Kryeministri Edi Rama mori pjesë në panelin e organizuar nga Chatham House në Londër me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian”. Në panel ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajić, dhe përfaqësuesja e Britanisë për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce. Diskutimi u moderua nga gazetarja Yalda Hakim.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi kompleksitetin e procesit të integrimit europian, duke e cilësuar si një kombinim mes kërkesave teknike dhe vullnetit politik. Ai vuri në dukje se, pavarësisht përmbushjes së kritereve teknike, mbështetja politike nga vendet anëtare të BE-së jo gjithmonë është e garantuar.
Rama u ndal edhe te perceptimi i vendeve të Ballkanit, duke kërkuar që të shmanget etiketimi i tyre si “më të dobëtit” apo “në fund të garës”, pasi sipas tij çdo vend ka ciklet e veta dhe duhet të vlerësohet në bazë të progresit konkret.
“Gjithësecili bën atë çfarë duhet të bëjë, pastaj disa të tjerë janë më të mirë pozicionuar në një moment të caktuar në kohë dhe disa të tjerë në një pozitë jo kaq të mirë, por gjërat ndryshojnë. Çdo vend duhet të ketë mundësinë të përmirësohet pa u etiketuar si në fund të garës apo në fillim të garës”, tha Rama, teksa më tej vendosi theksin edhe te ndryshimi që Britania e Madhe ka pësuar pas shkëputjes së saj nga Bashkimi Europian.
Ndër të tjera Rama komentoi edhe qasjen mbi emigracionin dhe mënyrën se si shqiptarët janë portretizuar nga politikanët britanikë.
Sipas Ramës, emigracioni është përdorur shpesh si një “kokë turku” për dështime të brendshme politike, duke shtuar se emigrantët shqiptarë luajnë një rol të rëndësishëm në shumë sektorë të jetës në Mbretërinë e Bashkuar.
“Më kujtohet ajo që u quajt referendumi i largimit…Shqipëria është bërë një temë edhe më e madhe, por problemi nuk janë shqiptarët apo emigrantët. Por problemi është ku të gjejmë kokën e turkut për këtë vendim katastrofik të largimit nga Europa. Mua më vjen keq, që kur dikush që quhej Suela, një tjetër qeveri që piketoi shqiptarët, “thjesht mbaje mend mos u merr me shqiptarët, sepse nëse të mallkojnë shqiptarët zhdukesh.” Këtu gjeta gazetarë që flisnin për të…Nëse i nxjerr nga vendi, kush do t’i bëjë këto punë…Cilët janë ata britanikë që do vijnë të kujdesen për kopshtet tuaja kaq të bukura. Edhe emigracioni është një kokë turku…Sigurisht ka problemin e paligjshmërisë, emigrantë të parregullt….”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama shpërtheu kundër politikanëve britanikë, duke u thënë “që të mbyllin atë dreq goje” kur flasin për emigrantët shqiptarë në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ambasadori ynë ka ardhur me skaf dhe sot është ambasador. Varkat e vogla kanë sjellë shumë njerëz me ëndrra, ambicie dhe që i bëjnë nder shoqërisë britanike. Ajo që ka rëndësi është që të paktën komuniteti ynë i shqiptarëve këtu po i jep mjaftueshëm Britanisë që politikanët britanikë që etiketojnë shqiptarët ta mbyllin gojën, ta mbyllin atë dreq goje, e të mos i përmendin shqiptarët për asgjë tjetër përveç se për gjërat shumë të mira”, tha Rama në fjalën e tij në në panelin Chatham House, me temën “Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian.
“Sepse shqiptarët po punojnë fort dhe janë krenar që janë pjesë e këtij komuniteti. Kështu që kushdo që i prek duhet të ta mbyllë atë dreq goje”, deklaroi Rama.