René Rexhepi (Redzepi në mediet e huaja), shefi kryesor dhe bashkëthemeluesi i restorantit Noma, me origjinë shqiptare, njoftoi të mërkurën se dha dorëheqjen nga restoranti i tij me famë ndërkombëtare në Kopenhagë pas akuzave se kishte abuzuar fizikisht me stafin e tij.
Dorëheqja e Rexhepit vjen pas një raportimi të New York Times që detajoi akuzat tronditëse për abuzim fizik dhe psikologjik, përfshirë pretendime se ai “ka goditur punonjësit në fytyrë, i ka thumbuar me mjete kuzhine dhe i ka përplasur nëpër mure”.
“Kam vendosur të tërhiqem dhe të lejoj udhëheqësit tanë të jashtëzakonshëm që tani të drejtojnë restorantin në kapitullin e ardhshëm,” shkroi ai në një story në Instagram.
Rexhepi tha se javët e fundit kishin “sjellë vëmendje dhe biseda të rëndësishme rreth restorantit tonë, industrisë dhe udhëheqjes sime të kaluar”, duke shkruar:
“Kam punuar për të qenë një udhëheqës më i mirë dhe Noma ka bërë hapa të mëdhenj për të transformuar kulturën gjatë viteve. E kuptoj që këto ndryshime nuk riparojnë të kaluarën. Një kërkesë faljeje nuk mjafton; unë marr përgjegjësi për veprimet e mia.”
Shefi tha se ekipi i Noma-s do të “vazhdojë së bashku në rezidencën tonë në LA, e cila do të jetë një moment i fuqishëm për të treguar se kanë punuar drejt përmirësimit”.
Rexhepi tha se po jepte dorëheqjen edhe nga bordi i Mad, një organizatë jofitimprurëse të industrisë ushqimore që ai themeloi në vitin 2011. Ai gjithashtu postoi një video ku i kërkonte falje stafit dhe njoftonte largimin e tij.
Njoftimi i tij erdhi pasi American Express dhe Blackbird, një kompani mikpritjeje, ndërprenë lidhjet me Noma para pop-up-it në LA.
Raporti i New York Times mbi abuzimin e tij bazohej në intervista me 35 ish-punonjës dhe përshkruante një “model ndëshkimi fizik” dhe “traumë të qëndrueshme nga shtresa të abuzimit psikologjik, përfshirë intimidimin, turpërimin e trupit dhe talljen publike”. Shefi i kërcënonte se do të bllokonte punonjësit në industrinë e ushqimit, do të deportonte familjet e tyre dhe do të shkarkonte anëtarë të familjes nga punë të tjera, sipas raportit.



