Qeveria planifikon që fondi i vënë në dispozicion për politika të reja pensionesh apo shpërblimin e pensionistëve si dhe për pagat e administratës të vijë në rritje të konsiderueshme nga viti në vit. Referuar tabelës së treguesve fiskalë për vitin 2023-2026 që i bashkëngjitet kuadrit makroekonomik fiskal, duket se pensionistët do të përfitojnë më shumë se ç’kanë përfituar deri më tani nga bonusi dhe indeksimi.
Konkretisht për vitin 2023, fondi total për të dyja zërat programohet në 5.73 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2024 ka një kapërcim të ndjeshëm në 8 miliardë lekë. Po ashtu, ecuria e fondeve programohet në rritje edhe për periudhën në vijim, ku në 2026 planifikohen të ndahen 8.65 miliardë lekë për pensionistët apo rreth 75 milionë euro. E thënë ndryshe, financimi për këtë kategori do të pësojë rritje me 49.1 për qind krahasuar me vitin 2023.
Ndërkohë edhe rritja e fondit për politika të reja pagash është e ndjeshme. Ndërsa këtë vit programohen 2.6 miliardë lekë në total, për tre vitet e ardhshme 2024-2026, shifra shkon në 4.9 miliardë lekë në vit apo 42 milionë euro, me një rritje prej 46.9 %.
Megjithatë pavarësisht programimeve fillestare që qeveria bën në çdo buxhet afatmesëm ose vjetor, mund të ndërmarrë edhe iniciativa përtej tyre, në varësi të hapësirave buxhetore. Përgjatë vitit që lamë pas, përmes akteve normative është ndërhyrë disa herë në buxhet për indeksimin e pagave dhe pensioneve me qëllim amortizimin e krizës së çmimeve.