Aktori i humorit, Rezart Veleshnja ka reaguar pas lajmeve për arrestimin e tij. Përmes një “Instastory”, Veleshnja ka dhënë versionin e tij të ngjarjes, duke theksuar se bëhet fjalë për një automjet që ka humbur.
Ai ka mohuar të jetë përfshirë në mashtrim për shitjen e këtij automjeti që nuk është në pronësinë e tij.
“Ju përshëndesim nga Pogradeci! Ideja është që është një automjet që e kam përdorur unë. Ai automjet kishte humbur, ndërkohë që unë thjesht e kam përdorur dhe sot e kësaj dite është gjetur se kush e ka pasur. Kaq!
Nuk ka asnjë gjë këtu, jo u arrestua jo… turp! Ishte një automjet që kishte humbur, kaq! E kam përdorur dikur, por unë s’kam lidhje më me atë makinë pasi e kam hequr”, tha ai.
Më herët, policia njoftoi se aktori është ndaluar nga blutë e Durrësit, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, i ka marrë një automjet një personi dhe më pas e ka shitur.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës ndaluan shtetasin R. V, banues në Tiranë, pas me anë të mashtrimit, i ka marrë një automjet, shtetasit Y. T., dhe më pas e ka shitur”, njoftoi policia.
Së fundmi, aktori Rezart Veleshnja ishte pjesë e “Big Brother VIP Kosova”, por u përjashtua me zarf të zi.