Në një konferencë të jashtëzakonshme këtë të martë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar krijimin e një komiteti të posaçëm ndërministror për përballimin e pasojave të luftës.
“Informoj publikun lidhur me krijimin e një komiteti të posaçëm ndërministror për përballimin e pasojave të luftës. Ne nuk jemi në kushtet e një kërcënimi ushtarak, por jemi si të gjitha vendet e tjera të NATO-s edhe më gjerë, në kushtet e kërcënimit të përditshëm ekonomik.
Energjia është e palca e shtyllës kurrizore e të gjithë sistemit ekonomik. Ndërkohë që kërcënimi i thellimit të krizës energjetike vjen vetëm duke u rritur.
Unë kam paralajmëruar atë që po vinte, por pa më shkuar ndërmend se lëvizja e lexueshme gjeopolitike e Rusisë për të ndikuar mbi çmimet në energji dhe hidrokarbure ishte preludi i një agresioni të armatosur.
Çmimi i brendit të naftës ka kërcyer dhe vazhdon të kërcejë me orë”, tha Rama.
Sipas tij, për disa ditë bota u kthye përmbys për shkak të sulmit ushtarak të Rusisë. Kreu i qeverisë thotë se luftë pa dhimbje nuk ka.
“Që në ditën e parë të nisjes së kësaj katastrofe, për të përgatitur skenarët e mundshëm, nga skenarët më të thjeshtë tek ata më të vështirë. Skenari më i vështirë është që duhet të përgatitemi psikologjikisht për situata shkurtimesh dramatike të furnizimeve me energji apo me naftë.
Të jemi shumë të qartë se kjo mund të vijë. Zëvendësimi i burimeve që prej kaq shumë vitesh janë burime që janë siguruar nga Rusia është jashtëzakonisht të komplikuar.
Detyrimi për të mbrojtur jetën e njerëzve, për të bërë çmos që lufta të mos përhapet ushtarakisht, është i pashmangshëm. Të gjitha këto shtrëngime që uroj, që do bëjmë sakrifica ekonomike, kanë një qëllim që të mbrojmë jetën, shëndetin të mbrojmë atë që është më e rëndësishmja.
Të mbrojmë Shqipërinë nga përshkallëzimi i agresionit deri në ushtarak. Qëllimi është të mbrohemi tani. Përsa na takon ne, të bëjmë çmos të mbrojmë njerëzit tanë. Nuk është absolutisht një film që ajo që shikojmë në ekrane orë e çast. Është një luftë reale siç e kemi parë në Luftën e Parë Botërore, siç e kemi parë në vitin famëkeq të përpjekjes shtazarake për pastrim etnik në Kosovë. Kjo ka brenda dimensionin e një fuqie ushtarake.
Kjo është pamja e përgjithshme. Insistoj në faktin se të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm, ka ndryshuar bota ku jetojmë në këto ditë. Është kthyer përmbys, jemi në kushte lufte. Për fat të mirë nuk zhvillohet fizikisht këtu. Nuk është në kokat tona, dhe familjet tona nuk janë të kërcënuar nga ndarja e dhunshme. Impakti i asaj që po ndodh atje, është i prekshëm këtu në ekonominë e vendit dhe detyrimi ynë është të garantojmë vazhdimësinë. Pa dhimbje luftë nuk ka” – tha Rama.