Kryeministri dhe njëherësh kryesocialisti, Edi Rama, mblodhi mëngjesin e sotëm Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste ku dhe u prezantuan ndryshime e propozuara në Kodin Penal, të cilat synojnë që të ndalojnë pezullimin nga detyra të ministrave dhe funksionarëve të tjerë të lartë nga Gjykatat.
Drafti, i firmosur nga Rama, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja, pritet të depozitohet në Kuvend pas prezantimit në grup. Ndryshimet prekin nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, i cili aktualisht ndalon pezullimin vetëm për personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral, si deputetët dhe kryebashkiakët.
Me propozimin e ri, lista zgjerohet duke përfshirë Presidentin e Republikës, Kryeministrin, zëvendëskryeministrin, anëtarët e kabinetit qeveritar, Avokatin e Popullit, kreun e KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, duke i përjashtuar këta nga masa e pezullimit nga detyra.
Lidhur me këtë çështje kryeministri theksoi se nisma nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe nuk lidhet me rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku. Sipas tij, qëllimi është adresimi i një boshllëku ligjor i cili lejon pezullimin e funksioneve kushtetuese përmes vendimeve paraprake, duke krijuar precedent të rrezikshëm për ndarjen e pushteteve.
Sipas mazhorancës, ndryshimet nuk kanë fuqi prapavepruese dhe nuk ndikojnë në situatën aktuale të Ballukut. Çështja e saj pritet të trajtohet në Kuvend, përfshirë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ndërsa pritet edhe zbardhja e plotë e vendimit të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
“Dua të them që nisma thjesht dhe vetëm adreson një, juristët e quajnë boshllëk, unë e them një problem që nuk duhet të shfaqet më, s’duhet t’i shkojë askujt më në mend që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjyqtarit që i shkon nga mbrapa prokurorit pa arsyetuar, të marrë peng një funksion kushtetues. Kjo është kaq dhe e thjeshtë, ndërsa rasti konkret është në proces në Kuvendin e Shqipërisë dhe do të trajtohet me të gjithë përgjegjësinë që ne kemi si shumicë qeverisëse dhe kush e lidh këto të dyja duhet të ketë parasysh se edhe në aspektin kohor, nëse unë nuk gaboj në llogarinë e kohës, Parlamenti do të shprehet para për imunitetin dhe më pas do të kalojë për votim. Që kështu s’ka asnjë lidhje për rastin konkret, për aspektin tjetër nuk është kjo dita tjetër për të folur, do flasim kur të bëhen të gjitha procedurat e tjera”, tha Rama, duek shprehur më tej rezerva ndaj mënyrës se si sistemi i drejtësisë funksionon dhe fletëaresteve të cilat firmosen sikur të ishin “ftesa dasme”.
“Punonjësit e administratës nuk janë mish për top, nuk janë shënjestra për të mbushur prokurorët CV e tyre që të paraqiten nesër si kandidatë për SPAK. Është bërë e patolerueshme ajo që ndodh në prokuroritë e rretheve me fletëarrestet që shpërndahen sikur të ishin ftesa të dasmës. Një punonjëse e administratës model, që ka 5 vite që lufton me kancerin, që është me një fëmijë 2 muajsh, nuk mund të arrestohet pa pasur asnjë lidhje fare sepse institucioni prezumohet që ka lidhje me temën”, tha Rama ndër të tjera.



