17.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rrëfimi i tregtarit të armëve, që fundos Shkëlzen Berishën

    David Packouz, ortaku i Efraim Diverolit, me të cilin fitoi marrëveshjen 300 milionë dollarëshe nga Pentagoni për të siguruar municione nga Shqipëria, ka rrëfyer së fundmi intrigat, marrëveshjet dhe korrupsionin ku Diveroli në atë kohë 21-vjeçar u përfshi me zyrtarët e lartë shqiptarë.

    Në një intervistë të dhënë për podkastin “Koncrete”, Packouz ka rrëfyer se si Diveroli arriti të negocionte me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha për uljen e çmimit të fishekëve kinezë, ndërsa ka kujtuar me detaje bisedat e Kosta Trebickës dhe Ylli Pinarit.

    David Packouz, i kompanisë “AEY”, kujton se si bënë marrëveshje me Kosta Trebickën, për ripaketimin e municioneve, duke zhdukur shenjat kineze, për shkak të frikës se municionet me origjinë kineze ishin nën embargo nga SHBA.

    “Efraimi mori vendimin që nuk donte të kishte rrezikun të humbiste një kontratë 300 milionë dollarëshe, kështu që në vend që t’i tregonte Ushtrisë Amerikane dhe të pranonte riskun që mund t’i hiqnin kontratën, ai vendosi të merrte dikë që të ripaketonte municionin. Ta hiqte nga kutitë me shenja kineze dhe t’i vendosnin në qese plastike dhe më pas në kuti kartoni. Në fakt donim ta bënim këtë përpara se zbuluam që municioni ishte kinez. Për shkak se në atë kohë ishte rritur çmimi i karburantit, dhe transporti me avion ishte shumë i shtrentjë. Ndaj menduam se municioni ishte i paketuar në kuti druri të rënda, dhe nëse i hiqnim, do të ulnim shumë peshën, dhe do të dërgonim më shumë municion, në këmbim do të fitonim më shumë.

    Për ta bërë këtë, miku im Alex shkoi në Shqipëri dhe gjeti një prodhues kutish prej kartoni dhe e punësoi. Aty e kuptuam që ishte municion kinez, pasi vendosëm ta ripaketonim. Atëherë ne thamë “duhet ta ripaketojmë gjithsesi, por duhet të sigurohemi të heqim edhe shenjat kineze”. Ne u treguam shumë budallenj dhe e dërguam këtë me e-mail, duke lënë mundësi të mëdha gjurmimi”, shprehet David Packouz.

    Ai kujton më tej se si Patrick Henry i kompanisë “Albademil” e blente 1 fishek kinez për 2 cent dhe ua shiste atyre për 4 cent. Kjo shkaktoi zemërimin e Efraim Diverolit, i cili kërkoi ta nxirrte Henry-n jashtë loje, duke bërë marrëveshje direkte me shqiptarët. Por Henry, sipas Packouz, ishte mik i mirë me Shkëlzen Berishën.

    “Po kursenim shumë para me transportin ajror. Mendoj se paguam 100 mijë dollarë, apo 200 mijë dollarë, nuk e mbaj mend mirë, për të gjithë ripaketimin në tota. Personi që punësuam për ripaketimin, ishte pronar i një kompanie që prodhonte kuti kartonash, kështu që meqënëse kishte fabrikën dhe punëtorët, pse mos ta merrnim. Emri i tij ishte Kosta Trebicka. Ai ishte i lumtur ta bënte punën, por ajo që ndodhi ishte se Efraimi donte të bënte më shumë para. Ai donte gjithnjë e më shumë dhe i kërkonte shqiptarëve të ulnin çmimin, ia kërkoi përmes Henry-t sepse ai e bëri marrëveshjen për ne.

    I thoshte “dua një çmim më të mirë”, dhe Henry i thoshte “nuk e ndryshoj dot çmimin”. Efraimi fluturon në Shqipëri dhe nis të bisedojë me Kostën, dhe Kosta i thotë “kam një mik në Ministrinë e Mbrojtjes, mund të të jap ca informacione”. Dhe Kosta mëson se Ministria e Drejtësisë, është zyrtarisht duke e shitur municionin për 7.62×39mm te Henry për 2 cent copnë. Dhe Henry na e shiste ne për 4 cent fishekun. Kjo e zemëroi Efraimin. Ne ia shisnim qeverisë amerikane për 10.5 cent fishekun, por duhet të paguanim edhe për transportin, që ishte 3 apo 4 cent për fishek që i bie se bënim gati sa çfarë bënte Henry”, thotë Packouz.

    Në një moment gjatë intervistës, Packouz tregon edhe padinë e Shkëlzen Berishës, i cili pretendoi se rrëfimi në librin “Armët dhe çunat” për takimin e tij me Diverolin, ishte i pavërtetë. Gjykata në SHBA gjithsesi vendosi ta pushojë çështjen. Packouz madje i drejtohet Shkëlzen Berishës gjatë intervistës, duke i thënë “mos më padit sërish”.

    “Ne ishim të sigurt se Henry paguante disa politikanë aty. Pasi ai ishte shumë mik me djalin e kryeministrit, Sali Berisha ishte kryeministri. Djali (Shkëlzeni) vendosi të më padiste mua dhe Efraimin, për shpifje, u nxorr nga salla, ndaj zoti Berisha mos më padit më. Fatmirësisht për mua e nxorrën nga gjykata, ishte pa meritë. Por Simoni humbi të gjitha paratë e nxjerra nga libri pasi duhet të mbulonte të gjitha shpenzimet. Henry kishte marrëdhënie të ngushtë me djalin e kryeministrit, në këtë mënyrë e arriti aksesin te municione. Ne dyshojmë se ai paguante njerëz, nuk e mbante të gjithë 2 cent-shin për vete. Por Efraimi s’mund ta besonte si Henry po na zhvaste, dhe donte ta nxirrte jashtë marrëveshjes. Ndaj tha “Unë do e nxjerr Henry-n jashtë marrëveshjes, do shkoj do bëj vetë marrëveshje me shqiptarët”’, thotë më tej Packouz.

    Më tej Packouz rrëfen takimin e Efraim Diverolit me Shkelzen Berishën në prani të Ylli Pinarit dhe një mafiozi të madh shqiptar, ku u vendos që Kosta Trebicka, i cili kryente paketimin, të nxirrej jashtë loje, ripaketimin ta merrnin ata dhe si këmbim t’i bënin një ulje të vogël në çmimin e blerjes së municioneve.

    Ai thotë se Kosta Trebicka u zemërua pasi u nxorr jashtë loje dhe vendosi të kontaktojë mediat dhe autoritetet në SHBA, të cilët nisën hetimet. Gabimi më i madh i Kostës, thotë Packouz, ishte se kontaktoi edhe mediat shqiptare ku ekspozoi korrupsioin. Kjo sipas Packouz, i kushtoi jetën Kosta Trebickës.

    “Efraimi shkon në Shqipëri dhe takohet me Pinarin, ishte i organizatës së eksportit shqiptar. Një kompani shtetërore që ishte e ngarkuar të shiste çdo lloj municioni që donte qeveria ta shiste. Ai u takua me Pinarin, ky takim është dhe në libër, dhe për këtë na paditi zoti Berisha (Shkëlzeni). U takua me Pinarin dhe djalin e kryeministrit, dhe një person tjetër që ishte një mafioz shqiptar. Nuk ia mbaj mend emrin.

    Efraim kuptoi se me kë kishte të bënte, ai zakonisht flet shumë, Alex ishte atje dhe më tha se sapo hyri aty, e uli menjëherë zërin. Ata i thanë, shiko nuk do të të japim një çmim më të mirë, ky është çmimi më i mirë në Europë. Megjithatë e dimë se bën edhe ripaketimin, dhe ke punësuar këtë tipin që nuk është pjesë e organizatës tonë, dhe po i paguan atij goxha para. Nëse e heq qafe atë dhe na paguan ne, për ta bërë ne paketimin, do të të bëjmë ulje. Dhe Efraimi i thotë “marrëveshje”. E heq Kostën nga marrëveshja dhe Kosta u revoltua shumë, se i mbetën 20 mijë dollarë kuti, nuk ia paguan.

    Kosta u inatos shumë, sepse ai e dinte çfarë po ndodhte, ne i kishim thënë kujdesu që të mos ketë shenja kineze, dhe ai shkon e i thotë Nju Jork Times, dhe zyrtarvëe amerikanë. Dhe ata nisën hetimin. Por gabimi i tij më i madh ishte se kontaktoi shtypin shqiptar, dhe u tha se ka korrupsion të madh me këtë marrëveshje, se politikanët po marrin rryshfet. Ai përfundoi i vdekur në rethana misterioze. Një muaj më pas, ai ishte duke udhëtuar vetëm në një rrugë të sheshtë dhe papritmas pësoi një aksident ku përfundoi disa metra larg makinës. E cilësuan si aksident, por ishte aksident shumë i çuditshëm”, thotë në rrëfimin e tij Packouz.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit