Nga Edona Llukaçaj
Ka disa kohë që shqiptarët ngazëllehen nga reportazhet e gazetarëve të huaj dhe artikujt në mediet ndërkombëtare për bukuritë natyrore Shqipërisë.
Duket se na ka kapluar një ekzaltim komunitarar se na kanë quajtur “Maldivet e Europës”, “një parajsë ekzotike në mes të kontinentit”, “një diamant që pret për t’u zbuluar”, dhe se na kanë vizituar të famshëm “prej vërteti” nga mbarë bota.
Thyerja ngadalë e imazhit si vend i pasigurtë – gjeografi kriminaliteti e drogaxhinjsh – përballë bukurive përrallore shqiptare është, vërtet, diçka pozitive. Por nuk mjafton.
Duhet patur kujdes që Shqipëria të mos përceptohet as nga të huajt por as edhe nga vetë shqiptarët, veçse si një destinacion turistik veror e sidomos si një trend sezonal që bëhet “out” shpejt.
Për këtë arsye politikat për zhvillimin e turizmit, si një prej pak industrive mirëfilltazi funksionale në vend, nuk mund të ndërtohen bazuar në një lexim bashkëkohor të frazës “shtëpia e shqiptarit është e mikut dhe e Zotit”.
Me fjalë të tjera, turistët të vijnë e të na urdhërojnë nga mbarë bota! Këtu i kemi detin e malin, sitet nga çdo periudhë historike, bujtinat e ushqimin bio, pedonalet e sheshet për koncerte. E do kënaqen me çka ka falë Zoti.
Por rrugën drejt këtyre vendeve mahnitëse, turistët ose duhet ta dinë përmendësh ose ta gjejnë me nuhatje se tabelat i kemi me kursim. Ndërsa aplikacionet e hartave mund t’i çojnë në drejtime ende hipotetike.
Për më tepër, turistët e shumëdëshiruar të mos na e vënë re se e kemi fort përzemër të rindërtojmë segmente të rëndësishme rrugore në mes të sezonit, por ta shohin qëndrimin në trafikun kilometrik si një mundësi për të shijuar pamjet panoramike.
Të mos kërkojnë për alternativa si transporti hekurudhor, se thjesht nuk e kemi. Ironikisht, mund të ndërtohet pas aeroportit të Vlorës e Marinës së jahteve të Durrësit. Të kuptojnë se kemi qenë të zëne duke ndërtuar impiante imagjinare ultra moderne për djegien e plehrave e nuk do të kemi pasur mjaftueshëm buxhet për vokërrima hekurudhash.
Mbi të gjitha, turistët t’ia vënë veshin atyre faqeve online që i këshillojnë të vijnë me para cash të fshehura në trup, se vetëm 25% e bizneseve në zonat e pushimit posedojnë aparaturat POS për veprime me kartë, ndërsa bankomatet e pakgjindshme vendosin komisione tepër të larta.
Gjithashtu, duhet kuptuar se prioritetin turizmit nuk mund t’ia japim duke lënë në rënie të lirë sektorët e ndërlidhura. Paçka se “vendi ynë i ka të gjitha” kur nuk ofron shërbimin cilësor, lehtësues e, kësisoj, ftues. Kur rojet ndër plazhe dhe udhërrëfyesit ndër male janë me pakicë ose mungojnë, nuk ka se si të shijojhet natyra e pakrahasueshme.
Kur edhe eksperimentet me punonjës nga larg nuk rezultuan fort të suksesshme dhe barrën kryesore të shërbimit e mbajnë ose ca kalamaj që duken si Gjino i “14 vjeç dhëndërr” ose ai tipi që beson se pushuesit nuk dinë matematikë.
Kur projektet për pastrimin e ambientit kanë efikasitet të diskutueshëm, pasi ujrat e zeza vijojnë të derdhen në mes të plazhit të Durrësit dhe pastrimi i plehrave vijon të jetë aq i rrallë sa të kundërmojë zonat e mbipopulluara.
Prandaj, që Shqipëria të mos jetë vendi i aventurave ekzotike që t’i ka ënda veç një herë në jetë, që turistët të kthehen prap në “vendin që i ka të gjitha”, zhvillimi i turizmit nuk mund të arrihet veç me publicitet ndërkombëtar.
Në fund të fundit, reklama nuk e shet produktin të dytën herë dhe “bukë e kripë e zemër” fillon e s’pi më ujë.