8.5 C
Tirana
E martë, 10 Shkurt, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Pushtet pa dashuri

    Nga Adrian Thano

    Një sondazh i publikuar së fundi në ABC News dhe i realizuar nga Eduard Zaloshnja nxjerr një përfundim domethënës, ndonëse jo të papritur.

    Megjithëse Edi Rama vijon të mbajë pushtetin, ai nuk rezulton të jetë lideri i preferuar i elektoratit të majtë. Edhe votuesit që e kanë mbështetur që prej vitit 2013 nuk e shohin atë si udhëheqësin më përfaqësues të tyre. Sipas sondazhit, më pak se 34% e këtij elektorati e konsideron Ramën liderin e së majtës.

    Një përqindje e lartë e votuesve të majtë ruajnë ende nostalgji dhe respekt për Fatos Nanon, liderin themelues të Partisë Socialiste, ndërkohë që nuk mungon ende pas 35 vitesh, ajo pjesë elektorati që konsideron Enver Hoxhën figurën kryesore historike të së majtës.

    Kjo tablo është interesante dhe në fakt, mjaft domethënëse për gjendjen e së majtës dhe të politikës shqiptare sot.

    Së pari, sondazhi tregon se pushteti i Edi Ramës nuk mbështetet mbi adhurim apo identifikim emocional të fortë, por mbi mungesën e alternativës. Kjo është një diferencë e madhe.

    Një lider “i madh” zakonisht dominon jo vetëm institucionalisht, por edhe simbolikisht brenda kampit të vet. Këtu nuk ndodh.

    Fakti që më pak se 34% e votuesve të majtë e shohin Ramën si liderin e tyre të padiskutueshëm tregon një mbështetje funksionale, jo ideologjike: votohet sepse “nuk ka kë tjetër”, jo sepse përfaqëson idealet e së majtës.

    Kjo e bën pushtetin e tij të fortë në numra, por pa identitet.

    Nostalgjia për Fatos Nanon sinjalizon një mungesë vazhdimësie morale dhe politike në PS. Nano përfaqëson për një pjesë të elektoratit një të majtë më pluraliste, më politike dhe më pak të personalizuar. Kjo do të thotë se Rama nuk ka arritur ta zëvendësojë plotësisht figurën themeluese në ndërgjegjen e bazës së vet.

    Ndërsa prania e Enver Hoxhës është simptomatike: një pjesë e elektoratit të majtë ende nuk e lidh identitetin politik me demokracinë sociale. Kjo tregon dështim të gjerë dhe të gjatë të klasës politike pas 90-s për të ndërtuar një shtet modern dhe funksional.

    Në thelb, ky sondazh nuk flet aq për forcën e Ramës, sesa për krizën e përfaqësimit në Shqipëri. Ai është kryeministër i qëndrueshëm, por jo lider konsensual. As brenda të majtës.

    Kemi një pushtet që zgjat, por nuk frymëzon. Kjo, në plan afatgjatë, është problem për çdo demokraci.

    Rama e ka ndërtuar pushtetin duke zgjeruar Partinë Socialiste në mënyrë artificiale, me prurje nga jashtë shpesh pa asnjë identitet ideologjik. Sondazhi kobfirmon se këto “bonuse politike” nuk e kanë bindur kurrë votuesin socialist dhe nuk janë kthyer në kapital afatgjatë për të majtën.

    Në të vërtetë qëllimi i pashpallur i Edi Ramës nuk ka qenë kurrë reformimi i Partisë Socialiste, por tejkalimi i saj. PS-ja duhej të ishte një mjet kalimtar.

    “Rilindja” e tij u harrua tani por ajo nuk ishte thjesht slogan elektoral. Ishte tentativa për të fshirë historinë, strukturën dhe identitetin e së majtës.  Gjaku i vjetër, strukturat, memoria ishin pengesë, jo kapital. Në fund të këtij procesi, synimi ishte i qartë.

    Ky eksperiment dështoi. Jo sepse ishte shumë radikal, por sepse është i shkëputur nga realiteti politik shqiptar. PS-ja nuk u zhduk, nuk u tret dhe nuk u zëvendësua. Ajo ka mbetur e vetmja strukturë reale që garanton votën, organizimin dhe mbijetesën elektorale.

    Ironia është e plotë, pasi vetë Rama, sot i mbytur në skandale korrupsioni është i detyruar të strehohet pikërisht aty. Qëllimi i fshehtë për ta tejkaluar dhe zëvendësuar Partinë Socialiste përfundoi në një varësi të plotë prej saj.

    Mbështetja reale e Ramës mbetet ende ai elektorat tradicional i së majtës që ai e ka përçmuar prej fillimit.

    Ritheksoj që ky elektorat (jo vetëm sipas sondazhit të sipërcituar) voton sot më shumë nga frika e alternativës sesa nga entuziazmi. Është një votë mbrojtëse, jo afirmuese. Kjo votë ruan status quo-në, por nuk prodhon energji politike, as vizion.

    Sundimi mbi një bazë që voton vetëm sepse nuk sheh rrugëdalje tjetër është paradoksi i madh i pushtetit të sotëm. Në momentin që kësaj  “armate” tradicionale do t’i ofrohet një alternativë minimale e besueshme, ekuilibri i sotëm mund të thyhet shumë më shpejt nga sa duket.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit