Një reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, që është cilësuar si “marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka sjellë për pasojë dhe një reagim nga kryeministri Edi Rama.
Në një mesazh në twitter, Rama shtron pyetjen nëse përdorimi i termave me emrat e kryeqyteteve, dhe jo të shteteve, është gabim serioz apo lapsus.
Mesazhi ne Twitter
“Beogradi dhe Prishtina? Një gabim serioz apo lapsus? Emri zyrtar i saj është Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Do të ishte e papranueshme nëse Sekretari i Përgjithshëm nuk do ta përdorte qëllimisht emërtimin e duhur. Ju lutem jepni sqarime sa më parë”, shkruan Rama.
Në reagimin e OKB një ditë më parë për takimin në Ohër mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, thuhet se:
“Sekretari i Përgjithshëm mirëpret lajmërimin e BE për marrëveshjen nga palët në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Tani është e rëndësishme që të dyja palët të punojnë me shpejtësi dhe mirëbesim për të realizuar të gjitha detyrimet e përcaktuara në marrëveshje. Kombet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve që rrjedhin nga dialogu Beograd-Prishtinë i ndërmjetësuar nga BE”.