9.5 C
Tirana
E mërkurë, 23 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rrëfehet Zhaklin Lekatari: Pse kam dashur të bëhesha murgeshë

    Sa e lehtë mund të jetë të shkruash për një njeri që mendon se e njeh, se ke kaluar kohë cilësore me të, ke ndarë momente pune, gëzimi e sfidash mediatike? Aspak e lehtë! Sepse vetë ajo, Zhaklin Lekatari ose Zhaku, për mua ka shumë shtresëzime. Nga ato shtresëzime që ti duhet të gërmosh për ta zbuluar e për ta zbërthyer, se brenda një shpirti rebel fshihet një Zhak paqësore, e brishtë e që me forcën e gruas që e karakterizon, kërkon të lëvizë të gjithë motorët e kësaj shoqërie, për t’i dhënë asaj rolin që i takon.

    Etiketuar si “vajza e seksit”, Zhaku për herë të parë në vendin tonë theu atë që është tabu: të flasësh për seksin në një kolektiv pune, por edhe në një auditor më të hapur. Theu heshtjen e librave të Kamasutrës dhe vazhdon ta bëjë me të njëjtin pasion si vite më parë. Hyri deri në “krevatet e shqiptarëve”, duke iu kthyer përgjigje shumë pyetjeve, ndonjëherë dhe tendencioze, vetëm e vetëm që të edukojë rreth seksit. E jo vetëm kaq…

    Ajo është një nga aktivistet e shumë protestave në mbrojtje të të drejtave të grave, vazhdon të luftojë për të zhbërë atë që prej vitesh është brumosur keqas në mentalitetin shqiptar. Ndaj, sot, Zhaku është me ne në këtë numër të revistës “Living” për t’i dhënë zë asaj: gruas dhe rolit të saj në shoqëri. Për t’u dëgjuar e dëshmuar se të jesh e tillë është kaq interesante! Është një aventurë që kërkon njëfarë guximi ose një sfidë, që nuk të mërzit kurrë, ashtu si vetë natyra e saj plot ngjyra e dritëhije.

    Së fundmi, në rolin e opinionistes, ajo po i shton një tonalitet të ri karakterit të saj, aq sa herë pas here është ndier e paragjykuar për analizat e banorëve të “Big Brother”-it, për pozicionin e mbajtur apo dhe për mesazhet e përcjella pa droje, duke u cilësuar si zëri më rebel i medies shqiptare.

    – Nuk është se nuk e ke bërë me dije jetën tënde, që nga fëmijëria e deri tani; largimin drejt Italisë e kthimin në Shqipëri. Çfarë fitove e çfarë humbe gjatë këtyre viteve?

    Humba veten, fitova veten.

    – Si e gjete marrëdhënien me nënën tënde Antonetën dhe a është ajo personi ku ti gjen mbështetje në çaste dobësie? A ke arritur të rikuperosh boshllëqet e krijuara nga fëmijëria?

    Unë them që gjenerata së cilës i përkas ka vështirësi komunikimi me prindërit, për shkak të mënyrës së rritjes, prandaj dhe unë kam ende vështirësitë e mia, megjithatë familja është pa dyshim vendi ku prehem në çaste dobësie, ndonëse nuk kam arritur të rikuperoj boshllëqet e fëmijërisë.

    – A ke pasur trauma në jetë dhe cila ka qenë ajo më e forta, që ka lënë gjurmë?

    Mendoj se sëmundja e babait tim (dhjetë vjet i sëmurë me kancer) dhe largimi i tij nga jeta në moshë të re, ka qenë trauma më e madhe e jetës sime. Babai im ka qenë një njeri i veçantë dhe takimet e sotme me shokët e tij ma vërtetojnë këtë. Ai e dinte që nuk do të qëndronte gjatë me ne dhe në ato vite është kujdesur që në mënyra shumë origjinale dhe gjeniale të na përgatiste për jetën që na priste. Gjatë rritjes, kur më vinin në mendje këshillat e tij, jam vetëdijësuar për magjinë, për forcën, për intelektin dhe për dashurinë e madhe që kishte për ne. Më ka munguar shumë gjatë rritjes dhe nuk e kam harruar në asnjë çast, ndonëse u bënë 31 vjet që ai nuk jeton më.

    – Në një moment të jetës ke dashur të bëheshe murgeshë. Si të erdhi ky mendim dhe kur e kthen kokën pas, a mendon se ka qenë një “vendim” i shpejtë, pa u thelluar?

    Unë kam kryer disa vite studimi në kolegj murgeshash dhe edukimi im ka qenë pa dyshim humanist dhe shumë i lidhur me mësimet e fesë katolike, ngaqë jetoja në Itali, një vend ku feja katolike është institucion i rëndësishëm. Tani që jam e rritur, them se ajo që ndieja vërtet, ishte frika nga e ardhmja dhe nga jeta, dhe ato murgesha më dukeshin vendi më i sigurt, ku asgjë e keqe nuk do të më ndodhte.

    – Sot je teze e një nipi dhe një mbese që i do shumë. Sa kohë kalon me ta dhe çfarë mundohesh t’u transmetosh atyre?

    Nipi dhe mbesa janë personat më të rëndësishëm për mua dhe për këtë arsye mundohem të jem një shpatull e ngrohtë për motrën dhe për ta. Motra merret me pjesën e edukatës familjare, ndërsa unë me zhvillimin personal dhe shpirtëror, duke u munduar të punoj me pasiguritë e tyre dhe duke i ndihmuar të bëhen personat që duhet të bëhen. Në familjen tonë nuk ka vend për paragjykime, për moskuptime, për agresivitet në komunikim. Ne mendojmë që dashuria është më e rëndësishmja dhe nuk kursehemi tek ajo.

    – Pas kthimit nga Italia, një pjesë të mirë të kohës ke jetuar edhe në Prishtinë, duke punuar në radio. Si e kujton Prishtinën dhe a vazhdon t’i mbash lidhjet?

    “Radio Urban Fm” ka qenë një vend ku kam punuar gjatë dhe sigurisht që mbaj ende lidhje me miq dhe kolegë. Prishtina ka qenë një përvojë e rëndësishme për mua që sapo kisha ardhur nga jeta në Firence, me një perceptim krejt naiv për botën dhe jetën. Aty njoha natyrën e vërtetë njerëzore dhe hodha hapat e parë drejt të qenët adult.

    -Zhak, si erdhi ftesa për të qenë opinioniste e “Big Brother Vip Albania”? E prisje? Të kanë propozuar më parë për të qenë banore e kësaj shtëpie?

    Po, më kanë propozuar të jem banore e shtëpisë, po për shkak të izolimit dhe vështirësisë që ka ajo si eksperiencë, nuk kam pranuar. Liria është vlera më e rëndësishme për mua. Ftesa më erdhi këtë vit, pak para fillimit të spektaklit.

    Marrë me shkurtime nga revista Living

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit