Ndërsa qeveritë e tjera të globit përpiqen të investojnë në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, mbrojtje, Shqipëria ka nisur një strategji buxhetore të padëgjuar: për muajin janar janë shpenzuar ZERO lekë! Kjo nuk është vepër. Kjo është kryevepër Financiare që të kujton një kanavacë të lënë qëllimisht bosh nga një artist minimalist.
Është një enigmë filozofike e lashtë: Nëse një lek është i alokuar në buxhet dhe askush nuk e shpenzon, çfarë ndodh me të? Tjetër si mbahen premtimet kur nuk investon asnjë kokërr leku?
A është zero lekë në shpenzimet kapitale një strategji e mirëmenduar, një deklaratë e guximshme e padegjuar ndonjëherë në botën e financave? Apo është thjesht një harresë për të bërë detyrat e shtëpisë?
Të mos shpenzosh muajin e parë të vitit për kantieret që qëndrojnë hapur prej 10 vitesh duhet të jetë një plan i mirë menduar.
Ndoshta qeveria shqiptare po pret teknologjinë e teleportimit.
Pse të investosh në autostrada, bujqësi, shëndetësi e turizëm kur mund t’i dërgosh qytetarët nga një vend në tjetrin me një të shtypur të butonit? Është një qasje vizionare dhe në të njëjtën kohë një rekord Guinness. Cili është vendi që nuk ka shpenzuar asnjë qindarke per investime publike? E kush tjetër veçse Shqipëria.
Ky është dhe moment për të ngritur një pavion në Muzeun Historik Kombëtar – pavioni i Fondeve te Pashpenzuara – kurator mund të jetë një gjirokastrit ose gjakovar.
Në këtë pavion turistët dhe brezat e ardhshëm do të kenë mundësi të mahniten nga kjo shpikje shqiptare.
Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia: a nuk është kjo një ide e mirë për të luftuar korrupsionin?! Si i thonë: kur nuk ha bukë nuk bën as thërrime!
Nëse dikush e konsideron lajm të keq që për janarin nuk u shpenzua asnjë lek për investimet publike, lajmi i mirë është se shpenzimet për paga dhe shpërblime janë rritur 10% dhe të rrimë shtrembër e të flasim drejt: gjatë gjithë Janarit, inspektimet dhe postimet kanë vijuar pa ndërprerë….