Pas shkrirjes së gjykatave të Apelit më datë 1 shkurt në të gjithë vendin dhe përqendrimin e tyre në një të vetme në Tiranë, të gjitha çështjet të cilat nuk kishin një datë të caktuar, janë rihedhur në short, për të caktuar gjyqtarët.
Mes tyre ishte edhe ankimimi që Partia Demokratike e Alibeajt i ka bërë vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri që i dha vulën e partisë Sali Berishës më 25 mars.
Shorti i hedhur dje, ka caktuar që çështja e vulës së Partisë Demokratike në Apel, do të shqyrtohet nga Elona Mihali e cila do të jetë gjyqtare relatore, ndërsa anëtarë janë caktuar gjyqtarët Irida Kacerja e Astrit Kalaja.
Elona Mihali ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2013 dhe ka bërë stazhin profesional pranë Gjykatës së Tiranës. Në janar 2014, Mihali është emëruar në Gjykatën e Vlorës.
Ajo është konfirmuar nga Vetingu në 18 janar 2021. Trupa që gjykoi Mihalin u kryesua nga Brunilda Bekteshi, relatore e çështjes ishte Valbona Sanxhaktari, ndërsa anëtare Genta Tafa (Bungo).
Gjatë seancës Sanxhaktari la të kuptohej se Mihali nuk zotëronte pasuri. Ajo tha se dy pasuritë e familjes, një apartament në Tiranë dhe një tjetër në Vlorë ishin blerë nga familja para se Mihali të emërohej gjyqtare. Megjithëse të pa lidhura me karrierën e Mihalit si gjyqtare, KPK bëri me dije se kishte hetuar burimin e ligjshëm të pasurive, – shkruan Reporter.
Sanxhaktari pohoi se prindërit e gjyqtares kishin pasur të ardhura të ligjshme për të cilat ishin paguar taksat. Po ashtu si Mihali ashtu edhe prindërit rezultuan me balancë financiare pozitive.
Mihali në fjalën e saj tha se “vlerësonte hetimin” e Komisionit, ndërsa theksoi se në 7 vjet punë si gjyqtare kishte jetuar e ndarë nga familja dhe se ajo kishte mbuluar vetë shpenzimet e jetesës. “Kjo është se pse në 7 vjet unë nuk kam mundur të kursej apo blej pasuri”, tha ajo.
Mihali u vlerësua pozitivisht edhe sa i përket profesionalizmit dhe figurës.
Çështja e vulës së PD ka peshë politike. Grupi i Rithemelimi ka kërkuar që të caktohet sa më parë një datë. Një reagim pati edhe nga grupi i Alibeajt. Përfaqësuesi i tyre ligjor i tyre, Indrit Sefa ka depozituar një kërkesë për gjyqtaren Mihali, së cilës i kërkon që ta marrin çështjen në shqyrtim sa më parë.
Sefa shkruan se çdo vonesë është e pajustifikuar dhe se tashmë Apeli s’ka asnjë pengesë për t’i dhënë fund konfliktit të PD-së.