5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Punonjës të pakënaqur, kolegë “toksikë”, kosto e papërballueshme jetese, plane për emigrim

    Blerina Hoxha

    Shumica e atyre që kanë diploma pasuniversitare dhe një punë që konsiderohet e mirë për tregun tonë nuk janë të kënaqur me nivelin e pagës, komunikimin me drejtuesit dhe kolegët dhe përgjithësisht me mënyrën se si zbatohet Kodi i Punës.

    Një sondazh i “Monitor”, që nisi më 22 tetor të këtij viti dhe zgjati rreth një muaj, ku u intervistuan 533 persona, 95% e të cilëve kishin një ose më shumë diploma të arsimit të lartë, shfaqën nivel të lartë të pakënaqësisë në punë.

    Sondazhi u zhvillua online, nëpërmjet platformës ECR (Engaged Citizens Reporting – Angazhimi i qytetarëve në raportim). Kampioni është rastësor dhe nuk përbën gjetje shkencore.

    Nga 518 të anketuar që ishin në marrëdhënie pune kur u krye anketa, 27.4% ishin të pakënaqur me nivelin e pagës, 21.6% ishin të kënaqur dhe vetëm 7.3% ishin shumë të kënaqur.

    Gati gjysma, 49%, pohuan se nuk marrin asnjë përfitim tjetër përveç pagës.

    Gjetjet tregojnë nivele të larta të shqetësimit në ndërveprimin me kolegët dhe drejtuesit. Shqetësimi i dytë më i rëndësishëm ishte “stabiliteti dhe siguria në vendin e punës” dhe shqetësimi i tretë më i rëndësishëm ishin “kushtet e këqija të punës, si zyra dhe mjete pune të papërshtatshme”.

    Për një të katërtën e të punësuarve me arsim të lartë, shqetësim ishte mungesa e një balance punë – jetë.

    Për pjesën dërrmuese të të punësuarve, sfidat me të cilat përballen janë mungesa e meritokracisë, niveli i lartë i korrupsionit, informaliteti etj.

    Më shumë se gjysma e të anketuarve kanë njohuri të kufizuara mbi të drejtat dhe politikën e pagave në kompanitë e tyre. 86% e tyre pohuan se nuk do të ndryshonin vendin e punës, nëse aplikohet rritje page dhe përmirësohen kushtet e punës.

    Pothuajse të gjithë të punësuarit në sektorin privat kërkojnë indeksim të përvitshëm të pagës me inflacionin. Shumica pohojnë se në tre vitet e fundit, çmimet janë rritur me ritme të larta dhe pagat nuk janë rritur aspak ose fare pak.

    Shumica e të anketuarve janë ekspertë të nivelit të lartë dhe sugjeruan si përmirësim zbatimin e Kodit të Punës, një lidhje më të mirë të arsimit të lartë me tregun e punës dhe gjithashtu orientimin e ekonomisë drejt sektorëve produktivë. Shumë prej tyre thanë se qeveria duhet të rrisë më shumë përpjekjet për të tërhequr investime të huaja në sektorë produktivë, pasi ata krijojnë vende pune të mirëpaguara.

    Një shumicë e të punësuarve, mbi 60%, pohuan se ju paguhen pushimet dhe kanë sigurim shëndetësor.

    Më shumë se gjysma, 57%, kanë 20 ditë pushime të paguara në vit, 17% pohuan se kanë 10-15 ditë dhe 6%, 5-10 ditë.

    73% e pjesëmarrësve në sondazh ishin të punësuar në sektorin privat, 17% në sektorin publik, 4% të vetëpunësuar dhe 6% në shoqërinë civile. Rreth 65% e pjesëmarrësve ishin femra.

    Pagat, të pamjaftueshme për kostot e jetesës

    “Paga nuk mjafton aspak. Kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm, veçanërisht qiratë që janë bërë të papërballueshme për nivelin e pagave. Shpenzimet bazë për ushqim dhe transport lënë shumë pak hapësirë për një standard jetese të qëndrueshëm”, tha një punonjës nën 29 vjeç, i angazhuar në tregun e pasurive të paluajtshme që paguhet në intervalin 95.001 – 120.000 lekë.

    Nga 518 të anketuar që ishin në marrëdhënie pune 27.4% ishin të pakënaqur me nivelin e pagës; 21% kishin qëndrim neutral; 21.6% ishin të kënaqur; 22.4% ishin pak të kënaqur dhe vetëm 7.3% ishin shumë të kënaqur.

    Pothuajse 76% e të anketuarve janë në kulmin e produktivitetit, teksa i përkasin grup moshës 30-49 vjeç.

    “60 mijë lekë është pagë e pamjaftueshme për të jetuar normalisht. Ushqimet, mishi, bulmeti, detergjentët janë rritur 100% krahasuar me 3-4 vite më parë, paga nuk ka lëvizur”, – tha një ekspert IT në sektorin privat.

    Një punonjëse në media komentoi se “me pagën mesatare bruto në vend, mund të blihen vetëm gjërat e nevojshme. Kostot e tjera, si udhëtimet, kujdesi personal, veshja, apo edhe artikujt e tjerë që nuk janë thelbësorë, shpesh nuk janë të mjaftueshme”.

    Të anketuarit mendojnë se paga minimale duhet të jetë 60 mijë lekë dhe se paga e dinjitetit rreth 3000 euro.

    Pothuajse të gjithë të anketuarit pohojnë se në dekadën e fundit, kostot e jetesës janë rritur shumë më shpejt se pagat. Ankesat më të larta janë ndaj rritjes së qirave, të cilat po rrisin peshën e tyre në shpenzimet totale. Çmimet e ushqimeve dhe detergjentëve gjithashtu vlerësohen shumë të larta.

    Kampioni që iu përgjigj sondazhit të “Monitor” përfaqëson persona në kategorinë e lartë të pagave dhe në profesione të mirëpaguara. Disa prej tyre kanë komentuar se, mbi 70% e pagës së tyre mujore shkon për të përballuar përditshmërinë.

    “Kostot në Shqipëri janë pothuajse të njëjta me çdo vend tjetër në Europë, por paga është 3-4-fish më e ulët. Është e pamundur që të përballosh një jetesë të mirë me një punë të thjeshtë, duke qenë se për ne është kosto ekstra shëndetësia, edukimi etj.”, tha një vajzë 29 vjeçe, që punon në bankë me një pagë 40 mijë lekë në muaj.

    “Me kostot aktuale, sidomos në Tiranë, të ardhurat nga pagat mbulojnë kërkesat normale jetësore, por as nuk lejojnë të krijojmë kursime, apo të kryejmë investime për të ardhmen”, komentoi një djalë i punësuar në sektorin bankar, me pagë mbi 120 mijë lekë në muaj.

    “Në një vend ku mbi 40% e pagës shkon për ushqime, mallrat importohen dhe Euro dobësohet, duke i bërë importet më të lira dhe çuditërisht çmimet më të larta, humbet logjika ekonomike” thotë një komentues tjetër.

    Kostot rriten dhe paga bëhet e pamjaftueshme kur ke fëmijë. “Nëse në kosto jetese nuk përfshihen fëmijët, janë mjaftueshëm. Sapo fut variablën fëmijë, atëherë bëhen totalisht të pamjaftueshme”, thotë një i punësuar 30-39 vjeç në sektorin publik, në fushën e marketingut.

    Të tjerë të arsimuar pohojnë se, normaliteti është një burim të ardhurash për të përballuar kostot e jetesës në rritje. “Nëse nuk gjeneron të ardhura shtesë informalisht bëhet e pamundur ose shumë e vështirë, pasi niveli i pagave është i ulët, shpenzimet janë të larta, ushqime, veshje, banesa, qira, të gjitha të larta”,- thotë një i punësuar 50-59 vjeç që punon si zhvillues investimesh në sektorin privat.

    Gjithashtu të anketuarit shprehen se kosto për rritjen e fëmijëve është rritur, teksa atyre u duhet të kujdesen edhe për prindërit e moshuar. Një inxhinier që punon në sektorin publik 30-39 vjeç me pagë 95.001 – 120.000 lekë në muaj tha se “paga nuk mjafton as kur je beqar, as çift.

    Me fëmijë jo e jo. Po të mendosh dhe pleqtë e të dyve booo, lëre pastaj ‘afters school’ e fëmijëve”. Në komentet e tij për sondazhin, inxhinieri pohoi se ka gjetur punë jashtë vendit dhe se do të largohet brenda vitit.

    Nëse një person ka qira për të paguar, një pagë 900 euro në muaj nuk mjafton. Një i punësuar në sektorin publik 40-49 vjeç, komentoi se “duhen paga të mira e dinjitoze (unë marr gati 900 euro neto, nga të cilat 380 euro shkojnë vetëm qira, pa llogaritur energji, ujë, shkallë, ashensor), e çfarë mbetet për të jetuar me dinjitet?”

    47% e të arsimuarve, paga më pak se 120 mijë lekë

    Nga 518 të punësuarit që ju përgjigjën anketës, mbi gjysma kanë më shumë se një diplomë të arsimit të lartë. 47% tyre kanë paga më të ulëta se 120 mijë lekë në muaj.

    Sondazhi tregoi se 3% e të anketuarve kishin paga më të ulëta ose në nivelin e pagës minimale. Një pjesë prej 5.8% kishin paga nga 50-60 mijë lekë në muaj. Rreth 53% e kishin paga mbi 120 mijë lekë në muaj. Një kategori tjetër, rreth 20%, kishin paga në nivelin 65-95,5 mijë lekë në muaj, ndërsa 15% kishin paga ndërmjet 95 mijë dhe 120 mijë lekë.

    Shumica e të anketuarve ishin nga sektori bankar, 31.9%, teknologji informacioni 12.2%, e ndjekur nga menaxhimi dhe shitja me 12% dhe inxhinieria, me 7.7%.

    Një komentues 40-49 vjeç, që punon në administratën publike, tha se duhet “rritje e pagave dhe vlerësim performance. Të ketë mundësi pune e biznese edhe jashtë Tiranës, se ka jetë edhe në qytete të tjera, se në administratë mbetëm duke parë njerëz analfabetë dhe drejtues thjesht se janë militantë partie, por një i shkolluar nuk do të jetë anëtar partie”.

    Një i punësuar tjetër në sektorin publik mendon se rritja e pagave të buxhetorëve do të nxiste edhe rritjen e pagave në sektorin privat. Gjithashtu politikat arsimore duhet të përqendrohen drejt profesioneve për të cilat ka kërkesë.

    57% nuk marrin bonuse dhe shpërblime

    Anketa gjeti se më shumë se gjysma e të punësuarve, 57% e tyre, nuk merrnin përfitime, ose shtesa, përveç pagës të tilla si bonuse, shtesa për performancë dhe përfitime të tjera. 42% pohuan se marrin përfitime.

    Nga 221 personat që merrnin të ardhura shtesë, përveç pagës, gati 28% ishin të pakënaqur ose pak të kënaqur me masën e shpërblimit dhe 49% ishin të kënaqur ose shumë të kënaqur.

    Të anketuarit shfaqën shqetësim në lidhje me trajtimin financiar jo në përputhje me aftësitë.

    “Aktualisht, ekziston një mungesë qartësie dhe lidhjeje të drejtë midis aftësive dhe përvojës së punonjësve dhe përfitimeve që ata marrin. Shumë kompani shqiptare mbështeten në një numër të vogël punonjësish të besuar që shpërblehen mirë, ndërsa pjesa tjetër e stafit punon në kushte të papërshtatshme dhe jo motivuese.

    Zbatimi i standardeve ndërkombëtare, si vlerësimi i vazhdueshëm i performancës, shpërblimi i punonjësve (p.sh., bonuse dhe paga e 13-të), zhvillimi profesional (trajnime efektive), dhe përfitimet (si fondet e sigurimeve dhe mbulimi shëndetësor), ende mbetet sfidë për shumicën e kompanive”, komentoi një femër e grupmoshës 20-29 vjeç që punonte si vlerësuese në sektorin e pasurive të paluajtshme.

    Një jurist në sektorin publik komentoi se, “duhet të respektohen plotësisht dhe rreptësisht dispozitat e Kodit të Punës apo legjislacioni përkatës mbi kushtet e punës. Duhet të shtohet motivimi nëpërmjet banuesve sa më shumë si dhe duhet të krijohet kultura e të kultivuarit punonjës të mirë dhe besnikë, duke i trajtuar mirë e duke i motivuar vazhdimisht”.

    Një tjetër sugjeroi se “duhen një deri në dy bonuse në vit. Gjithashtu shpërblimi duhet të respektojë përvojën dhe rezultatet.

    27% punojnë me orë shtesë pa pagesë

    Më shumë se një e katërta e të anketuarve (27%) pohuan se punojnë jashtë orarit të punës dhe nuk paguhen. Rreth një e katërta e të punësuarve pohuan se punojnë jashtë orarit zyrtar dhe paguhen, ndërsa rreth 46% pohuan se nuk punojnë më shumë se orari zyrtar. Personat që punojnë jashtë orarit zyrtar dhe që nuk paguhen dhanë arsye të ndryshme në komentet e tyre.

    “Ka raste që punoj orë shtesë, por nuk paguhem, pasi paga është fikse mujore. Edhe në rastet kur kemi probleme dhe nuk mund të paraqitemi në punë, nuk hiqet dita e punës”, tha një komentues, që punon inxhinier në sektorin privat.

    Përveçse në sektorin privat, edhe ata që punojnë në administratën publike kanë ankesa se nuk paguhen për orët shtesë, pavarësisht se kjo përcaktohet qartë në Kodin e Punës.

    “Sepse shteti, në mënyrë absurde, kërkon nga punonjësit e ASHK-së të punojnë dhe të shtunave ose dhe kur është pushim zyrtar gjatë javës, nuk paguhen se është kaluar limiti i 6 muajve orë shtesë në vit”, – tha një punonjës IT nga sektori publik.

    “Në shtet nuk të paguajnë për orare shtesë”, tha një tjetër punonjës nga sektori publik.

    Disa komentues pohuan se kompanitë ku punojnë nuk e kanë kulturë pagesën për orët shtesë në punë, pasi mendojnë se i gjithë volumi duhet të mbyllet brenda tetë orëve. Gjithashtu, ndërmjet të anketuarve kishte ankesa se, autoritetet nuk ushtronin kontrolle në lidhje me mosrespektimin e Kodit të Punës për orët shtesë.

    “Nuk duan të na i paguajnë, as t’i konvertojnë në ditë pushimi”, tha një tjetër komentues. “Nuk merret në konsideratë Kodi i Punës, edhe për orë shtesë në fundjavë dhe për orë të vona pune” tha një tjetër.

    Shqetësimet më të mëdha i shfaqën punonjësit e sektorit bankar, të cilët pohuan se punojnë jashtë orarit zyrtar dhe nuk paguhen. “I gjithë sektori bankar nuk e paguan punën jashtë orarit”.

    Gjithashtu të vetëpunësuarit ishin të ekspozuar ndaj punës jashtë orarit. “Jam e vetëpunësuar, punoj edhe të shtunë edhe të diel, kur nevojitet për të kapur afatet procedurale”, tha një i vetëpunësuar.

    Një e katërta mendon se arsimi nuk ndikon te paga

    Një pjesë e madhe e punonjësve mendojnë se arsimi nuk i ka ndihmuar në nivelin e pagave. Pyetjes “A mendoni se arsimi juaj ka ndikuar në nivelin e pagës që merrni?”, 24 % iu përgjigjën jo dhe 19% thanë shumë pak.

    Një pjesë tjetër, 32%, mendojnë se arsimi ndikon deri diku dhe 24% pohuan se ndikon shumë.

    “Nuk ka një vlerësim të përshtatshëm për një profesionist. Kërkojnë me eksperiencë, por nuk kanë dëshirë të paguajnë shumë. Ose ndonjëherë nuk janë të aftë të vlerësojnë eksperiencën, por të vlerësojnë në bazë të arsimit”, komentoi një anketues mashkull i moshës 30-39 vjeç, i cili punon në marketing në sektorin privat.

    Një tjetër komentues që punonte në sektorin shtetëror, po në marketing, tha se “në pjesën më të madhe, për të mbajtur një vend pune apo për t’u rritur në detyrë apo për të gjetur një vend të ri pune, nuk varet prej teje, apo prej kualifikimeve që ke, por prej faktorëve të tjerë”.

    Tregu shqiptar i punës vuan nga qarkullimi i lartë i punonjësve, pasi gati 49% e tyre qëndrojnë në një vend pune më pak se 5 vite, ndërsa 51% kanë më shumë se 5 vite në një vend pune.

    Shumica mendojnë se tregu i punës ofron pak mundësi

    Shumica e të anketuarve mendojnë se tregu shqiptar ofron mundësi të kufizuara për profesionet e tyre. 47% mendojnë se tregu i punës në Shqipëri ka disa mundësi për profesionin e tyre, por jo mjaftueshëm, vetëm 26% mendojnë se ka shumë mundësi dhe 20% pohuan se ka shumë pak mundësi dhe për 4.2% nuk ka aspak mundësi.

    “Bën 16 vite shkollë me diplomë jashtë shtetit e të ofrojnë stazh ose paga minimale” tha një anketues që punonte në sektorin privat te shërbimi i klientit.

    Një tjetër komentues që punon IT në sektorin privat tha se tregu vuan nga përqendrimi i lartë. “Jooooo, tregu është i mbyllur pasi 100% e tenderave janë të mbyllur. Korrupsioni vret konkurrencën dhe zhvillimin”.

    Një tjetër komentues, që punon si inxhinier në sektorin privat, tha se tregu ofron shumë mundësi për profesionin e tij, por tha se është shumë vështirë të të punësojnë se duhet njohje ose nuk paguajnë aq sa duhet.

    40% e të punësuarve nuk presin rritje page

    Të 518 të anketuarit e “Monitor” përfaqësojnë persona me pozicione të mira pune dhe pothuajse shumica dërrmuese kanë arsim të lartë dhe studime pasuniversitare. 40.2% e tyre pohuan se në kompanitë e tyre nuk aplikohet rritja e pagës dhe 59.8% pohuan se aplikohet rritja e pagës.

    “Pagat e sektorit kanë kohë që qëndrojnë të pandryshuara”, komentoi një punonjës IT në sektorin privat, me pagë mbi 120 mijë lekë në muaj.

    Nga personat që përfitojnë rritje të pagës (310) gjithsej, 47% e tyre pohuan se paga e tyre ndryshon çdo dy-tre vite, vetëm 37% pohuan se paga e tyre ndryshon çdo vit dhe 15.5% pohuan se paga e tyre rritet vetëm kur ndryshon pozicioni i punës.

    “Pagat nuk rriten në periudha të afërta kohore, përveç rasteve që ndryshon pozicion”, komentoi një femër 20-29 vjeçe e punësuar në sektorin bankar.

    Nga personat që përftojnë rritje page, 25.5% presin rritje mbi 20% në vijim.

    19% presin rritje deri në 15%.

    31% presin rritje deri në 19%.

    18.4% presin rritje më pak se 5%.

    Shumica e të anketuarve 57% pohuan se kanë njohuri të kufizuara për të drejtat dhe politikat e pagave që ndjekin kompanitë ku punojnë, ndërsa 43% pohuan se kishin njohuri të mira.

    Shumica e të anketuarve 73% pohojnë se zbatohet Kodi i Punës, 19,5% pohuan se nuk zbatohet Kodi i Punës dhe vetëm 1 komentues “tha se zbatohet pjesërisht”.

    Një tjetër komentues tha se “Kodi i Punës zbatohet sipas rastit, gjithnjë në mbrojtje të interesave të punëdhënësit”.

    69% e të punësuarve me paga të larta duan të emigrojnë, 14% brenda vitit

    Ndër të punësuarit me nivel të lartë të arsimit, emigracioni potencial mbetet i lartë. Kjo gjetje është në përputhje edhe me rezultatet e sondazhit që “Monitor” bëri më herët në shtator për emigrimin.

    Anketa për tregun e punës tregoi se 69% nga 518 persona që morën pjesë mendojnë të largohen nga vendi dhe vetëm 31% nuk kanë plane rreth emigrimit.

    Shqetësues mbetet fakti se 14% e tyre kanë përgatitur infrastrukturën (vizat dhe kontratat e punës) dhe do të zhvendosen brenda vitit.

    24.5% e anketuesve nuk kanë bërë plane për të emigruar, por ndërkohë po e mendojnë seriozisht emigrimin, ndërsa rreth 30% e kanë planifikuar largimin në vitet e ardhshme.

    Shumica e atyre që duan të emigrojnë, 29.6%, po marrin në konsideratë largimin për paga më të larta, ndërsa 29% pohojnë se nuk shikojnë mundësi për zhvillim në karrierë në tregun vendas dhe një pjesë tjetër, 21%, nuk janë të kënaqur me kushtet e punës.

    Një punonjës IT në sektorin privat 30-39 vjeç pohoi se do të largohet pasi “trafiku dhe ndotja e kanë bërë Tiranën të pajetueshme”.

    Ata që duan të largohen dhanë arsye të ndryshme, si arsim dhe shëndetësi e dobët, ambiente toksike të punës dhe situata jo e mirë sociale, kulturore dhe politike në vend.

    “Marrëdhëniet me kolegët”, shkak kryesor për pakënaqësinë në punë

    Të anketuarit kanë shprehur një seri shqetësimesh për ambientin e punës, por duket se shumica e tyre, 42%, vlerësojnë si problem madhor në zyrë “komunikimin dhe marrëdhëniet me kolegët”, teksa vetëm 4.6% janë shumë të kënaqur në marrëdhënien me kolegët.

    Pakënaqësia e dytë më e madhe është siguria e vendit të punës, ku më shumë se një e treta, 37%, e konsiderojnë vendin e punës ku janë, të pasigurt.

    “Mungesa e sigurisë që vjen nga fakti se edhe punëdhënësi operon në kushte pasigurie për shkak të politikave tatimore shumë konfuze”, – tha një punonjës në sektorin privat.

    Gjithashtu rreth një e treta, 35% e të punësuarve janë të pakënaqur me kushtet e punës (ambienti fizik dhe mjetet e punës). Ndërsa 20% konsideruan shqetësim kryesor mungesën e motivimit dhe përfshirjen në ndërmarrje.

    Në krahun tjetër, vetëm 20% e të anketuarve ndihen shumë të kënaqur me mundësitë për zhvillim profesional në vendin e punës.

    Nga ana tjetër, 35-45% e të anketuarve ishin disi të kënaqur me kushtet e punës, pagat, ambientin në zyrë, komunikimin me kolegët etj. Gati 60% e 533 të anketuarve ishin disi të kënaqur, ose të pakënaqur, me vendin e punës.

    Ndërsa 21% u shprehën shumë të kënaqur me ambientin në punë dhe 19% u shprehën pak të kënaqur me vendin e punës.

    Më të pakënaqur në punë, grupmosha 30-39 vjeç

    Grupmosha më e pakënaqur me kushtet tërësore të punës i takon 30-39 vjeç. Nga numri i punonjësve që janë totalisht të pakënaqur, gjysma i takon grupmoshës 30-39 vjeç. Gjithashtu gjysma e të anketuarve që janë disi të kënaqur i takojnë grupmoshës 30-39 vjeç.

    Grupmosha 40-49 renditet e dyta për nivelin e lartë të pakënaqësisë me vendin e punës, pasi 37% e tyre i takojnë kësaj grupmoshe.

    Një punonjëse në sektorin publik në grupmoshën 40-49 vjeç, që merret me menaxhim projektesh, komentoi se “mungon rritja e pagave sipas arsimit, përvojës dhe meritës. Kjo do të ulte ryshfetin dhe dorën e lëmoshës.

    Mungon zhvillimi personal dhe për rritje në karrierë as që bëhet fjalë, edhe një trajnim iu duket i tepërt, e sidomos të dalësh nga zyra të informohesh jashtë është mëkat. Këta vetë ngelën nëpër avionë, rrugë jashtë plot.

    Kushtet e punës një tmerr, të japin një kompjuter si qerre e të thonë shpejt si Ferrari. Karrige të saktë, harroje. Vlerësimin e punës ta bëjnë thashethemexhinjtë. Komunikimin e kanë si bipolar”.

    Të dhëna mbi anketën

    533 persona, nga të cilët 35.3% meshkuj dhe 64.7% femra. Të anketuarit mbi 76% ishin në grupmoshën 30-49 vjeç. Nga të anketuarit, 15 persona, ose 2.8% ishin të papunë.

    90% e të anketuarve ishin me kohë të plotë dhe 6%, të vetëpëunësuar, kurse pjesa tjetër me kohë të pjesshme. Gati gjysma e të anketuarve të papunë nuk po e gjejnë dot punë.

    Shumica e të anketuarve ishin nga sektori bankar 31.9%, 12.2% teknologji informacioni 7.7%, e ndjekur nga menaxhimi dhe shitja me 12% dhe inxhinieria, me 7.7%.

    -96.5% e të anketuarve ishin me arsim të lartë, dhe më shumë se gjysma e tyre me studime pasuniversitare dhe doktoratura.

    Rreth 53% e kishin paga mbi 120 mijë lekë në muaj dhe 12% paguhen deri në pagën minimale 40 mijë lekë, kategoritë të tjera 20% kishin paga në nivelin 65-95,5 mijë lekë, ndërsa 15% kishin paga ndërmjet 95 mijë dhe 120 mijë lekë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit