13.5 C
Tirana
E mërkurë, 14 Janar, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Rama po lobon për një takim me Trump ose Rubio, në Samitin e Davosit pas 2 javësh

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, prej muajsh nuk ka zhvilluar asnjë vizitë apo kontakt të drejtpërdrejtë zyrtar me Shtetet e Bashkuara, në një periudhë që përkon me ndryshimin e administratës në Uashington dhe kalimin e pushtetit te republikanët. Kjo situatë nuk lidhet vetëm me ndryshimin politik në SHBA, por edhe me qëndrimet dhe deklaratat e mëparshme publike e zyrtare dhe jozyrtare të Ramës ndaj presidentit amerikan, Donald Trump.

    Kulmi i tensionit mes Ramës dhe administratës Trump është një episod i ndodhur gjatë Samitit të Komunitetit Politik Europian në Kopenhagen për nëntor 2025. Atje, Rama është filmuar duke bërë një batutë ironike për presidentin amerikan, Donald Trump, në prani të presidentit francez Emmanuel Macron dhe presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev. Sipas raportimit të medias amerikane Newsweek, Rama iu drejtua Macron-it duke ironizuar një lapsus të Trump, i cili në deklaratat e tij të fundit kishte përmendur se kishte ndërmjetësuar një marrëveshje paqeje midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit — një konflikt që në realitet nuk kishte ekzistuar.

    “Duhet të na kërkoni falje sepse nuk na përgëzuat për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit,” – tha Rama në atë rast ndërsa udhëheqësit e tjerë qeshnin. Macron iu përgjigj me një kërkimfalje tallëse.

    Si pasojë, në Uashington është konsoliduar perceptimi se Trump dhe rrethi i tij i ngushtë nuk kanë interes të ndërtojnë raporte politike me Ramën dhe qeverinë e tij. Një nga kundërshtaret më të forta të një takimi mes Trump dhe Ramës është shefja e kabinetit të presidentit amerikan, Susie Wiles, e cila e konsideron një takim të tillë politikisht të dëmshëm dhe pa përfitim për Shtëpinë e Bardhë. Gjithashtu, Rama shihet nga një pjesë e rëndësishme e ekipit të Trump si figurë politike e lidhur ngushtë me rrjete të financuara nga George Soros.

    Pavarësisht këtij realiteti, kryeministri shqiptar ka intensifikuar përpjekjet lobuese. Burime të verifikuara gazetareske pohojnë se Rama ka angazhuar biznesmenë të njohur, politikanë dhe ndërmjetës ndërkombëtarë pranë rrethit familjar dhe politik të Trump, me synimin për të hapur një kanal komunikimi që do të çonte në një takim të drejtpërdrejtë. Këto tentativa, megjithatë, nuk kanë dhënë rezultat deri më sot.

    Në këtë proces është përmendur edhe emri i Richard Grenell, i cili në të kaluarën ka qenë i përfshirë në negociime informale për një takim mes Ramës dhe Trump. Raportime të ndryshme mediatike shprehen se Grenell është distancuar kohët e fundit nga qendra e vendimmarrjes amerikane, çka e ka bërë këtë kanal praktikisht të mbyllur për Tiranën zyrtare.

    Ndërkohë burimet pranë qeverisë shqiptare, flasin për Vox News për negociata intensive që Rama po zhvillon për të realizuar një takim ose me vetë Donald Trump, ose me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, gjatë Samitit Ekonomik Botëror në Davos, që pritet të mbahet pas dy javësh. Ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për realizimin e një takimi të tillë, ndërsa rezistenca ndaj Ramës brenda rrethit politik të Trump mbetet e fortë dhe e strukturuar.

    Përpjekjet e Ramës për të thyer izolimin politik në Uashington duken më tepër si një betejë lobimi sesa si një proces diplomatik i konsoliduar, ndërsa Davosi pritet të tregojë nëse këto tentativa do të materializohen apo do të mbeten thjesht pjesë e një strategjie të pasuksesshme afrimi.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit