“Ndaj Ballukut është ngritur një akuzë që prej vitit të kaluar, e cila nuk lidhet me vjedhje apo korrupsion, por vetëm me dyshimin për veprën penale të pabarazisë në tendera publikë”. Kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në mbledhjen e grupit socialit lidhur me kërkesën e prokurorit special për autorizimin e kufizimit të lirisë së zëvendëskryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Sipas Ramës, çështja lidhet me disa mesazhe të gjetura në celularin e një ish-drejtori, të cilat sipas tij datojnë rreth gjashtë vite më parë dhe janë zbuluar shumë kohë më vonë.
“Jemi këtu që të shpallim publikisht qëndrimin tonë në lidhje më kërkesën e prokurorit special për të autorizuar kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut. Ndaj saj është ngritur një akuzë vitin e shkuar, jo për vjedhje jo për korrupsion, por vetëm për dyshimin e arsyeshëm se në cilësinë e ish-ministres ka kryer veprën penale pabarazi në tendera publikë. 6 vite më parë, bazuar në disa mesazhe të gjetura vite më vonë në celularin e një ish-drejtori.
Mbi këtë fakt të pahetuar asokohe, por servirur më parë përmes korrierësh që hyjnë e dalin te kuzhina e stacionit të trenti si gjellë qensh në 700 tenxheret e gjyqit politike mediatik, u vendos me turravrap pezullimi i anëtares së kabinetit qeveritar”, u shpreh Rama.
Rama e quajti absurd, të nxituar dhe të paprecedentë pezullimin e Ballukut. Sipas tij kjo masë nuk preku vetëm personin, por edhe funksionin qeveritar që ajo ushtronte.
“Një masë absurde që siç e kemi shpjeguar më parë pezulloi funksionin jo thjesht personin. Nuk ka ndodhur kurrë në botë një budallallëk i kësaj natyre. Pa pritur fare përfundimin e procesit të hapur prej nesh në GJK për ndërhyrje në kompetencat e pushtetit ekzekutiv sapo gjykata e pezulloi masën e pezuzllimi dhe deklaroi se do i hynte çështjes në themel erdhi turravrapi i dytë; kërkesa që diskutojmë sot për të autorizuar ose jo arrësin e një deputeti”.
Rama është shprehur ndër të tjera se Belinda Balluku do të vazhdojë të drejtojë qarkun e Fierit.
“E di që ka mes nesh që mendojnë se fitoret shembullore elektrorale të Belindës dhe skuadrës së saj burojnë nga fuqia e pushtetit që kishte. Kjo mbetet për tu parë në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Ajo do të vazhdojë të drejtojë qarkun dhe nuk do të ketë pushtet” u shpreh Rama.



