8.5 C
Tirana
E shtunë, 28 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rama fton në podcast tre të rinjtë fitues të garës në teknologji: Këta janë inteligjenca e Shkodrës, jo ajo artificiale

    Kryeministri Edi Rama kishte të ftuar në podcastin e sotëm tre të rinjtë e gjimnazit “28 nëntori” të Shkodrës, fitues të garës ndërkombëtare në fushën e teknologjisë.

    Rama i cilësoi gjimnazistët si të ftuar që janë “jo nga inteligjenca artificiale, por nga inteligjenca shkodrane”.

    Sipas kryeministrit ata janë tre çuna të gjimnazit “28 nëntori” të Shkodrës që kanë surprizuar gjithë Shkodrën dhe se sipas tij do të surprizojnë gjithë Shqipërinë, sepse kanë fituar një garë të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e teknologjisë me të rinj nga shumë vende të botës.

    I kam ftuar që të na tregojnë për shpikjen e tyre, por edhe për sesi arritën tek kjo shpikje dhe çfarë duan të bëjnë më tutje. Se thotë një fjalë, “oreksi vjen dule ngrënë”. Është këtu me mua Endri. Pastaj është Gerti, pastaj është Ermi. Tani kështu me gjatësi ju dukeni si tre breza, por ju jeni në të njëjtën shkollë dhe jeni në klasa të ndryshme. Si jeni bashkuar të tre bashkë, duke qenë në klasa të ndryshme”, shprehet Rama.

    Biseda e podcastit:

    Kryeministri Edi Rama: Sa veta janë në grup?

    -Grupi i përgjithshëm i laboratorit të inteligjencës artificiale të shkollës përbëhet nga 20 nxënës të klasave të dhjeta dhe të njëmbëdhjeta. Në finalizimin e projektit ne na kërkohet një ide, e cila dërgohet në festivalin ndërkombëtar të inteligjencës artificiale ku mund të dërgohen deri në 7 ide. Në këto 7 ide u përzgjodhëm unë, Gerti dhe Ermi për të krijuar një projekt dhe kështu u bashkuam së bashku.

    Kryeministri Edi Rama: Në cilat klasa jeni ju tani?

    -Unë dhe Ermi jemi në një klasë, në klasën e 11. Gerti është në klasën e 12.

    Kryeministri Edi Rama: Domethënë ti dhe ai jeni në një klasë.

    -Po

    Kryeministri Edi Rama: Po sa vjet keni diferencë moshe?

    – Unë në fakt jam pak më i madh se Endri, me diferencë muajsh.

    Kryeministri Edi Rama: Ti je më i madh se ky? Uau! Bukur. Tani, të paktën siç kam lexuar unë nga informacioni për këtë shpikjen tuaj është që ju keni bërë një projekt të inteligjencës artificiale me të cilin ju do t’i jepni zgjidhje transportit të mjeteve në Shkodër, por mund t’i jepni zgjidhje dhe në të gjithë Shqipërinë. Kush do flasë pak për këtë?

    -Po, ideja jonë ka lindur pasi në Shkodër ku është vendi ku kemi lindur dhe jetojmë kemi parë që ka shumë shkelje rrugore si parkimi ilegal i makinave, kundravajtje ose tejkalimi i shpejtësisë së lejuar dhe kemi parë që është një problem që na shqetëson shpesh ne, kështu që kemi menduar ta bëjmë këtë ide.

    Kryeministri Edi Rama: Po, dakord. Tani më thuaj pak si është jetësuar ideja?

    – Ideja është ende në fazën prototip, por ne shpresojmë që brenda 3-5 vjet të hapet në Shkodër dhe Tiranë.

    Kryeministri Edi Rama: Pra prototipi është gati, por duhet zhvilluar

    -Po.

    Kryeministri Edi Rama: Dhe pse merr kaq kohë zhvillimi?

    – Janë etapat e projektit që kërkojnë kohë sepse duke përfshirë shumë zgjidhje që do të bëhet për lehtësimin e trafikut, shkeljet rrugore, kërkohet shumë etapa për të arritur në këto finalizime.

    – Sistemi jonë është një sistem kompleks. Që të mos kryejmë gabime, ne duhet ta shikojmë me kujdes dhe të bëjmë shumë prototipe para se do jepet një version konkret.

    -Një arsye tjetër që do shumë kohë për ta bërë është dhe problemet që mund të kenë si për shembull: moti i keq, ku është shumë e vështirë të shihet targa ose makina që është duke shkuar. Mund të jenë probleme me vetë sistemet që duhen zgjidhur para se të lirohet, ka shumë elemente të tjera që kanë lidhje me këtë

    Kryeministri Edi Rama: Po ju duhet të filloni ta testoni sistemin apo jo?

    – Kur të mendojmë që jemi gati, shpresojmë të dërgojmë në Shkodër që të bëjmë teste gjenerale.

    Kryeministri Edi Rama: Kur mund të jeni gati për testime?

    -Afërsisht pas 4 vite ose 5.

    Kryeministri Edi Rama: Në Shkodër flas.

    – Në Shkodër besoj se 1-2 mund të bëhen testet e para me kamerat e rrjetit të Shkodrës. Shpresojmë të hapim sa më shumë gjatë këtyre viteve.

    Kryeministri Edi Rama: Jeni mjaftueshëm apo keni nevojë dhe për ndihmë, për të tjerë që të përfshihen.

    -Patjetër! Para disa javësh ne kemi zhvilluar një takim me kryetarin e bashkisë zotin Benet Beci, i cili ishte i interesuar për projektin tonë. Ne ia shprehëm disa kërkesa, të cilat ishin për zhvillimin e këtij projekti në qytetin e Shkodrës. Ofroi ndihmën dhe mbështetjen e tij si nga ana financiare, ashtu dhe nga ekspertët e fushës, që implementimi në qytetin e Shkodrës të kryhet maksimumi në dy vite.

    Kryeministri Edi Rama: Po për pjesën teknike flas, ju mund ta bëni të gjithën vetë apo ju duhet dhe mbështetje.

    –  Kryesisht ka qenë zhvillimi me kujdes, ndoshta me ekspertë ne mund ta zhvillojmë sa më shpejtë dhe sa më mirë këtë projekt.

    -Ne na duhet më shumë orientim për të mësuar më shumë gjëra mbi këtë. Pasi është një ide shumë  e mirë dhe e vështirë për ta kryer.

    Kryeministri Edi Rama: Le të themi që kaluam këto dy vjet në Shkodër dhe sistemi është aty. Çfarë bën ky sistem.

    – Sistemi është i bërë për të dalluar shkelje rrugore, shkelje trafikore.

    Kryeministri Edi Rama: E kuptova këtë, por ma shpjego pak nga ana konkrete. Si organizohet sistemi, të dhënat ku mblidhen. Çfarë tregojnë këto të dhëna dhe si kjo pastaj ndikon në të gjithë disiplinimin e trafikut.

    -Sistemi jonë përdor inteligjencën artificiale për të dalluar shkeljet rrugore. Ajo i ruan në database, pastaj më vonë, pas disa vitesh do të jenë ne e-albania për të bërë një raportim automatik të gjobave.

    -Diçka tjetër, që kur ta dërgojmë në Shkodër është sesi do reagojnë njerëzit, publiku ndaj kësaj, a do ketë reagime të mirë ose të këqija. Dhe si do të shkojë dhe për të bërë test gjeneral si do të jetë në rrugët në kohë reale.

    Kryeministri Edi Rama: Sistemi i inteligjencës artificiale ka një të mirë të madhe që nuk ka kushërinj, nuk ka vese, nuk korruptohet, nuk funksionon me korrupsion. Është një sy komplet i pavarur nga të gjitha këto që sheh gjithandej, që nëpërmjet gjithë sistemit të kamerave që janë të instaluara që mbledh informacionin dhe pastaj jep raportin objektiv që në këtë vendndodhje kjo makinë me këtë targë është gabim, apo jo? Dhe atij që i shkon gjoba i shkon bashkë me kartolinën dhe nuk ka se pse mos të funksionojë apo jo?

    -Po dhe shpresoj ta kthejmë në digjitale me e-Albania dhe për ta bërë sa më të lehtë pra dhe për ta paguar gjobën.

    Kryeministri Edi Rama: Qartë, qartë, është shumë e qartë si gjë, po do kërkojë edhe një qendër operacionale besoj, ku do të mblidhen të dhënat. Keni shumë emocione akoma, po duhet t’i heqësh këto emocione se kjo është bisedë e lirë, nuk është provim, apo ju në provim s’keni emocione, këtu keni emocione? Kur e keni nisur këtë rrugëtimin? Ta fillojmë nga ti. Kur   keni nisur rrugëtimin me teknologjinë?

    -Personalisht , gjithmonë kam pasur ose kam shprehur interes  rreth fushës së  inteligjencës artificiale duke parë dhe projekte që na informonin nga shkolla apo ..

    Kryeministri Edi Rama: Po ti nuk flet kështu kur je në tavolinë me shokët… ‘’Personalisht, kam filluar të…. Flit sikur je te Kafja e Madhe, ça ke , pse shqetësohesh? Fol sikur je te Kafja e Madhe, se kur të jesh te Kafja e Madhe s’ke pse vjen këtu fare pastaj. Po të rrish në Kafe të Madhe, nuk vjen këtu.

    -Duke shprehur interes për fushën e Inteligjencës Artificiale, duke aplikuar në çdo projekt, në gjimnaz po ashtu shpreha interes dhe po ashtu u bëra pjesë e grupit “AI for youth’’. Pastaj ..

    Kryeministri Edi Rama: Me mësimet si shkon? Me mësimet e tjera?

    -Shumë mirë.

    Kryeministri Edi Rama: Shumë mirë sa?

    – Të gjitha 10-ta.

    Kryeministri Edi Rama: Të gjitha 10-ta?

    -Po. Asnjë 9. Të tre.

    Kryeministri Edi Rama: Të tre me të gjitha 10-ta , asnjë 9-të në të gjitha fushat?

    -Po.

    Kryeministri Edi Rama: Po tani kjo vjen ngaqë ju marrin mësuesit me të mirë apo jeni vërtetë shumë të mirë?

    -Besojmë që jemi të mirë sepse mësuesit ndryshojnë, nuk është se të gjithë mësuesit kanë atë që  të falin për notë. Secila kërkon maksimumin nga lënda e vet.

    -Edhe kemi provuar edhe me olimpiadat. Unë, Gerti dhe Endri kemi marrë pjesë në disa olimpiada. Kemi kaluar në disa faza dhe shpresojmë se edhe kjo është si vërtetim për rezultatet tona.

    Kryeministri Edi Rama: Po ti si e ke filluar këtë rrugën e teknologjisë?

    -Fillimin unë krejt, kam filluar të interesohem për AI kur kam hyrë në gjimnaz. Gjatë vitit të parë, unë Ermi dhe disa të tjerë kemi hyrë në një projekt në bibliotekë që është bërë vjet në Shkodër.

    -Është një konkurs për të treguar idetë e të rinjve, që janë risitë teknologjike.

    – Dhe nga ajo pata shancin që të merrja pjesë edhe në konkurs në grupin AI për të mësuar gjatë vitit shkollor ku kem bërë edhe laboratorin e Inteligjencës Artificiale dhe nga ajo kemi bërë grupin unë , Ermi dhe Endri dhe kemi nisur një sërë projektesh, projekte si ai që kemi shkuar para disa ditëve, pardje, dhe kemi fituar një çmim dhe projekti që kemi fituar në një festival.

    Kryeministri Edi Rama: Po ti kur ke filluar të merresh me kompjutera?

    -Unë që i vogël kam qënë i interesuar për kompjutera, kam hapur komjutera, kam provuar  t’i mbyllja, por pa sukses dhe në bibliotekë u bëra bashkë me Gertin dhe disa shokë të tjerë. Ai na rriti, na motivoi ndoshta dhe në shtator na erdhi mundësia për të hyrë tek ky projekt dhe sigurisht pranuam.

    Kryeministri Edi Rama: Çfarë bërë për ta pasur kompjuterin e parë? Ça bëre? Si ishte kompjuteri i parë? Hera e parë që ke prekur kompjuter me dorë?

    -Kompjuteri i parë, se ka kaluar shumë kohë, më duket se ishte një kompjuter i 2002-shit dhe domethënë e kam hapur, edhe pse prindërit…

    Kryeministri Edi Rama: Ku ishte, në shtëpi?

    -Po, në shtëpi.

    Kryeministri Edi Rama: Ua prishe kompjuterin prindërve?

    -Kam provuar, fatmirësisht u rregullua.

    Kryeministri Edi Rama: Çfarë bëjnë prindërit?

    -Babi im është ekonomist në një firmë private ndërsa mami është drejtoreshë tek gjimnazi “28 Nëntori’’.

    Kryeministri Edi Rama: Po prindërit e tu ça bëjnë?

    -Mamaja ime është pedagoge tek universiteti “Luigj Gurakuqi’’, kurse babai ka një biznes.

    -Ndërsa babai im ka një biznes, ndërsa mami është mësuese.

    -Kryeministri Edi Rama: Domethënë e paskeni  në shtëpi komponentin e mësuesit të tre?

    -Po, kuptohet.

    Kryeministri Edi Rama: Tani po filloj ta kuptoj si jeni bërë nxënës kaq të mirë sepse ju e paskeni pasur jetën e do ta keni deri në fund, mësues në shkollë e mësues në shtëpi.

    -S’ndahemi nga shkolla.

    Kryeministri Edi Rama: Po përtej kësaj pjesës së teknologjisë dhe pasionit për kompjuterat, ça pasionesh të tjera keni?

    – Më pëlqen më shumë lënda e fizikës, matematika, kimia ku në universitet shpresoj të ndjek inxhinierinë biomjekësore.

    Kryeministri Edi Rama: Përtej këtyre, ke ndonjë kënaqësi tjetër? Të pëlqen sporti? Të pëlqen muzika? Të pëlqejnë gocat? Ça kënaqësish të tjera ke?

    -Po, më pëlqën. Unë kam qenë gjatë gjithë jetës sime një njeri sportiv. Jam marrë me basketboll , futboll.

    Kryeministri Edi Rama: Sa vjeç je ti?

    -Unë jam 18 vjeç. Shkoj rregullisht në kalçeto për të luajtur futboll me shokët dhe shkoj rregullisht në palestër që të bëhem më mirë.

    Kryeministri Edi Rama: Shkon rregullisht në palestër? Bën fitness?

    -Po, pasi është diçka relaksuese për mua që të qetësohem nga mësimet, nga stresi i përditshëm.

    -Unë për vete kam luajtur basketboll përpara 2-3 vjetësh

    Kryeministri Edi Rama: Ke luajtur basketboll?

    -Po. Jam quajtur si driblues ndoshta.

    Kryeministri Edi Rama: Ke qenë playmaker?

    -Po, playmakeri. Edhe unë kam qejf të kem një jetë sa më aktive, sa më sportive.

    Kryeministri Edi Rama: Me ça merresh me sport?

    -Me sport jam marrë me basketboll, por tani edhe tek edukimi fizik ndoshta, pak futboll, pak volejboll, pak nga të gjitha.

    -Ndërsa unë nga pjesa e notit, pra kam qejf shumë të notoj. Po ashtu futbolli dhe pjesa e palestrës pas mësimit.

    Kryeministri Edi Rama: Po përtej shkollës dhe palestrës, ça tjetër mund të bësh në Shkodër? Ça aktivitetesh të tjera bëni me shokët dhe me shoqet?

    -Dalim.

    -Mund edhe të bëjmë lojëra në një sallë kompjuterash , mund të dalim të bëjmë xhiro me shokë e shoqe, mund të dalim për kafe. Kështu.

    Kryeministri Edi Rama: Edhe për kafe?

    – Tani në Shkodër janë duke u ndërtuar palestra për basketbollin. Shpresojmë që të jenë sa më shumë funksionale që t’i vizitojmë.

    Kryeministri Edi Rama: Ti ke ndonjë lidhje me Astrit Zaganjorin se nga mbiemri..

    -Astrit Zaganjorin? Babi.

    Kryeministri Edi Rama: Nooooo.

    -Cili Astrit se janë disa Astritë?

    Kryeministri Edi Rama: Astrit Zaganjori basketbollisti.

    -Jo. Jo, e kam në lagje.

    Kryeministri Edi Rama: E pra, thashë. Janë disa Astrita. Se Zaganjori ka qenë basketbollist.

    -Po, e di. Ma thonë të gjithë, “djali i kujt je? Djali i Astrit Zaganjorit? Babi ka luajtur basketboll, po ti?’’. Por s’kam lidhje.

    Kryeministri Edi Rama. Po, kemi luajtur bashkë. Kemi qenë bashkë. Kemi  qenë kundërshtarë .Kemi qenë edhe në ekipin kombëtar me Sokol Kalajn. Sokol Kalajn e keni dëgjuar? Sokol Kalaj ka qenë basketbollisti më i jashtëzakonshëm i Shkodrës në kohën që mbaj mend unë, se ka pasur edhe të tjerë përpara, por ka qenë Refiku, ka qenë edhe Radoja, kanë qenë edhe të tjerë po Sokoli ka qenë vrastar sipas meje.

    -Dikur sporti ka qenë shumë i zhvilluar. Besoj tani ka ardhur pak pjesa e Inteligjencës artificiale.

    Kryeministri Edi Rama: Sporti është i jashtëzakonshëm për shumë arsye, jo vetëm për trupin, po sporti është shumë i jashtëzakonshëm edhe për mendjen, edhe për të kuptuar shoqërinë, për të kuptuar si funksionojnë marrëdhëniet brenda një grupi të caktuar, për të kuptuar vlerën e qëllimeve të përbashkëta, për të kuptuar se si me aftësitë individuale doemethënë në shërbim të qëllimit të përbashkët etj, për të kuptuar si funksionon egoja e njeriut, e kështu me radhë, kështu që është e jashtëzakonshme. Po ju nuk jeni përfshirë në këto organizimet që kemi bërë ne të sportit nëpër shkolla. Se kemi ekipe të mira, tek 28 nëntori.

    – Po kemi ekipin e sporteve, aty ndahet volejboll, basketboll dhe futboll. Unë personalisht kam marrë pjesë te ekipi i futbollit, sepse preferoj më shumë ndoshta se jam marrë më shumë me futboll, sesa sportet e tjera. Kemi patur përfaqësime dinjitoze nga gjimnazi ku mund të kemi fituar edhe çmime të para. Si futbolli, ashtu edhe basketbolli dhe volejboll.

    Kryeministri Edi Rama: Po, kur të mbaroni gjimnazin, ku e keni synimin pas gjimnazit?

    – Nuk e kemi vendosur ndoshta ende, por Shqipëria, Tirana.

    Kryeministri Edi Rama: Në çfarë dege?

    – Unë për vete inxhinieri areohapësinore.

    – Unë veçanërisht do kisha dashur inxhinieri bio-mjekësore.

    – Ndërsa unë inxhinieri softuerë, midis këtyre të dyjave. Inxhinieri softuerë dhe IT.

    Kryeministri Edi Rama: Shumë mirë. Shkodra si po iu duket, po ndryshon pak?

    – Shkodra po. Kanë ardhur turistë sidomos gjatë sezonit veror. Korsitë e biçikletave që ne i përdorim ndonjëherë kur lëvizm domethënë, është zbukuruar.

    – Po ne kemi parë ndryshimin e rrugëve, si për shembull mund të jenë rregulluar disa rrugë të ndryshme që dikur kanë qenë të prishura ose në kushte jo shumë të mira.

    – Shihet gjallëria  e qytetit të Shkodrës, ndoshta dhe me përfshirjen e shumë aktiviteteve që organizohen jo vetëm sitën e verës, por tani kanë filluar që të organizohen edhe në vjeshtë. Vetëm një kërkesë mund ta shprehim që me u ndërtuar sa më shumë hapësira, me luajtur volejboll, basketboll, sepse, gjithë shokët tanë janë në stërvitje, kështu që pse mos të krijohen falas për të gjithë të rinjtë.

    Kryeministri Edi Rama: Është më e pastër besoj?

    – Sidomos te unë që jetoj afër liqenit, e shoh është shumë më i pastër.

    Kryeministri Edi Rama: Më i pastër, ishte problem i madh.

    – Është krijuar hapësirë, rregull pak më i fortë. Po dhe tani kalimi në Shirokë me biçikletë është një aktivitet mjaft i bukur. Pra është diçka që e bën me kënaqësi tani.

    – Më mirë me shku në Shirok me shokët, sesa me nejt në një kafe të mbyllur.

    Kryeministri Edi Rama: Normal patjetër. Po në klasë si e keni atmosferën, nëpër klasa. Domethënë ka interes nga të gjithë për mësimin apo ka edhe shumë….

    – Natyrisht interesi për mësimin ekziston në çdo shkollë apo gjimnaz.

    Kryeministri Edi Rama: Mos fol me parulla tani, po them te klasa jote si është interesi. Sa jeni me 10, Sa jeni me 9, Sa jeni me 8, Sa jeni me 5, Sa jeni me 1-sha. Sa, si ndahet?

    – Pjesa më e madhe e klasës sime janë me 10-ta. Sepse jemi një klasë që kemi shumë potencial për mësime, po përfshihemi edhe në aktivitete të ndryshme. Jemi 40 veta, jemi klasë e madhe relativisht. Disa domethënë. 40% janë me 10-ta, disa me 9-ta, të gjithë jemi afër. Kemi një lloj dëshire të gjithë, edhe nëse merremi me aktivitete të ndryshme, por kemi një lloj dëshire.

    – Kurse unë jam në klasën e inxhinierisë, pasi jam në vit të tretë dhe aty ka më shumë nxënës që kanë të njëjtin interes, si matematikë, fizikë, kimi dhe kështu shumica janë nxënës të mirë, po ka nxënës që mund të çalojnë po mundohen të mësojnë.

    Kryeministri Edi Rama: Domethënë është çdo gjë për bukur s’keni asnjë thyerje disiplinë, s’keni asnjë që nxjerr gjuhën kur kthehet mësuesja nga dërrasa e zezë nuk keni domethënë. Paskan rënë engjëjt në tokë në shkollën tuaj.

    – Jo jo, në klasën tonë mund të ketë ndonjë, por nuk është se bën gjëra shumë të mëdha ose të këqija, ndonjë shaka, këtu atje.  Jo shumë.

    – Çdo klasë ka njerëz shakatarë.

    Kryeministri Edi Rama: 1 vetëm në Shkodër?

    – Një ose dy, varet prej klasës.

    Kryeministri Edi Rama: Po me shoqet si shkoni? Se unë jam shumë i surprizuar që, pozitivisht këtë rast që ju jeni tre djem që keni bërë një ekip, që keni shkuar në një festival ndërkombëtarë, që keni fituar një çmim goxha inkurajues, se zakonisht, nxënëset më të mira janë vajza, nxënëset me aktive jashtë programit mësimor janë vajzat, nxënëse që shkëlqejnë edhe në aktivitet sociale dhe kulturore janë vajza. Në sport vajzat duken shumë më të interesuara dhe më të shkathta se djemtë.

    – Vazhdojnë të jenë.

    – Kanë filluar duke ndryshuar kohët.

    Kryeministri Edi Rama: Po përmirësoheni ju?

    – Po barazohemi, po s’mund t’i afrohemi.

    – Mund të bëhemi më mirë po, jo!

    Kryeministri Edi Rama: Si afroheni dot?

    – Jo.

    Kryeministri Edi Rama: Po pse?

    – Se dimë. Vajzat janë domethënë, gjithmonë interesohen, gjithmonë janë të kujdesshme ndoshta.

    Kryeministri Edi Rama: Si afroheni dot? Jo, jo mund t’i barazoni.

    – Mund t’i barazojmë.

    – Ndryshojmë te mënyra se si rritemi. Disa mund të jenë që shikojnë shumë gjëra, disa mund të jenë aktiv. Po ka të bëjë mënyra se si rritemi, s’ka të bëjë gjinia.

    – Për mua grupi jonë mund të jetë një shembull që djemtë mundem me arritur, domethënë nuk është se duhet me i ndarë me thikë gjërat.

    Kryeministri Edi Rama: Jo! Nuk është punë thike. Po të shohësh vajzat, janë më shumë, djemtë janë më pak kur flitet për nivelet e sukseseve. Në këtë periudhë kohe se mbase në universitet filloni e barazoheni. Mbase më vonë për arsye për arsye edhe të vetë jetës, vajzat bëhen nëna, kanë shumë më tepër angazhime. Djemtë bëhen burra, kanë shumë më tepër justifikime, apo jo? Në shtëpinë tënde për shembull si është raporti i forcave. Domethënë, ti me kë, i ndan ato, kur thua për shembull kam bërë gabim, ose shiko pëlqej një vajzë, si i bëhet? Ti me kë i ndan me mamin apo me babin? Pjesën e konfidencialitetit me kë e ke?

    – Në fakt jam pak më shumë i lidhur me motrën, domethënë kemi dhe një afërsi moshe.

    Kryeministri Edi Rama: Motra është më e madhe?

    – Po.

    Kryeministri Edi Rama: Ah po ti qenë me fat.

    – Po ne i tregojmë njëri-tjetrit gjëra personale apo rreth shkollës, e ndihmojmë njëri-tjetrin për gjëra të ndryshme.

    Kryeministri Edi Rama: Po midis mamit dhe babit?

    – Babi.

    Kryeministri Edi Rama: Kë ke “ministër të jashtëm” e kë ke “ministër të brendshëm” aty?

    – Me babin ndoshta pak më shumë marrëdhëniet.

    Kryeministri Edi Rama: Marrëdhënie me jashtë i ke me babin, kurse punët e brendshme i ke me mamin.

    – Dihet, takimet me prindër me mamin.

    Kryeministri Edi Rama: Normal, patjetër.

    – Babin e kemi në qoftëse bëjmë gabime, në konfidencial.

    Kryeministri Edi Rama: Me babin?

    – Sidomos kur e ke mamanë mësuese.

    – Gabimet jashtë nuk janë problem, por gabimet në shkollë aty fillon problemi.

    – Unë mendoj se baballarët janë pak më të qetë, mendoj unë. I mendojnë situatat me qetësi,  ndërsa mamatë çfarë kem marrë në test, i kemi provuar, i dimë shumë mirë këto. Dhe Endri kuptohet.

    Kryeministri Edi Rama: Janë më të qeta, apo janë më pak të interesuara, si mendon ti? Mos e marrin pak më lehtë.

    – Gjys-gjys. Ndoshta mami mund të jetë pak më shumë rreth pjesës së notave, ndërsa babi nuk e mendon se gjithçka duhet të jetë shkolla, rëndësi ka formimi i fëmijës, nuk mund të jetë i prirur ndaj notave, mund të jetë i prirur në një fushë tjetër. Ok, ne duhet të fokusohemi te shkolla, por e rëndësishme është që të kemi një formim, ne si individ, si person.

    Kryeministri Edi Rama: Patjetër, po të dyja bashkë.

    – Mund të jetë dhe fakti që mamatë tona janë mësuese e mund të dinë diçka më shumë për atë punë. Pasi ata kanë shumë vite eksperiencë dhe ndoshta dinë  çfarë mund të jetë shkaku i këtyre gjërave ose dinë çfarë vjen pas saj.

    Kryeministri Edi Rama: Patjetër. Po ti ke vëlla, motër?

    – Unë kam një motër më të madhe.

    Kryeministri Edi Rama: Qenkemi me fat juve

    -Po kuptohet, e kam si shoqe të ngushtë, shumë të afërt.

    Kryeministri Edi Rama:  Kjo është një nga arsyet pse juve jeni.. Po ti ke motër?

    -Po unë kam dhe motër e vëlla. Po janë 8 vjet më të mëdhenj se unë. Vëllai është 24 vjeç, ndërsa motra 29.

    Kryeministri Edi Rama:  Ti ke qenë kështu.

    – Fëmija i tretë.

    Kryeministri Edi Rama: Fëmija i ëmbëlsisë dhe i eksperiencës, prandaj ke dalë kështu si xhevahir, se je bërë mbas një kohe eksperience dhe mbas një kohe që kanë kaluar ato gjërat e panjohura të fëmijës së parë.

    – Është perfeksionuar formula.

    Kryeministri Edi Rama: Po pra po. Ti je rezultat i formulës së perfeksionuar, kjo nuk diskutohet prandaj të shkëlqejnë sytë. Shumë mirë. Edhe diçka tjetër kam dëshirë t’ju pyes. Po kështu në botë po them, në televizor, në rrjetet sociale, çfarë ndiqni.

    – Unë mund të ndjek më shumë miq po them, ndonjë aktor ose ndonjë komedian që më bën për të qeshur dhe kështu.

    Kryeministri Edi Rama: Kur je me shokët në tavolinë thua ‘’dhe kështu’’. Nuk u lirove nga emocionet. Këta të dy u liruan komplet, ti je i ngarkuar akoma.

    – E kam të theksit.

    Kryeministri Edi Rama: Po jo, po mirë mirë, kjo ‘’dhe kështu’’ thuhet kur je i emocionuar para kamerës se kur flet me këta nuk thua ‘’dhe kështu’’, nuk ka mundësi ta thuash. Po çfarë ndjek në rrjete sociale?

    – Persona me ndikim në shoqërinë tonë. Mund të jenë humoristë apo aktorë të njohur, të huaj, zakonisht më shumë.

    Kryeministri Edi Rama: Çfarë ke parë herën e fundit në Netflix?

    – Në Netflix më kujtohet diçka, ndoshta një dokumentar i vogël.

    Kryeministri Edi Rama: Të vogël, të madh dokumentari, aq është, por çfarë ke parë.

    –  Për humbjen e një avioni në Malajzi. Kam parë disa seriale.

    Kryeministri Edi Rama: Është një dokumentar shumë i bukur në Netflix, duhet ta shikoni që titullohet ‘’The Social Dilemma’’ edhe që është për zhvillimin e teknologjisë dhe flasin njerëz që kanë qenë brenda kësaj botës së inovacionit, në Google, Amazon, flasin psikologë, ekspertë edhe është i jashtëzakonshëm. Paksa i frikshëm, por i jashtëzakonshëm.

    – Çdo gjë është e frikshme sidomos tek teknologjia.

    Kryeministri Edi Rama: Po duhet ta shikosh. Është shumë i bukur. Po futboll sheh në televizor?

    –  Futboll, kombëtaren.

    Kryeministri Edi Rama: Kombëtaren patjetër, po

    – Kombëtaren dihet që e shohim. Ndoshta jo gjëra te Superioria, ndonjë ndeshje të bukur, El Clasico, Champions League.

    Kryeministri Edi Rama: Po nuk je tifoz i ndonjë skuadre?

    – I Bayern kryesisht.

    Kryeministri Edi Rama: Ti me kë je tifoz?

    – Unë me Barcelonën.

    Kryeministri Edi Rama: Po e sheh rregullisht apo?

    – Ndeshjet kryesore. Ndërsa në Botëror me Brazilin. Nuk kam qenë nga ata personat që kanë ndryshuar, janë bërë me Gjermaninë pas ndeshjes me Brazilin.

    – Unë dhe Gerti gjithmonë me Gjermaninë.

    -Unë jam edhe me Realin. Jam ndjekës. E kam ndjekur që i vogël me babin. Ndjek edhe Gjermaninë.

    – Që në 2014 jemi bërë tifoza.

    – Jo, jo ne kemi qenë. Pasi mami im më tregonte për Gjermaninë, ajo ka qenë shtysë.

    – Në 2014 ka qenë një ditë shumë e bukur.

    – Edhe për mua ka qenë shtysë, për Brazilin.

    Kryeministri Edi Rama: Nuk e tradhtove Brazilin. Apo e tradhtove?

    – Po tani pamë rezultatin në Botërorin e 2022, ishte më mirë se Gjermania.

    Kryeministri Edi Rama: E mirë, pak më mirë, por jo dhe aq mirë.

    – Pjesë e urrejtjes. Gjithsesi më mirë ishte.

    Kryeministri Edi Rama: Pak më mirë, por jo dhe aq mirë. Po Vllaznia si shkon?

    – Vllaznia mirë, kemi humbur. Filluam jashtë sezonit, por tani kemi humbur disa ndeshje, disa barazime, por shpresojmë për më mirë.

    Kryeministri Edi Rama: Keni humbur disa ndeshje, keni bërë disa barazime, po keni fituar ndonjë gjë apo?

    -Në fillim kemi fituar disa ndeshje. Kemi 9 ose 8 pikë tani në kategori, po shpresojmë që të luajmë më mirë.

    – Ka marrë fokusin kombëtarja më shumë.

    Kryeministri Edi Rama: Kombëtarja po patjetër. Kombëtarja është bërë simbol i fitores. Shpresoj të zgjasi, por për momentin është bërë jo vetëm simbol i krenarisë dhe i përkatësisë, po edhe i fitores.

    – Është simboli ynë i krenarisë. Në Shkodër, në Tiranë, kur ka fituar ndeshjen Shqipëria me Poloninë, ishin aq shumë bori sa mezi dëgjohej, jo vetëm prej krenarisë.

    – Po kuptohet. Edhe kur kemi shkuar në Europian në 2016, kam qenë më i vogël kuptohet, por ndjeje fishekzjarre, bori. E gjithë Shkodra ka qenë ‘’flakë’’.

    Kryeministri Edi Rama: Të kthehemi te punët serioze, ne kemi një program për start-up dhe besoj që nëse do ta shikoni, mbase mund të bashkëpunoni dhe me Kryetarin e bashkisë, Benetin sepse Beneti një nga cilësitë e mira që ka të historikut të tij të punës, është që është shumë i zoti për të shkruar projekte dhe për të aplikuar për financime të organizatave të ndryshme, apo të fondeve të ndryshme, apo të programeve të ndryshme dhe mund të bëni një aplikim për të marrë mbështetje financiare për këtë inovacionin tuaj, në mënyrë që ta bëjmë realitet dhe ta bëjmë bukur sa më shpejt këtë modelin e inteligjencës artificiale për trafikun se mund të na shërbejë shumë pastaj për ta shtrirë në gjithë Shqipëri.

    – Edhe për të ndihmuar Policinë. Se Policia Rrugore sidomos lodhet në shi, në të nxehtë, në të ftohtë. Edhe për ata është shumë e rëndësishme kjo.

    Kryeministri Edi Rama: Patjetër që inteligjenca artificiale do ndryshojë rrënjësisht raportet e punës dhe raportet mes realitetit dhe institucioneve sepse do të japë mundësi të jashtëzakonshme në të gjitha fushat për të pasur një monitorim jashtëzakonisht të detajuar dhe jashtëzakonisht objektiv të shumë aspekteve që sot për sot bëhen vetëm nëpërmjet njeriut dhe sigurisht që, nëse, se sistemi i kamerave dhe monitorimi i trafikut me kamera nuk është e re, është e vjetër, por me futjen e inteligjencës artificiale, përpunimi i gjithë informacionit, dhënia e raporteve, jo thjesht shpejtësia në trafik, në pika të caktuara, por edhe mënyra e parkimit, shkeljet, sjellja me rregullat e qarkullimit është progres. Ju falenderoj shumë për vizitën. Ju përgëzoj shumë për punën në të gjitha aspektet. Edhe për dhjetat, edhe për pasionin dhe vullnetin për inovacionin dhe patjetër për faktin që jeni çuna të mirë që i bëni nder familjes, i bëni krenarë prindërit dhe jepni shembullin që, kudoqoftë mund të synosh sukses e mund të bësh sukses. Nëse nuk kërkon gjithë ditën justifikime, jo se kjo s’bëhet, jo po se këtu kështu, jo po se këtu ashtu, jo se ky më tha, jo se i thashë atij, po jo mo se kështu. Kështu që, për të gjitha këto respekte.  Faleminderit!

    Kryeministri Edi Rama: Edhe mos e harroni asnjëherë që çdo ëndërr që ju e shihni me sy hapur, është në gjendje ta realizojë në qoftë se ka gjithë fuqinë që të mos dorëzohet dhe t’i përballojë të gjitha vështirësitë e rrugës për ta realizuar.

    -Rruga është e vështirë, por ne duhet të punojmë.

    Kryeministri Edi Rama: Rruga është e vështirë, por ne nuk duhet të dorëzohemi. O ne, o rruga dhe në fund do të jetë ne.

    -Duhet!

    Kryeministri Edi Rama: Duhet dhe kështu do të bëhet. Me këtë bindje e sheh destinacionin dhe nuk dorëzohesh. Mund të rrëzohesh, mund të goditesh, mund të bjerë të fikët, çohu. ‘’Keep going, keep going, keep going’’. Këta tre çunat nuk janë kaq të ndrojtur sa u dukën sot. Nuk janë kaq të butë sa u dukën sot, por janë çuna të mirë dhe mbi të gjitha këta janë përfaqësues të një rrjeti djemsh dhe vajzash që ka filluar të lulëzojë në Shqipëri në mënyrë timide, por pak më pak. Zgjerohet dhe do të zgjerohet çdo ditë e më shumë, duke ju drejtuar rrugës së teknologjisë dhe duke kërkuar suksesin dhe rrugën e jetës përmes teknologjisë. Nuk ishte inteligjenca artificiale që i solli. Ishin këta të tre që sollën inteligjencën artificiale këtu në këtë podkast. Faleminderit!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit