disa probleme që mendoj se tregojnë shumë.

    Uroj të kem dhënë një informacion të vlefshëm në luftën kundër korrupsionit.

    Nesti Angoni”

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit