Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e sotëm “podcast”-in e tij të radhës, ku kësaj here ka intervistuar biznesmenin Agim Xhindoli.
Gjatë bisedës, Rama tregoi një histori nga e shkuara, kur kishin dashur që ta vrisnin në Lushnjë.
Kreu i qeverisë deklaroi se asokohe ishte vetëm piktor dhe ndodhej në Lushnjë për një ekspozitë.
Ai rrëfeu se fillimisht e morën në telefon, më pas dikush i shkoi në dhomë e i bëri presion të heqë mjekrën.
“Më kujtohet kur kam ardhur në Lushnjë për herën e parë. Ishte duke u ndërtuar Muzeu, e bashkë me Vladimir Myrtezain morëm porosi që të përshkuanim Shqipërinë e kohës së Zogut. Ishte mundësi që të kishim dorë të lirë se justifikoheshim me kohën e Zogut.
Dy episode kam të paharrueshme; zbresim nga treni, futemi në hotel, nuk kishte ujë. Bie telefoni dhe thotë ‘ju pret poshtë i plotfuqishmi’. I thashë nuk kam asnjë takim me asnjë të plotfuqishëm dhe e mbyll telefonin. Pas pak bie dera. Hap derën shoh një personazh me kostum gri. Më thotë; atë mjekrrën do ta rruash vetë, apo do të ta rruajmë ne, gjatosh!
Këtu është Lushnjë tha, nuk është Tiranë. Ke 30 min të rruhesh tha dhe të mos të të shkojë mendja të dalësh pa u rruajtur. I thashë nuk kam ujë. Shiko e bëj tha. I thashë do dal. Episodi tjetër ishte kur ne po bënim pikturën, na thoshin ç’është ky ka, jo po kjo, jo po ajo. Vendosën që të vinin veteranët që ta shihnin, meqë ata e kishin parë kohën e Zogut.
Çfarë skene! Ishte njëri, një person që më ndiqte mua në Lushnjë, me çekiç të mbështjellë në gazetë dhe thoshte: Unë atë do ta vras. Por unë kisha ëngjëllin tim mbrojtës, Gjergji Velon. Mblidhen veteranët, nga fundi i sallës lëshon ai çekiçin, bie te piktura. Këto 2 episode mbaj mend nga Lushnja”, tha Rama.