5.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Qiratë ditore të apartamenteve, tregu i falimentuar ende pa u formalizuar

    Numri i apartamenteve dhe shtëpive për dhënie qiraje në AirBnb apo Booking është rritur ndjeshëm në vend vitin e kaluar, kjo për shkak të fluksit të lartë të turistëve të huaj.

    Në Tiranë për vitin e kaluar, sipas të dhënave të AIRDNA (struktura për të dhënat e platformës AirBnb) për “Monitor”, të ardhurat nga pronat ishin 11,7 milionë USD. Për vitin 2022 të hyrat nga qiratë e shtëpive në AirBnb ishin 7,3 milionë USD. Në raport me 1 vit më parë, arkëtimet u rritën 60%.

    Por agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme parashikojnë mbyllje të një sërë strukturash që jepen me qira ditore apo kthimit të tyre për dhënie me qira afatgjatë, pas ndryshimeve ligjore për formalizimin e tyre.

    “Jo të gjithë po vijojnë t’i mbajnë këto aktivitete. Shumë prej tyre po zgjasin 3 deri 6 muaj, pastaj e mbyllin. Kemi pasur raste që e mbyllin si biznes dhe më pas e merr dikush tjetër apartamentin me qira për ta ri dhëne me qira ditore. Më tepër këto biznese po mbyllen nga individë që përveç të ardhurave nga punësimi, siguronin të ardhura të tjera nga qiraja afatshkurtër”, pohon Lorina Rada nga agjencia imobiliare “Century 21 CPM”.

    Në total në Tiranë për vitin 2023 ishin të listuara 34,834 prona, duke përfshirë apartamente, shtëpi apo vila pushimi. Krahasuar me 2022 numri i tyre u rrit 31%. Numri më i lartë i pronave të listuara në Tiranë varion në periudhën korrik-dhjetor, me përkatësisht deri 3,000 prona të listuara në muaj. Për 2023 kërkesa për net-qëndrimi u rrit 78%. Prezenca e turistëve të huaj në Tiranë është konstatuar nga rritja e fluksit të frekuentimeve, sidomos në zonat kryesore, si: Pazari i Ri, pranë kalasë së Tiranës, ish Blloku etj.

    Problematikë e tregut është edhe rreziku i flluskës për shkak të çmimeve shumë herë më të ulëta krahasuar me shtetet e Europës, e ndikuar nga oferta e larta.

    Nëse prenoton një apartament me qira në Booking në shkurt, çmimet e tyre për 1 ditë nisin nga 3,300 lekë deri në 10,000 lekë për shtëpi me lokacion deri 500 metra larg qendrës.

    Por çfarë tregojnë në të vërtetë këto shifra?

    Edhe pse sipas statistikave kemi të bëjmë më rritje të kërkesave për marrje shpish me qira ditore, ai është një investim afatgjatë i bërë nga njerëzit. Që do të thotë se për të pasur një shtëpi për ta dhënë me qira në minimum mund ta kesh blerë atë 50 mijë euro dhe pastaj në shifra të tjera deri në 100 mijë euro apo më shumë. Për këtë në shumicën e rasteve duhet marrja e një kredie për të bërë investime në këtë fushë. Le të qëndrojmë pak në këtë logjikë.

    Nëse ju referohemi shifrave të mësipërme ku flasim për një gjenerim të ardhurash 12 milionë euro për 35 mijë apartamente, që do të thotë mesatarisht për apartament 350 euro. E kjo do të thotë kthim investimi pas më shumë se 200 vitesh kur një apartament e ke marrë 100 mijë euro apo 140 vitesh kur e ke marrë më pak. Kjo do të thotë që ky lloj tregu është i vështirë të mbijetojë në vendin tonë, duke e krahasuar atë me vendet e tjera.

    Nëse do të sjellë formalizimi i tij një rregullim të tregut mbetet për tu parë. Njësitë do të rrisin çmimet dhe një pjesë e tyre do e mbyllin aktivitetin, në të kundërt mbetet një “flluskë sapuni” që u ngrit nga informaliteti “i parave në të zezë”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit