20.5 C
Tirana
E premte, 11 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Puna!

    Nga Edison Ypi

    Në vendin ku të shurdhonin planet, afatet, zotimet, premtimet, dhe të qorronin pankartat gjigande me puntorë pararojë, heronjtë e punës socialiste, kronikat, kooperativat, fushat, plugjet, traktorat, po të punoje të cilësonin “qen i punës”, po të mos punoje të burgosnin “për parazitizëm”. E vetmja rrugëdalje nga kjo dilemë që zbatohej në masë, ishte të punoje pak dhe keq.

    Aq pak dhe aq keq sa të ishte e mundur. Deri te një prag, pas të cilit çfaqej rreziku me të transferu nga burgu i madh Shqipëri rrethuar me tela me gjëmba, në burgun e vogël në Spaç me tela me gjëmba, plus karakolla.

    Kongreset e zhurmshme, plenumet e heshtur, mbledhjet nëpër ndërmarrje që ulurinin për punën, nuk arritën kurrë në asnjë vesh, nuk bën kurrë asnjë efekt.

    Sa më tepër punë, aq më i madh rreziku të bije në sy dhe t’i bëje hije dikujt që betohej se do ta bënte, dhe ta bënte, gjëmën.

    Punë quhej vetëm “puna e krahut”, ajo që kryhej me muskuj, me gjymtyrë, këmbë e duar, ajo që të lodhte, si mekanik, marangoz, bujk, etj. Puna e mendjes, puna intelektuale, nuk ekzistonte. Për lodhjen e mendjes s’bëhej fjalë. Aq e vërtetë është kjo, sa “Punë e mbarë” përshëndetnin vetëm ata që punonin me krahë. Kurrë ata që punonin në zyrë.

    “Punë dreqi”, “Punë muti” e kishin në majë të gjuhës për të gjitha punët dhe punëdashësit.
    “Punë e madhe” se X punë u bë keq, a s’u bë fare, ironizonin punën e pamjaftueshme për shumçka që s’ndryshonte asgjë edhe nëse bëhej edhe nëse s’bëhej. Pasi i shembën kishat e xhamiat dhe masakruan priftërinj e hoxhallarë, thoshin: Po të ishte e mirë puna, do punonte edhe prifti dhe hoxha. Filani e vë punën përpara, ishte e vërtetë. Muhameti nga Laskoviku dhe Kristi nga Puka e vinin punën përpara, dhe vetë mbeteshin mbrapa.

    Pëshpërinin me njëri-tjetrin:

    Ata bëjn sikur më paguajnë, unë bëj sikur punoj.
    Ose: Punoj aq sa më paguajnë.

    “Puna me njerzit” demek edukimi i njerzve, ishte një dërdëllitja propagandistike orwelliane e neveritshme.

    Ku kishte vetëm zhele dhe vërdallosje, thoshin: mos i shiko gunën por punën.

    “Rroba pune” quheshin ca rrecka doku që kishin qënë nja tre a katër muaj të reja, por pas dhjetë vjetësh ende në trup mbuluar nga pisllëku s’kishte ku i kapte qeni. Një gajasje më vete ishte “Pushim nga puna”. Dukej sikur çoç do ndodhte. Por ishte vetëm kërcënim.

    Partia e Punës nuk të linte kurrë pa punë. Në mos në ofiçinën e pisët, në minierën e tmerrit ku sëmureshe dhe vdisje për pak vite. Përveç “shok shkolle”, “shok ushtrie”, “shok zborri”, mund të kishe edhe “shok pune” që mund ta qerasje me ndonjë teke te klubi i lagjes nga frika mos të spiunonte.

    Ishin aq të fiksuar pas punës inekzistente sa për çdolloj gjëje që nuk u përkiste thoshin “s’është puna ime”.

    Talleshin hokatarët me “orarin e punës”: Vërtet vij vonë në punë, por të paktën iki herët.

    Ose me sloganin e kohës së punës “Ta shfrytëzojmë 8 orshin”, për të cilin thoshin:

    Orpo ne 8 orshin e shfrytëzojmë e kusur s’i lemë. “Puna” është të na shfrytëzojë 8 orshi ne.

    Partia e Punës nxirrte gazetën “Puna”, një llomotitje grafologjike e pështirë që me punën s’kishte asnjë lidhje.

    “Puna vullnetare” zakonisht të dielave ishte një yxhym nëpër ara ku korrrej gruri për të mbledhur kallëzat e mbetura, ose për të vaditur e prashitur ullinjtë andej nga Baldushku. Të mos shkoje në “Punë vullnetare” të hiqnin ditën e punës së nesërme, të hënës, kur në punë do shkoje, por paret nuk do i merrje.

    “Puna fizike” ishte 1 muaj në vit për nëpunsat e zyrave që shkonin te ca ara në periferi të qytetit ku, në vend të pastronin kanalet ujitëse si qe’ llafi, shulloheshin në diell dhe ja kërrcisnin muhabetit.

    “Dita e punës” së kooperativës ishte një vlerë monetare rrënqethëse e krahasueshme me vendet e urisë në Afrikë. Shkonte edhe 18 lekë të vjetra për 1 ditë pune, sa një paketë cigare Partizani pa filtër. Filani e “Zvarrit punën” e paraqiste punën si një qen të ngordhur që duhet hedhur tutje.

    “Lavdi punës”, ishte slogan i rrallë. Pas sloganeve për partinë, bukën, rrethimin, vigjilencën, puna dhe lavdia e saj, si të parëndësishëm, ishin të fundit.”Punë me spec”. Kur taksiratet shtoheshin, burgu dukej afër. Spiuni kishte bërë punën e vet.

    “Punim shkencor”, punë bythpambukësh që mbahen për të squtë por duhen vrarë të gjithë si të padobishëm.

    “Populli puntor dhe liridashës” ishte po ky popull që është sot, i cili, përveçse puntor dhe liridashës, është bërë edhe llapaqen, zjarrvënës, hajdut, drogaxhi, trafikant që shet motrën, kriminel që vret gruan.

    “Puna ime, “puna jote”, “puna këtij”, “puna e atij”, ishin dëngla për “me u gjet Kola në punë”.

    “Puna heroike e klasës tonë punëtore për ndërtimin e veprave të pesë vjeçarëve…” ishin halucinacione donkishoteske për me mbajt veten me gajret nga tmerri dhe turpi për malet e hekurishtave që sillnin këtu Rusia dhe Kina.

    Me rendiment zero sepse punë minus infinit, në Shqipërinë e Diktaturës punohej aq sa punon një i dënuar me vdekje në burg.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit