6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ramës i revoltohen edhe të vetët: Erion Braçe denoncon pronaren e “Floriol” për rritjen e çmimeve

    Sikurse paralajmëroi një ditë më parë, deputeti socialist Erion Braçe ka denoncuar tregtarët që kanë abuzuar me rritjen e çmimeve. Me një postim në Facebook, Braçe përmend vajin e markës “Floriol”, teksa shkruan se nga 145 lekë para 25 ditës, sot shitet me 345 lekë litri.

    Braçe i drejton edhe disa pyetje pronarëve të kësaj marke, ku thotë: “çfarë ka ndodhur me produktin tënd? Me magazinën tënde? Kur e ke sjellë furnizimin e fundit? Me çfarë çmimi? Cila është norma jote e fitimit? A ka moral ky fitim?”

    Teksa kërkon një hetim për këto abuzime me çmimet në treg, Braçe thotë se tërmeti e pandemia kanë sjellë ndryshime të kërkesës e ofertës në një ekuilibër të ri, por thekson se ky ekuilibër nuk mund të zhvendoset në dëm të qytetarëve prej abuzimit.

    “Unë nuk kam asgjë me tregtarët! Unë nuk kam asgjë me të pasurit! Pooooo, problemi im janë abuzuesit dhe abuzimi ndër ta! Tërmeti, pandemia, rinisja pas pandemisë, kanë sjellë ndryshime të kërkesës e ofertës në një ekuilibër të ri; Lufta, paniku e paqartësia prej saj, ka zhvendosur kërkesën dhe në kushtet e një oferte të pandryshuar ende, po imponon një ekuilibër të ri!

    Por, ky ekuilibër nuk mund të zhvendoset në dëm të qytetarëve prej abuzimit, grykësisë për të fituar fort tani, duke bllokuar magazinat, ulur ofertën përmes uljes artificiale të sasisë së mallrave në qarkullim. Zonjë po të drejtohem ty sepse më thanë që kontrollon tregtimin e vajit floriol; po të drejtohem ty sepse më thanë që produkti yt ka njohur një rritje çmimi të llahtarshëm-nga 145 lekë për litër 25 ditë më parë, në 320 lekë për litër dje e në dyqanet e lagjeve çmimi arrin në 345 lekë për litër!

    Çfarë ka ndodhur me produktin tënd? Me magazinën tënde? Kur e ke sjellë furnizimin e fundit? Me çfarë çmimi? Cila është norma jote e fitimit? A ka moral ky fitim? Për mua jo! Për organet fiskale duhet verifikuar deri në fund!”, shkruan Braçe.

    Çmimet e produkteve të shportës, por edhe çmimet e karburanteve në vendin tonë janë rritur ndjeshëm. Qytetarët kanë protestuar në gjithë vendin duke kundërshtuar rritjen e çmimeve.

    Ndërkohë, qeveria ka ngritur një bord mes qeverisë dhe furnitorëve të naftës për të ndalur abuzimet me çmimet. Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburantit do të kontrollojë çmimin e naftës në vend, ndërsa kryeministri Edi Rama u ka bërë me dije sot furnitorëve së do të vendosin një çmim ndryshe, do të humbasin pikën e karburantit.

    Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimin për kompanitë që tregtojnë produktet e shportës, konkretisht për kompanitë që tregtojnë vaj, miell, vezë, oriz dhe sheqer. Prej 25 shkurtit Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorimin e kompanive të tregtimit të karburanteve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit