Një 22-vjeçare nga Kenia është dhunuar barbarisht rreth 3 muaj më parë në kryeqytet. E reja, e cila punonte në një kazino në Tiranë, u gjet me brinjë e kocka të thyera pranë banesës së saj dhe u dërgua tek Trauma ku ndodhet në gjendje kome.
Nëna e vajzës e cila njihej me emrin Joy ka kërkuar fonde dhe ka nisur procedurat për ta dërguar jashtë për shkak të gjendjes së saj të rëndë shëndetësore.
Sipas Spitalit të Traumës, pacientja me iniciale J. A., është paraqitur në spital rreth tre muaj më parë në gjendje të rëndë shëndetësore, (gjendje kome), është trajtuar nga stafi mjekësor dhe vlerësuar si gjendje e rëndë shëndetësore, me prognozë të rezervuar, raporton Neës 24.
Ndërsa policia, e cila ka pasur dijeni për ngjarjen, e ka mbajtur të fshehtë dhe ka reaguar vetëm sot pas bërjes publike të lajmit.
“Më datë 14.08.2022, një shtetase nga Kenia ka bërë denoncim për humbjen e kontakteve me shoqen e saj, shtetasen J. A., 22 vjeçe, nga Kenia, banuese në një banesë me qira, në rrugën “Pandeli Evangjeli”, e cila më pas u gjet pa ndjenja, në afërsi të banesës së saj.
Në lidhje me këtë rast sqarojmë se Komisariati i Policisë Nr. 1 ka vlerësuar denoncimin e bërë dhe ka reaguar në kohë. Në përfundim të veprimeve të para hetimore për këtë rast janë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka regjistruar procedimin penal, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Gjithashtu, sqarojmë se strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1 Tiranë kanë kryer të gjitha veprimet hetimore të deleguara nga Prokuroria, për sqarimin e rrethanave të këtij rasti”, informoi policia.
Por blutë, nuk dhanë detaje se ndaj kujt është ngritur procedimi penal për veprën “Plagosja e rëndë me dashje”.
Nëna e 22-vjeçares e cila ka ardhur në Shqipëri pas zbuloi lajmin për vajzën e saj ka deklaruar se “mjekët thanë se kishte tre brinjë të thyera, të dyja kockat e legenit të thyer, lëndime në dorë, shpinë, stomak. Tani, Joy është në koma dhe ushqehet përmes një tubi”.
22 vjeçarja u gjet pa ndjenja në afërsi të banesës dhe mbeten mister rrethanat e kësaj ngjarje të rëndë.