Fermerët nuk gjejnë treg për shitjen e qumështit të lopës si lëndë të parë përpunimi, pasi çmimi i kërkuar për blerje brenda një viti është ulur 25%.
Fabrikat e përpunimit të qumështit pohojnë se çmimi i qumështit nga fermeri shqiptar, edhe pas rënies së çmimit, vijon të mbetet më i shtrenjti në Europë, pasi subvencionet e dhëna nga shtetet europiane ndaj fermerëve të huaj ndihmojnë në uljen e kostove.
Drejtues të fermave të mesme pohojnë se nuk po shesin qumësht te fabrikat e përpunimit për shkak të mosdakortësisë me çmimin. Për periudhën janar-mars, importet e qumështit u rritën rreth 33% krahasuar me vjet, sipas të dhënave të Doganave. Sasia e qumështit të importuar për janar-mars arriti në 4,6 milionë litra, më e larta që nga viti 2016.
Sa është ulur çmimi i shitjes së qumështit të lopës
Ervin Resuli, drejtues i një ferme të mesme në Fier, pohon se aktualisht nga fabrikat e përpunimit të qumështit nuk po blihet qumësht i prodhuar nga fermat e mëdha dhe të mesme, për shkak të konflikteve me çmimin. Të vetmit që po shesin qumështin me çmim 60 lekë, nën koston e prodhimit janë fermat e vogla.
Resuli tha se situata është krijuar pas rënies drastike të çmimit të shitjes që rrezikon falimentimin e fermave. Sipas tij, nga muaji prill 2023, kur qumështi tregtohej me çmim 80 lekë pa TVSH, deri tani çmimi i shitjes ka rënë 20 lekë për litër.
Brenda një viti çmimi i shitjes së qumështit së lopës për fermerët është ulur 25%, nga 80 lekë pa TVSH që ishte në muajin prill të vitit të kaluar, aktualisht po kërkohet me 60 lekë pa TVSH. Në harkun e 1 viti çmimi i shitjes së qumështit është ulur disa herë me 2 deri 3 lekë. Ulja e fundit u shënua më 1 Prill 2024 edhe me 10 lekë të tjera. Çmimi i shitjes së qumështit nga 70 lekë pa TVSH arriti në 60 lekë pa TVSH.
Ulja e çmimit të shitjes detyroi blegtorët të dalin për herë të dytë në protestë në mbrojtje të prodhimit tyre, duke kërkuar më tepër subvencione nga shteti shqiptar. Kjo është protesta e dytë që zhvillohet brenda pak muajsh, ku fermerët derdhin prodhimin e tyre në rrugë, ku një tjetër protestë u mbajt nga fermerët në muajin shkurt.
Rënia e çmimit të shitjes së qumështit nisi që në muajin dhjetor 2023. Taulant Pupa administratori i fabrikës së përpunimit të qumështit “Vita 2001” më herët pohoi për Monitor se nga fabrikat përpunuese në Korçë ka nisur rënia e çmimit të blerjes së qumështit për shkak të mungesës së shitjeve.
Sipas tij çmimet e qumështit të lopës në muajin dhjetor ranë 5 lekë për litër, duke arritur në 65 lekë pa TVSH. Madje disa fabrika sipas tij po e blejnë qumështin nga fermeri 50 lekë për litër pa TVSh.
Luis Ndreka nga kompania “Lufra” pohon se çmimi i qumështit si lëndë e parë ka qenë më i larti në Europë e ndoshta edhe në botë, deri afër fundit të vitit 2023. Sipas tij çmimi mbetet ende i lartë krahasuar me vendet europiane edhe me uljen e fundit të datës 1 prill 2024, për shkak subvencioneve që jepen ndaj fermerëve të huaj, duke iu garantuar rënia e kostove.
Rënia e çmimit të shitjes së qumështit që përdoret si lëndë e parë për prodhimin e produkteve të bulmetit, sipas tij është ndikuar nga tkurrja e konsumit të produkteve të gatshme.
“Pas luftës Rusi-Ukrainë në vitin 2022 kostot e ushqimit për mbajtjen e kafshëve u rritën, që solli reduktimin e krerëve dhe rënien e numrit të stallave prodhuese të qumështit. Rritja e kostove prodhuese u shoqërua me shtrenjtim të çmimit të shitjes së qumështit. Përgjatë 2022, çmimi i qumështit të lopës nga 58 lekë për litër pa TVSH deri në fund të vitit 2022 shkoi në nivelin e 73-74 lekë pa TVSH për litër.
Rritja e çmimit nxiti shumë interes në mbarështrimin e lopëve dhe shtimin e tufave. Në 2023 pati një rënie të lehtë të çmimit, duke shkuar në vlerat e shitjes 68-70 lekë për litër. Por sërish çmimi mjaft i lartë, krahasuar me shtetet europiane, nxiti shtimin e numrit të krerëve në stalla dhe për rrjedhojë edhe sasinë e qumështit të prodhuar.
Në këto kushte kur sasia është e lartë edhe çmimi vazhdon të jetë i lartë, por kërkesa për këto produkte në rafte nuk ka një rikuperim në të njëjtat nivele, natyrshëm kjo ka sjellë një reduktim të çmimit të qumështit në 64-66 lekë sot që flasim”, pohon ai.
Rriten importet 33% për muajt janar-mars
Sipas të dhënave të Doganave për periudhën janar-mars janë importuar 4,6 milionë litra qumësht, sasia më e lartë që nga viti 2016. Importet e periudhës krahasuar me vjet janë rritur rreth 33%.
Përpunuesit theksojnë se vijojnë të përqendrojnë furnizimet me lëndë të parë për prodhim te fermerit vendas, por sipas tyre krahasuar me jashtë çmimet e qumështit si lëndë e parë janë më të lira.
“Çmimi i qumështit që vjen nga fermat e importit është më i lirë. Javën që shkoi arriti minimumin prej 38 cent në derën e fermës në Hungari. Bashke me transport (që i shton rreth 20% kosto) dhe taksen mbrojtëse të prodhimit vendas 10%, ai vjen këtu në pikat e grumbullimit me kosto rreth 59-61 leke pa TVSH, përsëri më lirë sesa çmimi i ofruar tek fermerët vendas. Fermat e shteteve te BE-së, siç është Hungaria apo dhe shtete të tjera janë mbështetur shumë nga politika dhe subvencione dhe vazhdojnë të subvencionohen gjë që ia ul shumë koston e prodhimit”, pohon z. Ndreka.
Sipas të dhënave të doganave për muajt janar-mars u importuan 126,9 mijë kg qumësht pluhur. Krahasuar me janar-mars 2023 sasia e importuar ka rënë 54%.