Nga aktivistja e URF-së, Edjana Markaj
Konfliktet midis adoleshentëve shpesh lindin për shkak të dallimeve të karaktereve e pikëpamjeve të ndryshme. Përfshirja në konflikte në një mjedis me adoleshentë sic është edhe shkolla, është i pashmangshëm. E rëndësishme është rruga që ndiqet nga autoritetet brenda shkollës për zgjidhjen e menaxhimin e tyre. Kjo theksohet edhe më shumë duke parë shtimin e rasteve të konflikteve të dhunshme të cilat kanë rezultuar edhe fatale.
Është e rëndësishme të kuptojmë shkakun e konfliktit, i cili mund të jetë i ndryshëm për secilin adoleshent. Shpesh, adoleshentët mund të jenë të prekur nga ndjenja të pasigurisë, presionit social, ndryshimeve hormonale.
Promovimi i paqes përmes ndërmjetësimit të konflikteve është mjaft i rëndësishëm për të garantuar një mjedis të shëndetshëm e të sigurt për nxënësit. Një ndërmjetësim efektiv kërkon përdorimin e aftësive të komunikimit të qetë, dëgjimin me kujdes të secilës palë dhe kërkimin e zgjidhjeve që janë të pranueshme për të dyja palët. Shpesh, ndihma e një ndërmjetësi (në disa raste një mësues, punonjës social, psikolog, ose një nxënës i trajnuar si ndërmjetësues) është e nevojshme për të drejtuar bisedën dhe për të gjetur një zgjidhje të drejtë.
Adoleshentët duhet të mësojnë si të përballen me konfliktet pa dhunë pasi kjo ndihmon në forcimin e aftësive të tyre sociale dhe emocionale. Kur konflikti zgjidhet përmes dialogut dhe kompromisit, rreziku i dhunës dhe ngjarjeve të tjera të dëmshme zvogëlohet.
Në përgjithësi, zgjidhja e konflikteve ndërmjet adoleshentëve kërkon një qasje të hapur, të ndjeshme dhe të paanshme, që përfshin zhvillimin e aftësive të komunikimit të adoleshentëve.
Ndërsa konflikti mund të shkaktojë emocione të forta, ruajtja e qetësisë dhe kontrolli i emocioneve është e rëndësishme për të mos përkeqësuar situatën dhe për të mundësuar një zgjidhje konstruktive.
Duhet të inkurajojmë një komunikim të hapur për të kuptuar pikëpamjet e të gjithë adoleshentëve të përfshirë. Duhet të nxitet kultura e respektit dhe e dëgjimit të mendimeve dhe ndjenjave të tjetrit. Kjo përfshin edhe respektimin e kufijve të tjetrit, shokut apo shoqes.
Shpesh fokusohemi e dëgjojmë të flitet për ndërhyrje, pra trajtimin e konfliktit pasi situata e dhunës ka ndodhur. Në fakt është më e rëndësishme që të parandalohen situata të tilla. Edukimi për rëndësinë e paqes dhe respekti për mendimet dhe ndjenjat e të tjerëve mund të ndihmojë në parandalimin e konflikteve dhe në krijimin e një mjedisi ku zgjidhja e konflikteve është më e lehtë.
Jo vetëm familja, por të gjithë ne si shoqëri jemi përgjegjës mbi sjelljet që shfaqin të rinjtë. Po nëse një fëmijë nuk ka mbështetjen e familjes, është i neglizhuar, cfarë do të thotë kjo, që ne duhet të heshtim e të gjithë mekanizmat institucionalë duhet të dorëzohen përpara kësaj situate? Absolutisht, jo!
Kur një fëmijë kthehet në dhunues, të gjithë ne kemi dështuar sepse tregon se të gjitha hallkat, arsimi, siguria, shëndetësia janë në alarm. Mos harroni, përgjegjësia është dhe do të jetë vetëm personale kur mjedisi social ka krijuar kushtet për kujdes emocional, psikologjik e social të pranueshëm.