14.5 C
Tirana
E enjte, 4 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Rama shpjegon pse nuk e shkarkon Ballukun

    Ndërsa në Kuvend vijuan debatet e ashpra për pezullimin nga detyra të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama reagoi nga distanca, duke sqaruar arsyet pse nuk e shkarkon ministren dhe pse çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

    Rama tha se nuk po ndërhyn në punën e gjykatësit, por sipas tij pezullimi i Ballukut ka sjellë bllokimin e veprimtarisë së ministrisë, pasi 36 akte janë në pritje të firmës së saj.

    Ai theksoi se një ministër, ndryshe nga çdo funksionar tjetër publik, ka autoritet ekskluziv dhe mungesa e tij paralizon zinxhirin e vendimmarrjes.

    Kryeministri shtoi se pas pezullimit janë bllokuar marrëveshje të rëndësishme, mes tyre edhe ajo me Kanadanë për fluturimet ajrore, si edhe lejet e ndërtimit dhe vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit.

    Duke iu përgjigjur kritikëve, Rama u shpreh:

    “Ndryshe nga çdo funksionar publik që mund të pezullohet, ministri jo vetëm nuk firmos dot vetë asgjë, por bën që askush tjetër të mos marrë vendim. Pezullimi është bllokim i zinxhirit të vendimmarrjes për sektorët që ministri mbulon.”

    Ai argumentoi se shkarkimi i Ballukut, përveçse nuk do të zgjidhte problemin, do të hape një precedent të rrezikshëm për të ardhmen, duke i dhënë mundësi prokurorëve apo gjyqtarëve të “heqin” ministra me masa sigurie.

    Rama përdori një krahasim simbolik duke thënë se një “mi” i zhbalancimit të pushteteve do të shndërrohej në një “ujk” që do sulmonte çdo qeveri.

    “Heqja e ministrit do krijonte problem për të nesërmen, për çdo qeveri. Miu i zhbalancimit të pushteteve, me idenë se ministrat mund të hiqen pa gjyq, do kthehej në ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzte Kuvendin dhe votën popullore. Ja pse kjo betejë nuk ka lidhje me emrin e ministrit, por me parimin.”, tha ai.

    Ndërkohë, në Kuvend kërkesa e PD-së për interpelancë me kryeministrin u rrëzua nga mazhoranca, e cila deklaroi se çështja tashmë po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese.

    Opozita akuzoi Ramën për presion ndaj drejtësisë, ndërsa socialistët këmbëngulën se përplasja ka të bëjë me kompetencat kushtetuese.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit