12.5 C
Tirana
E premte, 23 Janar, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    “Rri në zyrë nëse je burrë” – Berisha mesazh Ramës një ditë para protestës

    “Nesër është prova e madhe, është dita e guximit”. Një ditë para protestës së dytë kombëtare të opozitës, që prej zgjedhjeve të 11 Majit, ku demokratët kërkojnë qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme, Sali Berisha thotë se qytetarët do i bëjnë gjyqin Edi Ramës pasditen e 24 Janarit.

    “Nesër i bën gjyqin një armiku të egër të lirive të shqiptarëve, të votës së tyre. Një njeriu që qëndron në pushtet duke përdorur çdo mjet të paligjshëm, duke shkelmuar Kushtetutën”, tha kreu i PD.

    Tubimin e një muaji më parë e konsideroi si provë gjenerale për rrëzimin e qeverisë, ndërsa këtë herë pohon se qytetarët me protestën e tyre do t’i japin leksion Edi Ramës, ndaj ka një thirrje për të. “Le të rrijë në zyrë ta provojë. Kaq i them, rri aty. Muret i ke blinduar, dyert i ke plumbosur, rri e shko futu, rri në je burrë”, shtoi Berisha.

    Por teksa opozita kërkon të rrëzojë qeverinë me protesta, mazhoranca socialiste ka nisur punën për ndryshimin e rregullave të lojës për reformën territoriale, e të njëjtin fat pritet të ketë edhe ajo zgjedhore.

    I pyetur për këtë lëvizje të shumicës parlamentare, Berisha tha se opozitarët do të krijojnë komisionet e tyre. “Ne kemi ndërprerë bashkëpunimin me narkomazhorancën, ne krijojmë komisionet e reformës territoriale me forcat opozitare dhe reformën zgjedhore me forcat opozitare. Me media me të gjitha dhe ne krijojmë, paraqesim para shqiptarëve reformën tonë territoriale”.

    Berisha nuk sqaroi nëse do të rikthehen në komisione, nëse mazhoranca bën një hap pas por shtoi se me Ramën do të ketë vetëm betejë. “Me Edi Ramën nuk ka asnjë bashkëpunim”.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit