Katër anëtarë të rinj janë emëruar tek Bordi Mbikëqyrës i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, të cilët janë përfaqësues të institucioneve të administratës publike qendrore. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë.
Emrat janë të njohur si bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit Edi Rama. Eridana Cano është drejtore e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje në Kryeministri, Besmir Gjokuta po pjesë e stafit të kreut të qeverisë, Elira Kokona është një tjetër emër dhe Oltjon Muzaka që më parë ka qenë sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Financave dhe po ashtu ka mbajtur poste të tjera me rëndësi në administratë.
Kujtojmë se dhe më 26 Maj të këtij viti, Rama emëroi tek Bordi Mbikëqyrës i Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile dhe Bashkim Muçën, Iris Luarasin, Leart Kolën, Ylljet Aliçkajn dhe Vasilika Hysin.
VENDIMI I PLOTË
EMËRIMIN NË DETYRË TË DISA ANËTARËVE TË BORDIT MBIKËQYRËS TË AGJENCISË PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.10 093, datë 9.3.2009, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
Emërimin në detyrë të anëtarëve të bordit mbikëqyrës të Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, përfaqësues të institucioneve të administratës publike qendrore, si më poshtë vijon:
– Z. Oltjon Muzaka;
– Znj. Elira Kokona;
– Z. Besmir Gjokuta;
– Znj. Eridana Cano.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.