8.5 C
Tirana
E shtunë, 22 Shkurt, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Që çekani i drejtësisë të mos na bëhet hanxhar

    Nga Bedri Islami

    Pyetja e parë që mund të bëhet tani, pas një kohe relativisht të gjatë hetimi, është se kur do të gjykohet kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Erion Veliaj, dhe, si është shënuar, njerëzit që lidhen me akuzën ndaj tij.

    Përgjithësisht janë bërë të gjitha: është hartuar letra anonime , ndoshta nga vetë SPAK, apo njerëz të lidhur ngushtë me të në piramidën drejtuese të opozitës, të cilët kanë njohuri nga sistemi i drejtësisë, apo kanë miqësi të ngushtë me rrethin vicioz të krijuar rreth ngjarjes; është krijuar momenti i duhur për të ngritur një pistë hetimi; janë vënë në lëvizje dhjetëra, e shumë më tepër njerëz që kanë ndjekur gjithë rrugën 10 vjeçare të familjes Veliaj; udhëtimet që ka bërë, lëvizjet, marëdhëniet e tij me pronarë dhe ndërtues, me qytetarë dhe vartës; janë sekuestruar telefonë dhe të tjera që nesër mund të përbëjnë dëshmi; janë siguruar foto dhe ngritur dyshime mbi pronësinë e një vile në bregdet dhe është krijuar bindja hetuese se ajo i përket pikërisht familjes në fjalë.

    Më tej, nga vetë prokuroria e posaçme kanë dalë materiale të cilësuara sekret hetimor, jo rastësisht, drejt një grupi analistësh dhe media të krijuara nga opozita, janë krijuar ndërlidhje, po ashtu, jo të rastësishme mes hetimit dhe opozitës. Më ngut dhe, gjithsesi me mllef janë bërë debate televizive, ku analistët dinin edhe atë që thuhej se nuk e dinte askush. Janë hedhur në tregun mediatik të dhëna pasurore dhe blerje të habitshme, që vështirë janë të marrura me mend, duke bërë kështu faktikisht gjyqin publik të njerëzve të hetuar, që ende vazhdojnë të jenë nën hetim, ende nuk janë gjykuar e as dënuar.

    Nëse perdet janë ngritur në media, skenari është bërë në dhomat e drejtësisë.

    Në fund, megjithëse vetëm prokurori i çështjes ka të drejtën të ketë në sallën e gjyqit telefonin e tij mobil, përsëri nga salla kanë dalë foto të zotit Veliaj nga proçesi, dhe, megjithëse ka vetëm një burim të ligjshëm të fotografive, askush nuk bëhet merak se si lëvizin gjërat e ndaluara, direkt, nga salla e gjyqit drejt mediave të opozitës.

    Pra, janë bërë të gjitha çfarë mund të bëhet, sëbashku me cinizmin e prokurorëve të çështjes ndaj një kerkese normale të zonjës Xoxa. Duket si gjë e zakonshme, por, në fakt, gjuha e dhënë, është shprehje e një zemërimi të habitshëm dhe mllefit të grumbulluar, çka duhet të jetë e huaj për një sistem drejtësie.

    Në fund të fundit, ata vetë bëjnë sikur besojnë në prezumimin e pafajësisë.

    Nëse janë bërë të tëra gjërat e duhura, mes tyre edhe grumbullimi i qindra dokumentave nga të gjitha organet e shtetit, atëherë përse nuk shkohet në gjyq? Ka vetëm një gjë ende të hapur: deri tani bindja e prokurorëve është se kemi të bëjmë vetëm me një proçes hetimor, ende nuk ka delikte të fajësisë apo të akuzimit. Për të mbushur boshllëqet e dosjes duhet një kohë tjetër, por, para kësaj, duhej bërë gjyqi mediatik, i plotfuqishëm, i turbullt, mllefues, i domosdoshëm, për të damkosur një proçes dhe ata që hetohen në emër të tij.

    Erion Veliaj mund të jetë i fajshëm ose jo, mund të ketë bërë edhe më shumë se sa është shkruar në dosjen hetimore, por kjo është një çështje mes tij dhe drejtësisë. Mirëpo, jo rrallë herë ka pasur abuzime me drejtësinë dhe, në jo pak raste mllefi i prokurorëve dhe despotizmi i saj kanë bërë gabime të mëdha, të cilat, për t’i bërë të besueshme, më parë kanë vënë në lëvizje gjyqet publike, njëjtë si ndodhte në një kohë tjetër, kur, përpara se të dënoheshe në sallën e gjyqit, edhe me pretekstin më absurd, dënoheshe në mbledhjet e lagjeve, ku bëhej pretenca e parë dhe jepej vendimi i parë.

    Gjyqet popullore të komunizmit janë kthyer në debatet e shumë nga studiot e mediave të tashme. Pretenca e të deleguarit të partisë tani jepet nga “analistët e pavarur”, që herë pas here, nga “ burimet e tyre”, kanë më shumë informacion se sa është publikuar.

    Në debate pafund, të krijuara nga të dhënat selektive që dalin pikërisht nga SPAK dhe GJKKO shpaloset cinizmi dhe shpërfillja e gjithë klasës politike në Shqipëri, sikur pas çdo njërit prej tyre qëndron një kriminel i mundshëm, i korruptuar, e ndoshta vrasës; mos marrja seriozisht e shtetit, shkelja e çdo morali, e të drejtës njerëzore për gjykim të lirë dhe jashtë pretencave të panumurta, tribalizmi politik, që është në shkaqet themeltare të rrënimit të shtetit të së drejtës, deri sa arrin në një kulm të ri: talljen me dinjitetin njerëzor.

    Në rastin Veliaj, në më pak se dy javë janë bërë të gjitha. Tani pritet vetëm gjykimi.

    Është pikërisht ky i fundit që do të zgjasë edhe përtej normave të zakonshme. 18 muaj kërkim dhe hetim nuk ka qenë e mjaftueshme për prokurorin e caktuar, i cili duhej të ishte terhequr që në fillim të kësaj çështje, thjeshtë për konflikt interesi, dhe, për më tepër nuk duhej të ishte në atë post. Është një gjendje e vështirë për t’u shpjeguar, një krusmë e vërtetë, që lidhet, me sa duket, me raportet kundërthënëse të sistemit të ri të drejtësisë dhe mposhtjen e një pjese të tillë nga llumi i politikës, e në fund të fundit, me raportet e shprishura mes shtetit të së drejtës dhe njeriut që qëndron përballë këtij sistemi.

    Një zhbirim në raportet mes njeriut dhe të drejtës së tij nga njëra anë, dhe hetimit dhe dënimit nga ana tjetër, pra gjithë sistemit të drejtësisë në tërë hallkat e tij, do të na afronte, ndoshta, drejt një këndvështrimi më të epërm të ngjarjeve.

    Nëse sistemi i ri i drejtësisë synon të zhdukë korrupsionin dhe krimin e organizuar , pra, në një farë mënyre despotizmin e politikës, asgjë nuk e përligj nëse ai krijon gradualisht despotizmin e tij. Si çdo asamble që mendon se do të jetë gjatë në pushtet, ai priret të bëhet një autokraci kolektive. Fakti që thuaj në të gjitha rastet, gjykata speciale miraton atë çfarë kërkon prokuroria të shpie pikërisht drejt këtij përcaktimi.

    Nëse është kështu, atëherë mjerisht, le të fillojë loja mes politikës dhe drejtësisë. Nëse kjo e fundit ka qenë nën trysninë e politikës, dhe, mbi të gjitha nën diktatin e politikës së vijës së ashpër, kërcënimit, deri në zhdukjen e saj, anatemimit të paskaj dhe të dhunshëm, tani nuk është koha për të bërë shërbimet ndaj politikës, qofshin në njërin krah apo në tjetrin.

    Spak ende nuk e kupton thelbin e domosdoshëm se duhet të jetë i sinqertë dhe i pavarur në detyrën e tij. As të synojë të marrë mbi vete kompetenca dhe të drejta që nuk i takojnë, të risjellë shantazhin dhe cinizmin në hetimin dhe dosjet e tyre, të bëjë luftën e tij ndaj politikës, përmes shpalljes së bujshme të kundërshtimit. Duke mos qenë i nënshtruar, ai duhet të jetë i drejtë. Duke mos u trembur, si ndodh edhe sot e kësaj dite në figura të veçanta, ai do të përcjellë domodoshmërinë e qëndrimit korrekt. Duke qenë i pavarur, ai do të jetë i drejtë.

    Rasti Veliaj, kur edhe institucionalistë apo juristë të shkallës së parë, shpesh herë opozitarë me qeverisjen, nuk e kuptojnë ende se në cilat fakte, ligje dhe rastësi është mbështetur Prokuroria e Posaçme në kërkesën e saj dhe GJKKO në vendimin e dhënë, atëherë kjo bëhet e vështirë të kuptohet nga njerëzit e zakonshëm. Sepse, në fakt, gjërat e pa kuptimta janë enigma e asaj që qëndron pas tyre.

    Ndoshta është koha të pyetet: çfarë qëndron pas hetimit 18 mujor të një prokurori në SPAK, militant i zjarrtë i opozitës, i vendosur në këtë detyrë në kundërshtim me ligjin, dhe, çfarë është më e rëndësishme se sa kjo, mos e gjitha kjo po kthehet në vijë veprimi dhe pavarësia është konceptuar si rebelim ndaj shtetit, parlamentit dhe krijimit të absolutizmit , duke e përfytyruar vendin si një republikë prokurorësh?

    Çështja Veliaj zgjoi nga letargjia edhe shumicën qeverisëse. Kjo nuk kishte ndodhur në asnjë nga arrestimet e mëparshme , ku shumica kishin qenë nga radhët e saj. Në tëgjitha rastet ajo e kishte ndarë fatin e saj nga fati i individëve. Si të thuash, kishte larë duart si Pons Pilati dhe kishte lënë drejtësinë në punën e saj.

    Rasti Veliaj e zgjoi shumicën qeverisëse befas, megjithëse ajo e kishte menduar zgjimin, por në kohë më të ngadaltë dhe me të qetë.
    Veliaj, njeriu i zgjedhur me 250 mijë vota, zgjoi pikërisht drojën e krijimit të një precedenti edhe më tej të rrezikshëm, se nuk është i mjaftueshëm vetëm respektimi i ligjeve, por duhen edhe njerëzit që janë të aftë të respektojnë ato, dhe kjo, mbi të gjitha, në vetë sistemin e drejtësisë.

    Çekani karakteristik i gjykimit nuk mund të jetë hanxhar.

    “Drejtësia, shkruante filozofi Niçe, është shpesh herë pretekst i dobësisë, dhe ky mendim mbahet si i drejtë, por njerëzit e dobët ndonjëherë, ngaqë synojnë rregullin, sillen hapur në mënyrë të padrejtë dhe të ngurtë për të lënë përshtypjen se janë të fortë”.

    Kushdo e do drejtësinë e fortë, por jo të padrejtë!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit