I ftuar në Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV, profesor Rexhep Qosja thotë se e vlerëson Edi Ramën për mënyrën si ai bën politikë, përvojën që ka, gjuhën e vendosur brenda dhe jashtë kufijve, por ka dy këshilla specifike për të.
“Unë kam shkruar për Edi Ramën kur bëhej protesta në çadër në Tiranë dhe kam thënë: Edi Ramën s’ma ka bërë nëna, për mua janë të barabartë, Edi Rama, Lulzim Basha dhe Sali Berisha. Kam qëndrime dhe ndjenja të njëjta për të tre.
Por kam thënë që e përkrah Edi Ramën, për një sërë qëndrimesh që ka. Ai së pari ka sjellë një frymë të re në politikën shqiptare në përgjithësi. Ka sjellë një qëndrim më të vendosur në politikën ndërkombëtare. Ka sjellë një përvojë që e ka krijuar në jetë por edhe kur ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës.
Ka sjellë gjithashtu edhe një shije të re. Ndaj unë kam menduar dhe mendoj, që Edi Rama, me gjithë gabimet e tij, disa prej të cilave nuk i pranoj, është i nevojshëm për Shqipërinë.
Me përvojën që ka, dijen, kulturën, dijen e gjerë, komunikimin e tij të lirë që ka brenda në atdhe dhe me ndërkombëtarët. Ajo që Edi Rama ka thënë në Serbi për Kosovën, lirinë dhe Pavarësinë e saj, nuk e ka thënë askush. Askush, si ai.
Edhe disa qëndrime që ka mbajtur në Evropë, mund të duken të vrazhda, por në rastet më të shpeshta, janë të drejta.
Gabimi më i madh që ka bërë është që ka injoruar përvojën e moshës së madhe në politikë dhe ka favorizuar një shtresë dhe një moshë.
Por edhe kësaj moshe nuk i ka dhënë shumë hapësirë për t’u dukur. Unë e shoh Edi Ramën nga mëngjesi deri në mbrëmje në veprimtari politike dhe takime me organizata të PS në qytete të ndryshme. Pyes, ku e gjen këtë fuqi që qëndron gjatë gjithë ditës në takime me struktura të PS!
E dyta, pse nuk i lejon ministrat të merren me çështjet e tyre, p.sh me të bujqësisë, çështjet ekonomike, të kulturës. Nuk ua lë ministrave përkatës t’i trajtojnë, por shkon vetë. A është e nevojshme kjo?!
Një këshillë kam: Mos e mbithekso faktorin si kryeministër. Mos u jep të drejtë disave për atë që unë nuk e them: ato janë sjellje diktatoriale. Unë nuk e them dot këtë.
Edi Rama është politikan me kulturë politike-demokratike. Por të gjitha rolet e ministrave i kryen ai, dhe kjo nuk më duket sjellje e drejtë. Dhe unë si përkrahës i vjetër i tij, do i rekomandoja që në sjelljen e tij për t’u dukur sikurse thotë populli “sabah e aksham” në terren me pjesëtarë të PS, t’i japë hapësirë dhe ministrave.
Dhe sugjerimi i dytë, të rrisë moshën e përfaqësuesve të PS dhe deputetëve të PS në Kuvendin e Shqipërisë. T’u krijojë hapësirë edhe personave në moshë”, u shpreh Profesor Qosja.
Rexhep Qosja: Frika ime për protestën Berisha – Meta!
Akademiku Rexhep Qosja, i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV foli për disa nga problemet kryesore me të cilat përballet sot shoqëria jonë, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë.
Një temë e cila ka marrë vëmendjen e opinionit publik së fundmi është edhe protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në datën 6 dhjetor, datë në të cilën do të mbahet në Shqipëri edhe samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. I pyetur për këtë temë, akademiku Rexhep Qosja u shpreh se e sheh me mosbesim këtë protesë për shkak të gjuhës së urrejtjes, që është përdorur nga ana e dy partive opozitare kundrejt qeverisë aktuale.
“Është një moment shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët në përgjithësi, por unë aq sa jam i gëzuar se ky samit i Bashkimit Evropian po mbahet në Shqipëri, është një samit që i kushtohet në përgjithësi Ballkanit Perëndimor por kam një shqetësim prej protestës që do të mbajnë Kryetari i Partisë Demokratike dhe Kryetari i Partisë së Lirisë. Kam një shqetësim, një drojë, një mosbesim. Pse e kam një mosbesim?
Gjuha me të cilën kanë folur ata deri më tani për qeverinë e sotme të Shqipërisë, është shumë e vështirë dhe unë i lejoj vetes të them se është e palejueshme në jetën politike. Unë po i lejoj vetes të lexoj disa mendime që kam shënuar.
Për shembull: Qeveria është kthyer në promovuese të krimit. Kryeministri është avokat i Vuçit, kryeministri i është përkushtuar vjedhjes, kryeministri e ka faktuar skllavërinë, me Greqinë kryeministri e shiti detin. Për kryeministrin nuk ekzistojnë gjykatat, trajektorja e kryeministrit është nga batakxhiu te vandali. Kryeministri e shkatërroi Tiranën në mënyrë monstruoze, kjo qeveri është një bandë kriminale, prioritet i Rilindjes janë krimi jo arsimi, e të tjera si këto.
Tani si mund të besojmë në protestën që do të mbahet ditën kur mbahet samiti i BE-së në Tiranë? Si mund të besojmë që ajo protestë do të jetë në rregull nga të gjitha pikëpamjet? Do të jetë paqësore? Do të luajë një rol të rëndësishëm para syve të pjestarëve të BE-së, të figurave të mëdha politike, shoqërore të BE-së. Ai samit është shumë i rëndësishëm, së pari shpreh një besim ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në përgjithësi. E dyta merret me problemet që janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë, Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi, do trajtojë problemet e Ballkanit Perëndimor, do i mendojë do i trajtojë do marrë masat për të penguar atë që po synon Rusia dhe ajo që po synon Rusia është kontrolli i Ballkanit Perëndimor dhe çështje të tjera shumë të rëndësishme.
Por shpresojmë që mund të mbizotërojë arsyeja dhe ajo protestë ta dëshmojë të kundërtën e asaj që e nxitin, që e thonë këto fjalë të palejueshme, të papranueshme që i lexova më lart. Unë ju bëj një pyetje. Ku mund të dëgjohet sot në Evropë, në Perëndim, ku mund të dëgjohet sot në botë një gjuhë e tillë për kundërshtarët politkë. Ajo është gjuha e urrejtjes dhe gjuha e urrejtjes është gjuhë që penalisht ndëshkohet. Ajo gjuhë sot nuk e ka një shembull të ngjashëm askund tjetër, e dëgjohet në Shqipëri. Përfaqëson një ballafaqim tepër të vrazhdë të opozitës të dy partive me qeverinë shqiptare. Qeveria shqiptare, kjo qeveri e socialistëve ka bërë shumë të mira, për Shqipërinë me masat e veta, me veprimtarinë e vetë e të tjera.
Ajo gjuhë objektivisht e kompromiton kulturën politike shqiptare, ajo gjuhë nxit urrejtjen e pjestarëve të këtyre dy partive me pjestarë të partive të tjera që janë në shumicë në pushtet në Shqipëri. Kjo gjuhë e tillë që e dëgjojmë, për të cilën e sigurtë informojnë shtetet e veta përfaqësuesit diplomatikë në Tiranë dhe të tjerë që jetojnë ose vijnë në Shqipëri, e pengon mirëkuptimin e faktorëve ndërkombëtarë për Shqipërinë dhe mirësjelljen e tyre ndaj qeverisë dhe ndaj Shqipërisë, biles edhe ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në përgjithësi. Me të i bëhet shërbim shumë shumë i rëndë, i padëshiruar kombëtar e ndërkombëtarë Shqipërisë por edhe Kosovës.
Shumëkush e pret me shqetësim protestën e 6 dhjetorit. Shqipëria me këtë samit u bë faktor i rëndësishëm, e theksoj edhe Pëllumb Xhufi në një intervistë së fundmi që Serbia prej vitit 1948 kur Jugosllavia e atëhershme u distancua prej Bashkimit Sovjetik dhe prej politikës së Stalinit, Serbia ishte gjatë faktor ndërkombëtar dhe kryesore që faktorët ndërkombëtar e këshillonin për Ballkanin Perëndimor dhe për Ballkanin në përgjithësi. Tani Shqipëria me politikën e vetë, me sjelljet e veta ndaj faktorëve evropianë dhe ndaj SHBA-ve dhe Kosova po ashtu bënë që gjuha politike shtetërore e Shqipërisë dhe Kosovës të çmohet gjithnjë e më shumë. Dua të theksoj se për këtë u takon një meritë e veçantë kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Ata dinë të shprehin edhe mospajtimet në disa vendime, siç e shprehu Albin Kurti në bisedimet në Bruksel para përfaqësuese të BE-së, megjithatë vendimet e tyre çmohen sepse nganjëherë edhe këta të Evropës bëjnë ndonjë trysni ndaj nesh që sipas meje janë të papranueshme dhe i bëjnë disa lëshime ndaj Serbisë.
Ne duhet të kemi shumë mirëkuptim dhe shumë nderim, ta ndiejmë veten edhe në Shqipëri edhe në Kosovë shumë të kënaqur për mbajtjen e këtij samiti të BE-së në Tiranë”, u shpreh akademiku Rexhep Qosja.