“Një përzgjedhje me shumë lloje mishi! Çmimi i mahnitshëm për sasinë e ushqimit që merrni dhe shërbim vërtet i mirë!!”, shkruan Simon G në platformën “Trip Advisor” në nëntor 2024, në rishikimin e tij për “Smoke House” në Tiranë, që ka vlerësimin më të mirë në restorantet në kryeqytet.
Nga menuja në faqen e internetit rezulton se një miks mishrash në skarë për dy persona me peshë 0.8 kg kushton 1,380 lekë.
Në Sarandë, në “Tavernën Peshkatari”, që ka vlerësimin më të mirë për qytetin bregdetar të Jugut, komentuesit përmendin ushqimin e freskët të detit dhe çmimet e lira e të leverdisshme. Sipas menu-së, një racion pesh mesatarisht kushton midis 800-1200 lekë.
Komentet e turistëve në rishikimet në Trip Advisor për restororantet në vend e vënë theksin jo vetëm tek ushqimi i bollshëm por edhe te çmimet e arsyeshme. Krahas ushqimit edhe akomodimi në hotele apo strukturat që prenotohen mes Booking apo Airbnb janë gjithashtu të lira.
Të dhënat e Eurostat e konfirmojnë këtë tendencë. Treguesi i Eurostat për Indeksin e Çmimeve sipas fuqisë blerëse për hotele e restorante jep një ide se cilat janë shtetet ku fjetja dhe ushqimi kushtojnë më lirë. Treguesi është përditësuar në fund të 2024-s dhe i përket vitit 2023.
Shqipëria renditet e dyta në Europë pas Maqedonisë së Veriut për çmimet më të lira për hotele e restorante, të cilat janë sa 49.7% e mesatares europiane (me rritje të lehtë nga 49.4 në rishikimin e pak muajve më parë). Më të lirat restorantet dhe hotelet në Europë janë në Maqedoninë e Veriut (47.4%).
Kjo do të thotë se nëse mesatarisht në Europë do të shpenzoni 100 euro për të fjetur dhe për ushqim në restorant, në Shqipëri e njëjta zgjedhje kushton gati 50 euro.
Ndonëse indeksi është rritur në krahasim me 4 vjet më parë, kur ishte sa 45.6% e mesatares europiane, restorantet vendase tërheqin turistë të huaj si për koston e lirë ashtu dhe për kulinarinë e pasur.
Pas Shqipërisë më e lirë është Kosova, me 51.1% të mesatares europiane (të dhënat e vitit 2022), e ndjekur nga Bullgaria me 51.8% dhe Turqia (57.6%). Në rajon më të shtrenjtat janë Serbia (64.4%) dhe Mali i Zi, ku hotelet e restorantet kushtojnë sa 63% e mesatares europiane.
Nga destinacionet popullore, më e lira është Portugalia, me 75.2% të mesatares europiane, e ndjekur nga Spanja (83.4%), Greqia (83.4%) dhe Kroacia (90.4%).
Italia është pak më e shtrenjtë sesa mesatarja europiane, me 108.1%. Në nivele të ngjashme janë Gjermania (110.7), Franca (112.1).
Kujdes kur të shkoni në ….
Zvicra është shteti më i shtrenjtë i Europës për ushqim dhe akomodim. Për 50 euro të shpenzuara në Shqipëri, në Zvicër duhet të keni 172 euro. E njëjta gjë për Islandën (166.8% e mesatares europiane), apo Danimarkën (152%), Norvegjinë (144.3%) e Finlandën (129%).
Sa kushtojnë hotelet e restorantet
Sipas të dhënave të tjera të Numbeo, në Shqipëri një vakt për dy persona në një restorant me tre pjata kushton 49 dollarë. Në Zvicër, kjo drekë do ju kushtojë 127 dollarë, që është në fakt më e shtrenjta në botë. Në Itali i njëjti vakt shkon 65 dollarë. Në Greqi nuk ka shumë ndryshim nga Shqipëri, me drekën që arrin në 55 euro.
Shqipëria konkurron me çmimet më të lira të akomodimit. Në Tiranë, mund të gjesh një hotel apo apartament luksoz me 4 yje afër qendrës edhe me 50-80 euro.