7.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Qeveria pasurohet, ne varfërohemi: 200 mln euro më shumë importe vetëm nga shtrenjtimi i çmimeve

    Ekonomia shqiptare harxhoi një vlerë rekord prej 124 miliardë lekësh (1 miliard euro) për të blerë mallra jashtë vendit me qëllim plotësimin e nevojave të konsumit të brendshëm në dy muajt e parë të vitit.

    Rritja ishte 26.7 % më e lartë se njëjta periudhë e një viti më parë, por ajo erdhi thuajse e gjitha nga shtrenjtimi i çmimeve të larta të mallrave në tregjet ndërkombëtare se sa nga rritja e sasive.

    Sipas të dhënave të detajuara nga databaza e INSTAT gjatë 2-mujorit, importet e mallrave në sasi shënuan rritje me 4.6%, ndërsa importet në vlerë u rritën me 26.7%. Pothuajse për të njëjtën sasi produktesh janë paguar rreth 24 miliardë lekë më shumë, apo gati 200 milionë euro më shumë, kosto që pritet të transferohet te konsumatori nëpërmjet çmimeve më të shtrenjta të produkteve.

    Gjatë një viti, vlera e mallrave të importit është rritur pothuajse me 27% për shkak të rritjes së çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare. Çmimet për disa artikuj që ishin në trend rritje prej kërkesës post-pandemike u rritën me shpejtësi pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë.

    Rritja e çmimeve të mallrave të importit ndikon pozitivisht të ardhurat buxhetore, për shkak se arkëtimet neto nga tatimet që vilen në përqindje shënojnë rritje. Ministria e Financave bëri të ditur se të ardhurat në total në buxhet ishin 87.6 miliardë lekë për janar-shkurtin, me një rritje prej 26%, ose 18 miliardë lekë më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

    Por ndikimet negative do të jenë për konsumatorët, pasi do të duhet të paguajnë çmime më të larta për mallrat që konsumojnë e për rrjedhojë më shumë taksa mbi konsumin. P.sh. për një litër vaj luledielli me çmim 220 lekë në janar, qytetarët paguanin 44 lekë TVSH, ndërsa për çdo litër vaj me çmim 450 lekë aktualisht paguajnë TVSH, 90 lekë.

    Rritjen më të madhe në vlerë e ka shënuar grupi i “lëndëve djegëse, minerale “ që përfaqësohet kryesisht nga nafta. Importet e këtij grupi në vlerë u rritën me 86%, ndërsa në sasi vetëm 1%.

    “Giza dhe Çeliku”, produkti i dytë më vlerën më të lartë të importeve shihet se ka pësuar rritje si në vlerë dhe sasi në raport me një vit më parë. Sasia e gizës dhe çelikut e importuar gjatë muajve janar -shkurt ishte 29% më e lartë se vitit të kaluar, por vlera e harxhuar nga bizneset për blerjen e tij ishte 80% më e lartë.

    Grupi i tretë me vlerën më të lartë të eksporteve ishin makineritë dhe pajisjet e tyre, me një vlerë totale rreth 8.6 miliardë lekë në 2-mujorin e parë të vitit 2022, me rritje vjetore 11.5%, ndërsa importet në sasi të këtij grupi u rriten me vetëm 1%.

    Teksa importet u rritën për artikujt me përdorim të qëndrueshëm, u shënua rënie për disa lloj materialesh që u importuan me sasi të larta gjatë pandemisë. Disa grupe që kishin lidhje me furniturën e shtëpisë si mobiliet, krevatet, dyshekët, qilima, orë, vegla të punës, prodhimet e kashtës, materialë vegjetale etj pësuan rënie të importeve si në vlerë dhe sasi. Me zbutjen e pandemisë, rënie shënuan edhe importet e produkteve farmaceutikë.

    Ndër produktet që kanë shënuar rënie janë drithërat, të cilat ranë në vlerë me 4.1% dhe në sasi me 21%.

    Vlera e importeve gjatë dy muajve të parë të vitit sinjalizon rritje të inflacionit të importuar dhe çmime mesatarisht 20% më të larta për këta artikuj gjatë periudhës në vijim./B.Hoxha

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit