28.5 C
Tirana
E premte, 22 Gusht, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Qimja, trari, Sandri, Mandri… Pse heshtin shoqatat e nderuara të gazetarëve për shkarkimin arbitrar të kryeredaktorit të Syrit?

    Nga Johana Lubonja
    Shkarkimi i kryeredaktorit të kanalit SYRI, që njihet edhe si televizioni i familjes Berisha, ka shkaktuar debate dhe përfolje, pas një postimi në rrjetet sociale.

    Postimin në profilin e tij në FB, gazetari Leonard Quku e ka titulluar “Sqarim i detyruar”. Pasi konfirmon se e kanë larguar nga detyra e Kryeredaktorit, Quku shkruan  se ‘është alarmante kur një gazetar trajtohet në këtë mënyrë”.

    Dhe ç’është e vërteta, në postimin e tij gjen shumë të dhëna që duhet të alarmonin përnjimend shoqatat në mbrojtje të gazetarëve. Si edhe portalet apo faqet online që së fundmi kanë dhënë prova publike se e kanë për zemër trajtimin, shkarkimin, whatsapimin e gazetarëve.

    Ja disa copëza nga postimi i zotit Quku:

    “…hedhë në rrugë njerëz pa shkak, pa paralajmërim e për më tepër refuzon të bëjë edhe likujdimet që ia ngarkon ligji”.

    “…Vendimi i njëanshëm për shkarkimin tim është marrë pa motiv, pa paralajmërim dhe pa respektuar ligjin, Kodin e Punës…

    “…Ka patur presione, shtrëngime dhe dhunë psikologjike të vazhdueshme ndaj meje dhe familjes time….”

    “…Pse u sekuestrua kompjuteri im i punës me urgjencë dhe u fshi user-i im i lajmeve? Këto janë të dokumentuara…”

    “…Imagjinoni mua nuk më jepet kontrata e punës dhe urdhri i emërimit në punë…”

    “..presionet e brigadierit të tatimeve që nuk le bisedë WhatsApp-i pa ua përgjuar..”

    Të gjitha pohimet e mësipërme janë marrë nga postimi i kryeredaktorit të shkarkuar. Lindin këtu disa pyetje: Ku është Unioni i Gazetarëve i zotit Aleksandër Çipa? Po Shoqata e Gazetarëve e zotit Armando Shkullaku? Po Federata e të përndershmit Rikardo Gutierez? Po Birni, vetë Syri, media dhe gazetarë afër opozitës si Ola, Kola, Çimi, Agimi, a janë dakord me këtë sjellje ndaj kolegut?

    Pse e themi këtë? Pse u kërkojmë të vihen në siklet e të thonë një fjalë për rastin e zotit Quku?

    Sepse jo më larg se tre katër ditë më parë, të nderuarit e mësipërm bënë një gurgule të madhe, për një përgjigje në Whatsapp të  kryebashkiakut të Tiranës, për një gazetare që i kishte “ngatërruar padashje” nja dy shkresa.

    24 orë më pas të njëjtët iu sulën Alfred Pezës pse po tenton të vejë në punë hekurishten e ndryshkur nga parazitizmi me emrin e madh RTSH. E akuzuan për shkarkime arbitrare dhe i dhanë ultimatum të tërhiqet urgjentisht…

    E pra, sjellja me dy stardarde, hipokrizia, militantizmi partiak, qurravitja klanore, shënojnë këtu një tjetër rekord.

    Pastaj shfryjnë nëpër rrjete sociale si ka mundësi që ky qerrata popull koti nuk na i besoka më, as ata, as partitë, as shoqatat, as portalet, as opozitën…

    Më keq do bëhet për sa kohë Mandrat, Sandrat, Riku dhe ai që u hedh kokrra nga fiku, të vazhdojnë të shohin qimen te syri tjetrit, por jo trarin që kanë vetë në gojë.

    Kaq për sot, siç thotë dhe zoti Quku.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit