Nga Leart Kola
Politikës në Shqipëri i mungon kultura, ose me saktë jo kultura, se kjo e fundit sidoqoftë është një “pasojë” e aktivitetit intelektual e kjo do ishte shumë për t’u kërkuar, por në fakt i mungon tërësisht edukata ajo e thjeshta “qytetarja” që mësohet në librat e fillores. Fenomen që ndodh prej kohësh, por kam frikë që sot po bëhet e padurueshme, ja pse e mendoj këtë…
Këtë vit ne “festojmë” 30-vjetorin e pluralizmit, fakt është që vetëm emrin e ka të tillë, se në gjithë këto vite kanë qenë të njëjtët persona që kanë zëvendësuar njëri-tjetrin, njoh vende diktatoriale që kanë më shumë qarkullim dhe larmishmëri emrash, thënë kjo besoj se flas për shumicën ne nuk kemi si të besojmë verbërisht te pluralizmi aq me pak, kur ata që pritet të zëvendësojnë Ramën (24 vjet në pushtet), Saliu (30 vjet) dhe Meta (23 vjet).
Sidoqoftë ajo që na shpëton, është që ne, shqiptarët dmth, nuk kemi pritur asgjë nga qeveritë, as tani, as në diktaturë, as në mbretëri, as në sulltanat dhe i kemi provuar të gjitha. Qeveria për ne ka qënë gjithmonë gogoli që të kufizon të bësh atë që ta pret mendja në atë çast (shqiptarët janë të famshëm për të jetuar çastin, skanë as të shkuar dhe as të ardhme) dhe kryesisht këto “qeveri” kanë ekzistuar jashtë nesh jo vetëm metaforikisht por dhe fizikisht, qoftë ky Sulltani në Stamboll, Mbreti në Sauk apo Enveri ne Bllok, sjellja e tyre ka qenë e njëjtë po ashtu dhe ushtrimi i pushtetit.
Foucault thotë: “pushteti kalon nëpërmjet individeve, por nuk i përket atyre”, dhe ne shqiptarët këtë e kemi kuptuar të parët, ne nuk i besojmë ëndrrës liberale “që pushtetarët janë shërbëtorët tanë sepse i kemi dhënë votën etj”, ne e kuptojmë që shteti ekziston por më i rendësishëm është pushteti, i cili dhe ai nuk varet gjithmonë nga shteti, sepse pushteti është një zbulim i magjishëm i forcave, energjive, dinamikave historike, dëshirave, këmbënguljes.
Për këtë tek ne, zgjedhjet janë vetëm një datë për t’u hequr qafe, menjëherë pas tyre fillon beteja e vërtetë nën parimin “kush njeh kë dhe kush të mbaron punë ku”, këtu qëndron në fakt thelbi i pushtetit, për këtë arsye mosbesimi ynë te shteti është tërësisht i përligjur.
Thënë këtë shqiptari është prova e gjallë (mbase duhet mbrojtur nga UNESCO, por këtë vendoseni ju) që nuk beson për asnjë sekondë tek demokracia përfaqësuese dhe ne e përqeshim atë. Por dhe këtu ka një por të madhe, që gjithë kjo skenë të mbahet në këmbë (të paktën deri sa të ndërtohet Teatri i Ri) duhet që aktorët që e udheheqin atë (lexo qeveria), të luajë këtë teatër sepse është shumë e rendësishme që në një vend pa rregulla të kemi një komunikim normal, pikërisht për të ruajtur këtë balancë, dhe këtu kthehemi tek fenomeni dhe problematika e ngritur në fillimin e shkrimit, komunikimi i pushtetarëve me publikun.
Shteti dhe përfaqësuesit e saj, duhet të flasin për arsye pune në tre tonalitete, i pari ai zyrtari qe flitet nëpërmjet mjeteve të komunikimit në masë siç e sygjeron fjala me masën, i dyti me partinë administratën etj dhe i treti me persona privat nëpër dreka/darka, të cilët zakonisht janë ish-gangësterë sot sipërmarrës strategjikë kryesisht të armatosur se nuk i dihet asnjëherë.
Tani që teatri të funksionojë duhet që koha të ndahet në mënyrë proporcionale, nëpërmjet të trejave, por duke parë së fundmi komunikimin publik të shtetit, shoh që shteti ka kaluar shumë kohë me këtë grupin e tretë sepse nuk ka asnjë po asnje komunikim publik, që nuk është kërcënim, fyerje, bullizëm, sharje, ligjëratë rruge për t’u dukur sikur e flasim dhe gjuhën e rrugës… pse?!? Nuk e kuptoj ça kompleksi kanë që duan t’i tregojnë të fortëve që janë si ata…
Nga ana tjetër të fortët që siç e thamë më lart janë në fakt biznesmenë që çfarë nuk i kanë parë sytë në rrugët e Europës, nuk e kanë lexuar Foucault, dhe nuk mund ta dinë që “pushteti nuk është në vetëvete një relacion ekonomik, por është pikë së pari një relacion force”, pikërisht këtu gabojnë që shoqërohen me shtetar, sepse sado e sinqertë të jetë marrëdhenia financiare me të, prapë ai mbetet një aparat dhunë, dhe pikërisht është ky aparat dhune i dizajnuar që dashje apo pa dashje t’i marrë në qafe dhe ata, por ky është një problem tjetër, le të themi është problem i Foucault.
Populli që nuk gabon kurrë thotë që ndryshimi mes PS dhe PD është që këta të të majtës janë më të butë, Susan Sontag thotë: “mes dy duarve preferoj gjithmonë të majtën, sepse e djathta është dora e agresivitetit ose masturbimit, ndërsa e majta është varianti sentimental dhe romantik i saj”, pikërisht për këtë publiku pret që kjo e majtë në pushtet të sillet si e tillë, si një soft power.
Kjo është e vetmja diferencë, këta të PS, thotë populli, sidoqoftë janë më qytetarë, askush nuk i kërkon që të bëjne ndonjë gjë, nuk po pret njeri që këtu të zhvillohet ekonomia, të ketë barazi mundësish për të gjithë apo investime serioze e vetmja gjë që po kërkohet është që t’i rrini besnik të vetmes diference që këni me të djathtën dhe të flisni në publik me edukatë… kaq! A është kaq e veshtirë?
Sepse ka disa raste, ka disa dreq rastesh si kjo vrasja e 7-vjeçares në Himarë, që duhet vetëm ta ndjesh dhimbjen, duhet vetëm të goditesh plotësisht përfundimisht nga dhimbja, janë pikërisht ato rastet kur komunikimi “non grata… plaku i vdekur, i pakallur, mortja etj” nuk funksionojnë, janë jashtë konteksti dhe ju bëjnë të dukeni sikur realisht e keni humbur çdo receptor për të ndjerë diçka, nëse vërtet nuk ndjeni asgjë, atëherë bëni diçka të thjeshtë dhe konkrete si për shembull, të vesh atë mut litari që të mos futen skafet dhe motorrat e ujit në vendet ku lahen njerëzit.
Mund ta jepeni me PPP apo ta financoj BE-ja nuk e di po litari duhet vënë, nuk mundet që të iki dhe një jetë, e mos bëhet shembull për të shpëtuar jetë të tjera, nëse vërtet as nuk ndjeni asgjë, as nuk ju bëhet të bëni diçka, të paktën na kurseni këtë të folurën prej rrugaçësh dhe heshtni.