Pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, pasditen e 31 tetorit, një ndër lajmet që qarkulloi me shpejtësi në media ishte se ish-bashkëshortja e tij, Rexhina Nano, kishte qëndruar pranë tij deri në momentet e fundit.
Madje, disa media raportuan se ajo mori pjesë edhe në homazhet e mbajtura në Pallatin e Kongreseve të dielën paradite.
Në fakt, Rexhina Nano nuk ishte pjesë e homazheve, dhe ky fakt është konfirmuar së fundmi edhe nga një prej bashkëpunëtoreve më të afërta të ish-kryeministrit, ish-shefja e Kabinetit të tij, Saemira Pino.
E ftuar në Vizion Plus, Pino hodhi poshtë zërat se Rexhina Nano ka qenë pranë ish-bashkëshortit në momentet e fundit të jetës së tij.
Pino: Nuk ishte dhe mendoj se ishte një vendim i drejte për të mos qenë aty me të gjithë dhimbjen e madhe që ka pasur. Edhe shqetësimin prej më se 1 viti që kur shëndeti i Fatosit erdhi duke u rënduar.
30 vjet jetë së bashku dhe është fare normale. Ishte babai i fëmijëve të saj. Ajo është një çështje shumë personale, një vendim i drejtë i saj për mua, unë e gjykoj që ishte një vendim i drejtë. Ka të tjerë që thonë pse nuk ishte? Ne nuk duhet të ndërhyjmë mendoj në këto gjëra.
-Ka pasur dhe një tjetër lajm që ajo ka qenë deri ditën e fundit me të në spital?
Pino: Jo e gabuar. Tani është rasti për të thënë një vlerësim pozitiv për Xhoin. E meriton një vlerësim, është ajo që i ka qëndruar.



