Të dhënat e Eurostat për tremujorin e tretë të vitit 2025 tregojnë një rënie të ndjeshme të besimit të konsumatorëve në Europë për blerjen ose ndërtimin e një banese brenda 12 muajve të ardhshëm.
Shqipëria, me një vlerë prej -82.8 pikësh, renditet ndër vendet më pesimiste të kontinentit në këtë drejtim. Eurostat e mat indeksin e besimit përmes balancës së përgjigjeve.
Balanca llogaritet si diferenca midis përqindjes së atyre që mendojnë “po, do blej/ndërtoj” dhe atij që mendojnë “jo”. Një vlerë –82.8 do të thotë se pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare (rreth 80–85% më shumë sesa ata optimistë) nuk e shohin të mundshme blerjen ose ndërtimin e një shtëpie në 12 muajt në vijim.
Indeksi i balancës është negativ në të gjitha vendet dhe nënkupton se shumica e qytetarëve nuk presin të ndërmarrin një hap të tillë në afat të shkurtër.
Në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian (-77.9) dhe atë të vendeve të eurozonës (-79.0), niveli i besimit të konsumatorëve shqiptarë është më i ulët. Kjo tregon se pritshmëritë për blerjen ose ndërtimin e një shtëpie janë më të zbehta se në pjesën më të madhe të vendeve europiane.
Një pjesë e këtij pesimizmi lidhet me rritjen e fortë të çmimeve të banesave në Shqipëri, veçanërisht në zonat bregdetare dhe në Tiranë, ku kërkesa e lartë nga investitorët vendas dhe të huaj ka shtyrë tregun përtej mundësive reale të familjeve me të ardhura mesatare.
Besimi i konsumatorëve shqiptare për blerje banesë në 12 muajt në vijim ndodhet në një pozicion të ngjashëm me Belgjikën (-82.1) dhe Bullgarinë (-78.3), por më mirë se Italia (-88.9) dhe Serbia (-98.7), ku pesimizmi është edhe më i thellë.
Megjithatë, disa vende të tjera të Ballkanit si Mali i Zi (-72.6) dhe Kroacia (-72.5) kanë shfaqur pritshmëri disi më pozitive, ndoshta si rezultat i zhvillimeve më të qëndrueshme në sektorin e turizmit dhe investimeve të huaja në banesa.
Në të kundërt, vendet e Europës Qendrore dhe Veriore si Gjermania (-69.3) dhe Danimarka (-68.3) shfaqin nivele më të larta besimi, duke reflektuar stabilitet ekonomik dhe mundësi më të lehta financimi për qytetarët e tyre.
Në tërësi, besimi konsumator në Europë tregon një ngadalësim të dukshëm të gatishmërisë për investime në pasuri të paluajtshme.
Kjo lidhet me normat e larta të interesit që kanë vijuar të qëndrojnë në nivele të shtrënguara gjatë vitit 2025, pas politikave të Bankës Qendrore Europiane për të frenuar inflacionin, si dhe me pasiguritë e përgjithshme ekonomike që ndikojnë drejtpërdrejt tek vendimet e familjeve për shpenzime të mëdha.
Në rastin e Shqipërisë, rezultati -82.8 tregon hendekun midis të ardhurave dhe çmimeve të tregut të banesave, që është thelluar ndjeshëm vitet e fundit.
Ky tregues dëshmon se pronësia po bëhet një synim gjithnjë e më i paarritshëm për shtresat e mesme dhe të ulëta, ndërkohë që tregu i pasurive të paluajtshme mbetet i dominuar nga investime për qëllime fitimi dhe jo nga nevoja reale e strehimit.



